Imami i xhamisë dyshohet për kërcënimin e familjes së presidentit Thaçi

Aktuale August 12, 2018 - 18:26
Jepet emri i të dyshuarit kryesor për këtë kërcënim

Një imam i xhamisë po dyshohet për kërcënimin e bërë ndaj familjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Kallxo.com ka siguruar një vendim të gjykatës ku ofrohen detaje për identitetin dhe pozitën e personit i cili u arrestua për kërcënimin e familjes së presidentit Hashim Thaçi.

Sipas këtij vendimi i dyshuari është është Asllan Bajraktari, imam i xhamisë në Jashanicë.

LEXO EDHE: Kërcënohet familja e Presidentit Thaçi

Bajraktari në vendimin e siguruar nga kallxo.com ka mohuar të ketë kryer veprën e cila i vihet në barrë.

Sipas burimeve fshatari i Jashanicës ka shkuar në shtëpinë e familjes ku ka kërcënuar familjarët.

Arsyeja e kërcënimit sipas burimeve të kallxo.com është pakënaqësia e qytetarit me ndarjen e një subvencioni në bujqësi.

Lajmi është konfirmuar edhe nga prokurorja Fikrie Sylejmani, e cila është duke e hetuar rastin.

“Vëllai i presidentit është ankuar për kërcënim”, ka thënë prokurorja.

Ajo ka shtuar se motivi i kërcënimit është pakënaqësia që personi i dyshuar e kishte rreth një granti.

“Personi është arrestuar dhe unë kam kërkuar paraburgim për të”, ka thënë prokurorja Sylejmani.

Ajo ka thënë se për momentin nuk mund të japë më shumë detaje.

Avni Zaiti, zëdhënës i Policisë në Mitrovicë, tha se një person është ankuar në stacionin policor të Skenderajt për kërcënim.

Sipas Zahitit, Policia ka arrestuar personin e dyshuar dhe është duke i zhvilluar hetimet.

Presidenti i vendit nuk ka në kompentencën e tij ndarjen e subvencioneve në bujqësi.