Hoxhaj dënon ndalimin e profesor Islamit në kufirin Kosovë – Serbi

Aktuale August 08, 2018 - 15:07
Lexo lajmet më të fundit nga vendi. rajoni dhe bota

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka dënuar veprimet e policisë së Serbisë në pikën kufitare me Kosovën, me ç’rast iu ndalua hyrja në Serbi profesorit shqiptar nga Bujanoci, Hivzi Islamit. Hoxhaj tha se ky është një rekord i ri i shtypjes sistematike që po u bën Serbia shqiptarëve atje, duke ua mohuar të drejtat dhe liritë.

Hoxhaj tha se ndalimi pa shpjegim për t’u kthyer në shtëpi që iu bë profesorit Islami, është përpjekje e re e Serbisë për të mbjellë frikë tek shqiptarët që jetojnë atje.

LEXO EDHE: Hivzi Islami ndalohet nga policia serbe, s’lejohet të futet në Preshevë

“Represioni sistematik i shqiptarëve që jetojnë në Serbi prek një rekord të ri të dhunimit të lirive dhe të drejtave të tyre. Me qëllim të përhapjes së frikës, Serbia bllokon kthimin e qytetarëve në shtëpi, sic e bënë edhe sot me profesorin Hivzi Islami nga Bujanoci, anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Artit”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Policia serbe në kufi me Kosovë, ndaloi sot pa dhënë ndonjë shpjegim hyrjen e profesor Hivzi Islamit në Serbi.