Selimi: Thaçi, lojtar i manipulimeve

Aktuale August 10, 2018 - 11:22
Lexo detajet

Deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, si dhe paralajmërimet e tij për organizim të referendumit për këtë çështje po vlerësohen si manipulime. Opozita dhe shoqëria civile thonë se këto deklarata kreu i shtetit po i bën për t’i arsyetuar koncesionet që do të bëhen në kuadër të dialogut, shkruan gazeta "Zeri". 

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka vlerësuar se presidenti Hashim Thaçi është duke manipuluar opinionin kur po paralajmëron referendum për opsionin e korrigjimit të kufijve me Serbinë.

Sipas Selimit, një veprim i tillë i kreut të shtetit është tërësisht i paskrupullt, pasi që dihet se referendumi nuk është i paraparë në Kushtetutën e Kosovës.

“Është thjesht një manipulim dhe në anën tjetër është një tentim për ta kamufluar gjithë këtë çka po ndodh rreth raportit me Serbinë, sepse këtu nuk bëhet fjalë për referendum dhe kjo çështje nuk zgjidhet me referendum”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

LEXO EDHE: LDK: Thaçi ka hyrë në aventura të rrezikshme

Teksa ka folur për zotimet e Thaçit se Lugina do të shtrohet si temë në Bruksel, Selimi ka thënë se kjo strategji e presidentit nuk është e pamenduar nga vetë ai.

“Këtë ai e ka menduar shumë mirë, por po mundohet ta përgatisë opinionin për ndryshim kufijsh, në momentin kur opinioni të mësohet për ndryshim kufijsh, atëherë kufijtë do të ndërrohen vetëm në disfavor të Kosovës. Kjo nënkupton ndarjen e brendshme të Kosovës”, ka theksuar ai, duke aluduar në formimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

Sipas tij, qëllimi i Thaçit është krejtësisht tjetër nga ajo që po shpërfaqet në publik deri më tani.

 “Ky është goxha lojtar i këtyre manipulimeve. Ai po do ta tregojë veten që kinse po e shpëton Kosovën nga një ndarje dhe se duhet të kënaqemi me ‘Zajednicën’. Gjithë këtë mjegulli që po e hedh ai në opinion është thjesht për t’i kamufluar vendimet, siç i ka quajtur ai, të rënda për Kosovën”, ka potencuar deputeti i LVV-së. /ZERI