Kosova ''thyen tullat e fundit të murit të Shengenit''

Aktuale August 06, 2018 - 11:11
Shkrim i Al Jazeera për liberalizimin e vizave të Kosovës me BE-në

Qytetarët e Kosovës së shpejti, dhjetë vjet pas qytetarëve të vendeve fqinje, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, do mund të udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian, për shkak se Komisioni Evropian ka konfirmuar se vendi i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, shkruan Al Jazeera, transmeton portali “Zeri.info”.

Liberalizimi i vizave tani duhet të konfirmohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian. Komisioni Evropian filloi dialogun e liberalizimit me Kosovën në janar 2012.
Kosova gjithashtu, sipas fjalëve të kryeredaktorit të përditshmes kosovare “Zeri”, Lavdim Hamidi, "do të thyejë tullat e fundit të murit të Shengenit", me ç’rast të gjithë qytetarët e Ballkanit pa përjashtim mund të udhëtojnë lirishëm brenda BE-së.

“Kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike ne humbëm tri vite për t’i përmbushur dy kriteret e fundit për liberalizim: Demarkacionin me Malin e Zi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me liberalizimin e vizave për Kosovën, do të hapen mundësitë për qytetarët e këtij vendi të vizitojnë vendet e BE-së, të rinjtë do të kenë qasje më të lehtë në shkollim në universitetet më të mira, si dhe kompanitë lokale do ta kenë më lehtë për të gjetur partnerë tregtar në vendet e BE-së", thekson Hamidi.

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi u arrit në mars të këtij viti dhe në maj zyrtarët e Bashkimit Evropian vizituan Kosovën për të mbledhur të dhëna mbi luftën kundër korrupsionit.

Qytetarët e Kosovës “si në burg”

Hamidi shton se është thënë qartë se të gjitha vendet e Ballkanit mund të bëhen anëtare të BE-së nga viti 2025 dhe se Kosova ka mbetur shumë mbrapa vendeve të rajonit në këtë rrugë.

"Pritet që Kosova të marrë liberalizimin e vizave vetëm në fund të këtij viti, apo gjysmën e parë të vitit 2019, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi kanë bërë progres shumë më të madh në këtë drejtim. Për shkak të mosmarrëveshjeve të gjata mes Kosovës dhe Serbisë, BE nuk do të lejojë Prishtinën dhe Beogradin të bllokojnë njëra-tjetrën në procesin e antarësimit. Para se të antarësohen në BE, Kosova dhe Serbia do të detyrohen të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet politike". Liberalizimi, tha Hamidi, është hapi i parë drejt zgjidhjes së këtyre mosmarrëveshjeve.

Analisti politik Imer Mushkolaj tha se Kosova ka mbetur i vetmi vend i izoluar pa liberalizimin e vizave, "kështu që 1.8 milionë njerëz kanë mbetur si në burg, ndërkohë që qytetarët e vendeve fqinje tashmë disa vite kanë të drejtën e lirisë së lëvizjes", transmeton “Zeri.info”.

"Liberalizimi i vizave do të thotë shumë për Kosovën. Së pari, do të ishte një çlirim psikologjik i qytetarëve, por edhe lëvizje pa pengesa, veçanërisht për të rinjtë që duan të studiojnë jashtë vendit. Por do të ishte e mirëpritur edhe për qytetarët e tjerë, pasi diaspora e Kosovës në Evropë është shumë e madhe", tha Mushkolaj.

Ai përsërit se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për lëvizjen e lirë dhe se në këtë kuptim, ajo nuk mund të mbetet peng i dialogut me Serbinë.

"Por duket se Bashkimi Evropian vazhdon ta kushtëzojë këtë me promovimin e dialogut me Serbinë. Lëvizja e lirë e qytetarëve nuk mund të mbetet peng i dialogut me Serbinë dhe BE duhet ta shohë atë si dy procese të ndara", thekson Mushkolaj.

Është e vështirë, pohon ai, se të gjitha vendet anëtare të BE-së të pajtohen për liberalizimin, për shkak të krizës së refugjatëve.

"Nga pesë vendet që nuk e njohin Kosovën, problemi kryesor është Spanja, për shkak të situatës specifike brenda territorit të saj. Spanja ende nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe pasaportën e saj", konsideron ai.

Analisti politik nga Gjermania Martin Brusis thekson se regjimi i vizave, dhe në kuadër të BE-së, që nga viti 2017 nuk mund të justifikohet, sepse Bashkimi atëherë mori vendimin për heqjen e vizave për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Këto janë, thekson Brusis, vendet e Evropës Lindore të cilave BE-ja nuk iu ka dhënë ende një perspektivë për anëtarësim.

Përçarja brenda BE-së

Me liberalizimin e vizave, thekson Brusis, përfundon privimi i kosovarëve në raport me anëtarët e kombeve të tjera në Ballkan.

"Ky privim është shkaktuar nga statusi i veçantë i Kosovës dhe jo për arsye sigurie. Ky vendim mund të përmirësojë perspektivat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës nëse ai shtet arrin të përdorë njohuritë dhe kapitalin e kosovarëve që jetojnë jashtë vendit ", tha Brusis.

Ai konfirmon se akterët shqiptarë të Kosovës e shohin liberalizimin e vizave si një hap shtesë drejt një njohjeje gjithëpërfshirëse të shtetit të Kosovës.

"Bashkimi Evropian nuk do të duhej që rezultatin e negociatave për normalizim ta paragjykoj në favor të palës shqiptare të Kosovës, dhe kështu të zvogëlojë nxitjen për përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës që të bëjnë kompromis me Beogradin. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian ka nevojë për të zhvilluar rregullore për popullatën serbe në Kosovë, e cila ka vetëm dokumente identifikimi të Serbisë, por është e izoluar nga liberalizimi i vizave për Serbinë më 2009 dhe dokumentet e tyret nuk njihen nga institucionet e Kosovës", thotë Brusis.

Mundësia e vetos

Ai shton se përçarja brenda BE-së paraqet problem për negociata dhe procesin e integrimit, sepse pesë vendet e Bashkimit që nuk e kanë njohur Kosovën mund të bllokojë anëtarësimin e atij vendi.

Gjithashtu mund të përdorin, shton Brusis, mundësitë e vetos për ta lidhur atë me proceset e tjera negociuese të BE-së dhe kështu të fitojë lehtësim në fusha të tjera politike nga vendet e tjera.

Ndër vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë pranuar Kosovën janë Spanja, Sllovakia, Qiproja, Greqia dhe Rumania.

"Politika e mospranimit justifikohet kryesisht nga frika se integriteti i tyre kombëtar përmes separatistëve vendas mund të rrezikohet dhe se Kosova mund të shërbejë si një shembull. Ata që mbështesin perspektivën e anëtarësimit të Kosovës shpresojnë që një mendim i tillë të dobësohet. Dhe për këtë arsye, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili do të arrihej me miratimin e gjerë shoqëror në të dy anët, është i rëndësishëm", thekson Brusis.

Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosovën e kanë njohur më shumë se 100 vende./ Al Jazeera & Zëri/