Draftstatuti nuk i është dërguar ende BE-së

Aktuale August 07, 2018 - 07:57
Lexo tjera detaje

Të shtunën ka qenë afati i fundit për përgatitjen e draftstatutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, megjithatë ky dokument nuk i është dërguar ende Bashkimit Evropian (BE). Ndërsa pasi t’i dërgohet BE-së do të diskutohet në takimin e radhës ndërmjet presidentit kosovar Hashim Thaçit dhe atij serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini, ka thënë për “Zërin” se çështja e statutit të Asociacionit do të shqyrtohet në Bruksel menjëherë pasi ekipi menaxhues ta informojë zyrtarisht BE-në për rezultatet.

Kurse zyrtarë të ekzekutivit kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” se ekipi menaxhues nuk i ka dërguar kurrfarë dokumenti të draftit Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndërsa deputetët e partive opozitare vlerësojnë se Qeveria e Kosovës nuk është dashur fare ta lërë në duart e ekipit aktual çështjen e statutit të Asociacionit.

E po që se paralajmërimi i ekipit menaxhues se AKS-ja do të bëhet sipas marrëveshjes së Brukselit (kundër Kushtetutës) realizohet, sipas opozitarëve një gjë e tillë paraqet rrezik të lartë për Kosovën.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se statuti i AKS-së do të jetë shumë larg vendimit që kishte Gjykata Kushtetuese se themelimi i Asociacionit sipas marrëveshjes së Brukselit është kundër frymës kushtetuese.

Kocijançiq: Statuti i Asociacionit do të shqyrtohet në Bruksel

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini, ka thënë për “Zërin” se çështja e statutit të Asociacionit do të shqyrtohet në takimin e ardhshëm në Bruksel në kuadër të nivelit të lartë (mes presidentëve).

Një gjë e tillë, sipas saj, do të ndodhë sapo ekipi menaxhues ta informojë zyrtarisht BE-në për rezultatet e punës.

Me këtë rast Kocijançiq ka thënë se Bashkimi Evropian është duke punuar gjatë gjithë kohës me të dyja palët që të gjitha marrëveshjet, duke përfshirë këtu edhe atë për AKS-në, të gjejnë zbatim.

“Ne e kuptojmë se puna është ende duke vazhduar. Ndërkohë, BE-ja vazhdimisht punon me të dyja palët për të siguruar zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e Kocijançiq.

Qeveria: Nuk kemi pranuar draftstatut për Asociacionin

Qeveria e Kosovës ka pohuar se nuk e ka pranuar draftstatutin e Asociacionit.

Në një përgjigje dhënë “Zërit” Zyra e Kryeministrit ka thënë se draftstatuti do të dërgohet në Bruksel.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar ndonjë dokument nga ana e ekipit menaxherial, që mund të quhet si draftstatut i Asociacionit. Ky dokument dërgohet në Bruksel, ku do të ftohet edhe pala kosovare”, thuhet në përgjigje.

Megjithëkëtë, nga Qeveria kanë bërë të ditur se ende nuk ka ardhur ndonjë ftesë për takimin që mund të mbahet.

“Aktualisht ne nuk kemi pranuar dokument dhe as ftesë për takim. Kurdo që ndodh kjo ju njoftojmë me kohë”, theksohet më tej.

Pavarësisht se draftstatuti nuk i është dërguar Qeverisë pritet që të paktën t’i dërgohet raporti i punës së ekipit menaxhues.

Këtë e ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë (MAPL), zyrtarë të së cilës kanë pohuar se raporti i punës ishte planifikuar të dorëzohej gjatë së hënës në MAPL.

Menjëherë pasi të përkthehet, sipas kësaj ministrie, ky raport do të dërgohet në Zyrën e Kryeministrit.

Avdyli: Qeveria aktuale, e papërgjegjshme 

Kurse deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli e ka cilësuar si absurd faktin që draftstatuti i Asociacionit i është lënë në dorë një ekipi të përbërë vetëm prej serbëve.

“Është absurde që Qeveria e Kosovës nuk e ka marrë në dorë timonin e këtij procesi. Qeveria e Kosovës është e shpartalluar dhe e papërgjegjshme, sepse nuk është duke u interesuar për këtë proces, i cili është shumë i rëndësishëm e që rregullon edhe organizimin e brendshëm të shtetit”, ka deklaruar ai.

Qeveria aktuale, sipas Avdylit, po merret vetëm me çështje të dorës së dytë, duke lënë anash çështjen e AKS-së.

“Këta qeveritarët e sotshëm merren me gjëra krejt dytësore, siç është rritja e pagave, numri i zëvendësministrave, shkarkime për qëllime mediokre. Ndërsa aty që vendoset fati i Kosovës ndoshta për dekada e shekuj për organizimin e brendshëm këta janë duke heshtur, duke u tërhequr”, ka theksuar ai.

Me këtë rast deputeti i LDK-së ka paralajmëruar rreziqe po që se Asociacioni bëhet siç po deklaron ekipi menaxhues, sipas marrëveshjes së Brukselit.

“Normalisht, nëse ne ua lëmë një grupi të njerëzve të papërgjegjshëm ata do të kërkojnë shtet përtej shteti. Për atë kjo është absurde. Mendoj se ka rreziqe të mëdha nëse njerëzit e përgjegjshëm nuk mund ta marrin  në dorë fatin e këtij vendi”, ka potencuar Avdyli.

Kollçaku: Serbët e Kosovës s’kanë nevojë të krijojnë shtet brenda një shteti

Ndërkaq nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se Asociacioni është duke u bërë sikurse kishte nisur, gabimisht, qysh prejse është nënshkruar si marrëveshje.

Kjo marrëveshje, sipas saj, është bërë kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Ky projekt që nga fillimi është konstatuar se është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Po tregohet që këta pushtetarët janë duke sjellë vetëm dëme, edhe janë duke e cenuar integritetin territorial”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Sipas Kollçakut, serbët e Kosovës kanë nevojë të integrohen, por jo që të krijojnë një Asociacion çfarë po mëtohet të bëhet.

“Nuk ka pasur nevojë për një Asociacion, duke e ditur që serbët kanë nevojë të integrohen në Republikën e Kosovës, kanë nevojë për punësim, për kushte, për të mira ekonomike si të gjithë qytetarët e tjerë, por nuk kanë nevojë të organizohen e të krijojnë një shtet brenda një shteti”, ka theksuar ajo.

Beqaj: Serbia po përgatit një skenar më ambicioz se Asociacioni

Në anën tjetër, teksa ka folur mbi çështjen e AKS-së politologu Belul Beqaj ka thënë se është duke u paralajmëruar se projekti i statutit të AKS-së do të dorëzohet së shpejti, por kjo, sipas tij, vetëm sa do ta komplikojë edhe më shumë zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Ngase nga njohuritë e deritanishme që kemi propozimi i statutit nga ekipi menaxhues  është shumë larg sugjerimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prandaj nuk po i ofrohemi fundit, por do të rivlerësohet fillimi”, është shprehur ai.

Beqaj më tutje ka vlerësuar se Serbia është duke e përpiluar një skenar të rrezikshëm për Kosovën pikërisht duke e përdorur çështjen e Asociacionit.

“Mendoj  se veprimet e fundit që po i bën Serbia, të cilave po u fryn dhe Thaçi veçmas duke kërcënuar pjesëtarët serbë me burg të FSK-së, janë indikacione se Serbia është duke punuar në një skenar shumë më ambicioz se që është Asociacioni, duke mos përjashtuar edhe Asociacionin si pjesë komplementare të kësaj ambicieje”, ka theksuar Beqaj.