Haradinaj ‘zbulon’ taktikën e Thaçit për Luginën e Preshevës

Aktuale August 07, 2018 - 15:24
Lexoni më shumë detaje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zbuluar taktikën që presidenti i Kosovës po përdor mbi çështjen e Luginës së Preshevës, raporton zeri.info.

Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se retorika e palës kosovare për bashkim të Preshevës me Kosovën është vetëm një kundërpërgjigje për disa dëshira që Serbia i ka në drejtim të Kosovës, raporton zeri.info.

Pavarësisht se kreu i shtetit Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se në Bruksel do të diskutohet mbi kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për t’iu bashkuar Kosovën, Haradinaj është zotuar se kufijtë do të mbesin siç janë, raporton "Zeri.info".

Një gjë të tillë kreu i ekzekutivit e ka bërë teksa ka folur për çështjen e Liqenit të Ujmanit (Gazivodës), ku të shtunën e javës së shkuar u raportua se ky liqen është marrë nën kontroll të plotë të forcave KFOR-it.

“Shpreh falënderim ndaj KFOR-it për punën e mirë që e bëjnë në Kosovë. Ajo që keni parë në liqenin e Gazivodës dhe në veriun e Kosovës është një ushtrim, një ushtrim me prezencë, i KFOR-it, i zakonshëm. Nuk duhet askush të shqetësohet. Nuk është qëllimi i destabilizimit. Është qëllimi i kundërpërgjigjes. Edhe retorika dhe dëshira jonë që preshevarët t’i bashkohen Kosovës është një lloj kundërretorike të asaj që Beogradi po i ka disa dëshira në Kosovë. Sido që të jetë fundi do të jetë këtu dikund, njohja reciproke, këta kufij, kjo Kosovë”, ka theksuar Haradinaj. /Zeri/