Haradinaj i kundërpërgjigjet Thaçit: Kufijtë i luan veç lufta

Aktuale August 07, 2018 - 15:12
Lexoni më shumë detaje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur edhe njëherë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka paralajmëruar se me Serbinë do të diskutohet edhe mbi korrigjimin e kufijve, raporton zeri.info.

I pyetur rreth kësaj, Haradinaj ka thënë se kufijtë mund t’i luajë vetëm lufta, askush tjetër.

“Kufijtë  janë vendosur me luftë, veç lufta i luan. Kush mendon që luhen kufijtë ndryshe, gabim është”, deklaroi Haradinaj pas mbledhjes së sotme të qeverisë, raporton "Zeri.info".

Duke folur rreth opsionit që Presheva t’i bashkohet Kosovës, Haradinaj ka ripërsëritur edhe njëherë faktin se kufijtë tashmë janë të vendosur dhe ata nuk mund të ndërrohen.

“Krejt kah janë shqiptarë me qejf e kishim marrë, aty s’ka dilemë. Por këta kufij janë vendosur nga lufta e kaluar, janë kufij lufte, janë mijëra njerëz në tokë për këta kufij. Është bukur imagjinatë e lehtë të mendohet se luhet me këta kufij, nuk luhen”, potencoi kreu i ekzekutivit.

Ajo që ka mbetur mes Kosovës dhe Serbisë sipas kryeministrit, është njohja reciproke, nën kufijtë aktualë./Zeri