Aktuale

Agim Bahtiri e kërcënon publikisht Hashim Thaçin

Agim Bahtiri e kërcënon publikisht Hashim Thaçin
11 gusht 2018 • 00 : 12

Detajet

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka folur për dialogun mes Kosovës e Serbisë, por ka këmbëngulur që nga kjo çështje që do të zhvillohet në Bruksel, si përfundim, nuk do të lëvizë asnjë copë nga toka e Kosovës.

Bahtiri në Interaktiv të KTV-së, tha se sa i përket kësaj çështje është përgjegjësi më e madhe për të si kryetar i Mitrovicës, pasi thotë se Mitrovica po tentohet të ndahet.
“Padrejtësisht Komuna e Mitrovicës është ndarë në dysh, e kam marrë iniciativën për të takuar të gjithë, deri te presidenti për të parë se si do të zhvillohet më tutje problemi, siç po thuhet, ndarjes së Kosovës”, tha ai.

Bahtiri ka thënë se Mitrovica është e vendosur të mbroj çdo pëllëmbë të Mitrovicës, dhe sipas tij, kufijtë nuk do të lëvizin.

“Do ta mbroj fuqishëm edhe në tavolinë por po qe nevoja edhe në rrugë”, tha ai.
Bahtiri ka folur edhe për deklaratat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili thotë se nuk do të ketë ndarje por afrim të Luginës së Preshevës me Kosovën.
“Me sinqeritet i kam thënë se po se lëvizë vetëm një hap në atë drejtim, pra në ndarje të Kosovës, po iu garantoj se ai do të rrëzohet. Çdo njeri që guxon të prek territorin e Kosovës, do të jetë në rrëzim të shtetit. U bëj thirrje politikanëve të mbrojmë truallin e të parëve tanë”, tha ai.

Bahtiri thotë se nëse preken kufijtë do ketë luftë ballkanike ku shqiptarët do të fitojnë
Lideri i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, thotë se kufijtë janë vendosur padrejtësisht, pasi edhe Lugina është e Kosovës, ashtu si veriu i Mitrovicës.

“Nuk do të ketë lëvizje të territorit, boll kemi humbur tokë, boll kemi derdhur gjak, lëvizja e kufijve është thirrje për luftë”, tha Bahtiri në Interaktiv.

Bahtiri ka thënë se kufijtë nuk kanë pse të korrigjohen. “Ashtu kërkohet bashkimi kombëtar. Çdo prekje e kufijve, qoftë shtetit tjetër, atëherë dihet mirë çka do të ndodhë me shqiptarët. Nëse preken kufijtë, atëherë do bëhet luftë ballkanike edhe dihet se shqiptarët do të dalin fitues”, tha kryetari i Mitrovicës

© zëri.info