BE-ja e dërgon në shtator një mision vlerësues në Kosovë

Aktuale August 06, 2018 - 07:49
Mësoni më shumë detaje

Në fund të muajit shtator Kosovën do ta vizitojë një mision vlerësues i Bashkimit Evropian për t’i parë arritjet në fushën e drejtësisë, konkretisht në zbatimin e vendimeve gjyqësore në çështjet civile dhe komerciale. Zyra e BE-së në Prishtinë ka thënë për “Zërin” se dërgimi i këtij misioni ndihmon që të përcaktohen prioritetet kyçe për Kosovën në rrugëtimin evropian, ndërsa kanë pohuar se ndërlidhet edhe me liberalizimin e vizave. Kurse ministrja, Dhurata Hoxha, ka thënë se ky mision nuk ka ndikim në procesin e liberalizimit

Nga data 24 deri më 28 shtator në Kosovë do të qëndrojnë disa ekspertë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian në kuadër të një misioni vlerësues, të cilin e dërgon Komisioni Evropian për të parë përparimin e Kosovës në fushën e drejtësisë, përkatësisht për progresin në zbatimin e vendimeve gjyqësore në çështjet civile, komerciale dhe për çështjet që lidhen me to.

Zyra e BE-së në Prishtinë ka konfirmuar për gazetën Zëri se Komisioni Evropian rregullisht bën misione të rishikimit, duke përfshirë këtu edhe ato në fushën e sundimit të ligjit.

Sipas kësaj Zyre, kjo ndihmon që të përcaktohen prioritetet kyçe për Kosovën në rrugëtimin evropian.

Zyra e BE-së në Prishtinë po ashtu ka thënë se ky proces ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave.

"Komisioni Evropian rregullisht bën misione të rishikimit, duke përfshirë këtu edhe ato në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë. Në këto misione ekspertë të ndryshëm nga shtetet anëtare të BE-së analizojnë situatën në fusha specifike në Kosovë dhe posaçërisht në ato fusha që ndërlidhen me legjislacionin e BE-së dhe me standardet evropiane. Kjo ndihmon që të përcaktohen prioritetet kyçe për Kosovën në rrugëtimin evropian. Ky proces ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave, por është pjesë e aktiviteteve të rregullta të Komisionit në Ballkanin Perëndimor", thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Në anën tjetër ministrja e Integrimit Evropian, Dhuarat Hoxha, ka thënë për gazetën “Zëri” se Komisioni Evropian ka paraparë ndërmarrjen e misioneve vlerësuese nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor për vlerësimin e sistemit të drejtësisë, respektivisht për vlerësimin e kapacitetit të sistemit për t’i zbatuar vendimet gjyqësore në çështjet civile dhe komerciale. Ajo më tej ka thënë se vlerësimet e këtij misioni nuk kanë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave.

“Vlerësimet e këtij misioni nuk kanë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave. Vlerësimi i këtij misioni do të paraqesë progresin e Kosovës në zbatimin e vendimeve gjyqësore në çështjet civile, komerciale e në çështjet që lidhen me to. Vlen të theksohet që institucionet e drejtësisë janë duke u përkrahur nga BE-ja dhe nga donatorët tjerë në këto fusha, gjithnjë me qëllim që drejtësia civile në Kosovë t’i arrijë praktikat më të mira dhe standardet e BE-së”, është shprehur Hoxha.

Ajo më tej ka thënë se misione të tilla Komisioni Evropian organizon kohë pas kohe për të matur progresin dhe për të shtyrë përpara agjendën evropiane në rajon.

“Edhe Kosova, ashtu sikurse të gjitha vendet e rajonit, ka filluar përgatitjet e nevojshme për këtë mision. Ministria e Integrimit Evropian është koordinuese në mes të BE-së dhe institucioneve të Kosovës në këtë proces, duke siguruar që misioni të jetë sa më produktiv dhe sa më përmbajtjesor në tërësinë e tij”, ka shtuar Hoxha.

Në fund, ajo ka sqaruar se ky mision do të përbëhet nga ekspertë të vendeve anëtare të BE-së dhe në Kosovë do të jenë nga data 24 deri më 28 shtator 2018.

Sipas ministres Hoxha, para se të mbërrijnë ekspertët nëpër vende të rajonit, duke përfshirë Kosovën, duhet të pajisen me të gjitha dokumentet e nevojshme për mision.

“Pra, me politikat dhe me kornizën ligjore, ligjet, rregulloret, strategjitë, planet e veprimit, po ashtu me një përmbledhje të përshkrimeve të mandatit, rolit dhe përgjegjësive të institucioneve në këtë fushë sikurse edhe me strukturën e tyre institucionale, duke përfshirë përshkrimin e procesit të zbatimit të vendimeve gjyqësore, pasqyrimin e zbatimit të standardeve evropiane, respektivisht të rekomandimeve të Këshillit të Evropës në çështjet civile dhe komerciale”, ka përfunduar Hoxha.

Edhe njohësi i integrimeve evropiane Taulant Kryeziu ka thënë për “Zërin” se vlerësimi i këtij misioni nuk do të ketë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave, pasi në këtë proces tashmë ka mbetur vetëm vendimmarrja politike.

“Në procesin e liberalizimit të vizave ka mbetur vetëm pjesa e vendimmarrjes politike në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai më tej ka thënë se misionet e tilla vlerësuese kanë të bëjnë me procesin e integrimit, pra me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

“E ku në kuadër të Agjendës Evropiane të Reformave,  në të cilën janë 22 prioritete kyçe të dala nga MSA-ja e që ne është dashur t’i kemi të adresuara deri më 2017-n të gjitha, deri më tash nga 22 prioritete vetëm 3 kemi arritur t’i përmbyllim”, ka sqaruar Kryeziu.