Britania: Thirrjet për rihartimin e kufijve, destabilizuese

Aktuale August 11, 2018 - 13:50
Lexo detajet

Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka njoftuar edhe një herë se nuk e mbështet opsionin e ndërrimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë. “Ne besojmë se thirrjet për rihartimin e kufijve shtetërorë mund të jenë destabilizuese. Ne vazhdojmë të mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja me qëllim të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që përfitojnë të dyja vendet”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës dhënë “Zërit”.

Sipas Ambasadës Britanike, normalizimi i raporteve në mes të dyja palëve është vendimtar për sigurinë, jo vetëm të këtyre dy shteteve, por tërë rajonit. “Siç kemi qenë gjithmonë të qartë, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për sigurinë, për stabilitetin dhe për prosperitetin e të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi.

Qeveria britanike beson se kjo duhet të jetë në bazë të njohjes së shteteve të pavarura sovrane brenda kufijve të tyre të tanishëm”, potencohet tutje./ZËRI