Dy ditë luftë psikologjike me qytetarët e Mitrovicës

Aktuale August 06, 2018 - 08:42
Mësoni më shumë detaje

Qytetarët e Mitrovicës dhe të komunave tjera veriore të Kosovës për dy ditë kanë jetuar me frikën se do të ketë përkeqësim të gjendjes pas paralajmërimeve të serbëve për shpalljen e autonomisë së veriut, si dhe të gatishmërisë së ushtrisë së Serbisë për “luftë” në Kosovë dhe të deklaratave të zyrtarëve të Kosovës “se kushdo që hyn në territorin e Kosovës për ta prishur rendin dhe ligjin do ta marrë përgjigjen adekuate”. Frikën e kanë shtuar dezinformatat për helmimin e ujit të pijshëm që vjen nga Ujmani, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Qytetarët e Mitrovicës së Jugut, por edhe banorët e komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të shtunën dhe të dielën e kanë kaluar me frikën se do të ketë destabilizim të gjendjes.

Kjo frikë ka ardhur pas paralajmërimeve se serbët të dielën do ta shpallin autonominë e veriut.

Frikën e kanë shtuar edhe deklarimet për gatishmërinë e ushtrisë së Serbisë “për luftë në Kosovë”, si dhe paralajmërimet e krerëve të shtetit të Kosovës se “kushdo që hyn në territorin e Kosovës për ta prishur rendin dhe ligjin do ta marrë përgjigjen nga ligji”.

LEXO EDHE: Listat e pritjes për koronarografi, deri në nëntor

Frikën e ka shtuar një dezinformatë se është helmuar uji i pijshëm me të cilin Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, si dhe Mitrovica e Veriut e Zveçani furnizohen nga liqeni i Ujmanit, shkruan më tutje "Zëri".

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, duke qenë i shqetësuar me dezinformatat që qarkullonin është detyruar vetë ta vizitojë ujësjellësin rajonal “Mitrovica” dhe të bindet se uji është i pastër dhe i pijshëm.

Konfirmimin se nuk ka asgjë për helmimin e mundshëm të ujit të pijshëm ai e mori nga drejtuesit e kompanisë.

“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, tani po i bëjmë edhe analizat bakteriale të ujit. Uji është i pijshëm”, ka siguruar drejtori i KURM-it Sami Miftari. 

Qytetarëve u është drejtuar edhe kryetari Bahtiri.

“Sapo e vizitova ujësjellësin rajonal ‘Mitrovica’, ku mora konfirmim zyrtar se uji i liqenit të Ujmanit është plotësisht i pijshëm. Këtë e konfirmojnë analizat e bëra sot në laboratorin e Ujësjellësit zyrtarët e të cilit më njoftuan se gjatë gjithë kohës po e përcjellin ‘online’ cilësinë e ujit me teknologji të avancuar. Pra, shkrimet se uji i liqenit të Ujmanit është helmuar janë tërësisht spekulime dhe qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen aspak”, ka thënë Bahtiri.

Frika për tensionim të situatës ka filluar të paraqitet te qytetarët të premten kur Policia e Kosovës ua kishte ndërprerë pushimet të gjithë pjesëtarëve të saj për t’u dhënë detyra të tjera “sipas situatës”, si dhe pas deklaratave të njëpasnjëshme të presidentit Hashim Thaçi për këmbim të territoreve.

Derisa shqiptarët e jugut të Mitrovicës kanë kundërshtuar Thaçin për këmbim të territorit, ata të Mitrovicës së Veriut janë shprehur se ndarja e veriut të Kosovës në këmbim të Luginës së Preshevës do t’u bënte mirë atyre, por do të shkonte në dëm të serbëve të jugut.

Banorët e fshatrave shqiptare të komunave veriore janë lutur që të mos mbesin me Serbinë nga frika se veriu do të shkëputet. Forcat e shtuara të Policisë së Kosovës të stacionuara në afërsi të fshatrave Koshtovë, Bistricë, Cerajë, Kelmend, Boletin, në veri, të premten pasdite kanë rritur edhe më tepër frikën se diçka e keqe mund të ndodhte në çdo moment.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i ka siguruar qytetarët se “nuk do të ndodhë asgjë dhe se për situatën kishte biseduar me presidentin Hashim Thaçi”.

 “Unë i siguroj qytetarët e Mitrovicës dhe ata të vendit se në bisedën që pata me presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçin dhe me drejtues të tjerë shtetërorë vlerësuam se situata në vend është e qetë, e qëndrueshme dhe se në veriun e Republikës së Kosovës nuk do të ndodhë asgjë nga ajo që mediet e ndryshme paralajmërojnë, pasi institucionet përkatëse të shtetit të Kosovës janë në gjendje t’i mbrojnë kufijtë e vendit dhe t’u japin përgjigjen adekuate atyre që duan destabilizim të situatës”, ka thënë Bahtiri nëpërmes të një komunikate.

Ai ka thënë gjithashtu se ishte takuar edhe me komandantin e KFOR-it, Salvatore Suocchi, dhe ka marrë garanci se ushtarët e KFOR-it do ta kryejnë misionin e vet dhe se ka kapacitete të mjaftueshme për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në gjithë Kosovën.

Në ndërkohë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të heqin dorë nga ideja e shpalljes e autonomisë së veriut të Kosovës, gjë që siç thotë Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës Serbe për Kosovën, “ata e kanë dëgjuar”.

Por kundër Vuçiqit ka dalë Partia e Serbëve të Kosovës dhe kryetari i saj Aleksandër Jabllanoviq.

Në një letër të hapur Jabllanoviq ka thënë se inteligjenca dhe Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është nën sulmin e Vuçiqit.

“Ne nuk kemi frikë nga shqiptarët e as nga KFOR-i, por fatkeqësisht nga Beogradi”, thuhet ndër të tjera në këtë letër, i cili përmend edhe fakte të tjera që kanë dëmtuar serbët e Kosovës, ndër to manipulimi i votave.

Të dielën ndërkaq mediet kanë raportuar se njësitë elite të Policisë së Kosovës kanë lëvizur për në veri të vendit, por ky informacion është demantuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

“Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë, situata është krejtësisht normale. Asnjë polic i njësive speciale nuk ka lëvizur në veri të vendit. Situata është e qetë dhe nuk ka asnjë lloj indicie deri më tani që do të ketë ndonjë destabilizim ose trazira të ndryshme”, kanë thënë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, të dielën.