Kamberi: Serbia kreu spastrim etnik në Medvegjë

Aktuale August 09, 2018 - 10:52
Lexo detajet

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka treguar se si ka lindur ideja për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për kërkesat politike të shqiptarëve të Luginës, për ekspertët ndërkombëtarë të cilët i ka angazhuar Serbia për t’i bërë “llogaritë” rreth skenarëve të mundshëm, shkruan "Gazeta Zëri".

Ndër të tjera Kamberi ka folur edhe për spastrimin etnik që ka kryer Serbia në Medvegjë, ku tha se dominimi politik i serbëve në Medvegjë vjen edhe për shkak të faktit se atje është kryer një spastrim etnik.

Zëri: Nga ky korrigjim i kufijve a mund të mbetej jashtë Medvegja, pasi atje serbët udhëheqin me komunën? 

Kamberi: Cilado zgjidhje parciale për Luginën e Preshevës do të sjellë tragjedi humanitare. Medvegja është pjesë e trungut etnik shqiptar dhe pjesë e pandashme e Luginës së Preshevës. Vetë Serbia kur më 2001-n kishte aprovuar “Programin për zgjidhjen e krizës në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë” e ka pranuar një fakt të këtillë. Dominimi politik i serbëve në Medvegjë vjen edhe për shkak të faktit se atje është kryer një spastrim etnik. Kjo na jep të drejtë legjitime që ta konsiderojmë Medvegjën pjesë të Luginës së Preshevës.

Zëri: Derisa po flitet për shkëmbim të territoreve, a është unik spektri politik në Luginë të Preshevës kur dihet se subjekte të ndryshme shqiptare qeverisin me këto komuna?

Kamberi: Sikurse në hapësirat tjera shqiptare edhe te ne ka diversitet politik, i cili sjell rivalitete, por besoj këto rivalitete kufizohen në luftën për qeverisje lokale. Për këto çështje në kemi dëshmuar shumë herë që kemi unitet. Deklarata e fundit politike, e aprovuar më 14 korrik të këtij viti, është shembull që dëshmon atë./ZËRI