Gjyqtarët e Kushtetueses nuk i marrin pagat me rritje

Aktuale August 05, 2018 - 23:07
Lexoni më shumë detaje

Janë bërë dy muaj që kur Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë ankesën e disa deputetëve që kundërshtonin rritjen e pagave për zyrtarët qeveritar.

Sipas vendimit të Kushtetueses, parashtruesit e kërkesës, në këtë rast deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kishin paraqitur prova bindëse për të mbështetur pretendimet e tyre se vendimi i Qeverisë ka prodhuar efekte kushtuese në kuptim të cenimit të kompetencave kushtetuese të Kuvendit, apo shkelje të ndonjë dispozite kushtuese, ashtu siç pretendonin ata.

Qeveria e Kosovës ndër të tjerash pati bërë të ditur se në bazë të këtij vendimi rritje të pagave do të kenë edhe për 600 gjyqtarë dhe prokurorë.

Por, nga rritja e pagave ende nuk kanë përfituar edhe gjyqtarët e Kushtetueses.

Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, ka konfirmuar për Indeksonline se pagat e gjyqtarëve të Kushtetueses nuk kanë ndryshuar.

“Pagat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë ndryshuar”, ka thënë shkurt ai.

Por arsyeja del të jetë vetëfakti se gjykatës tani i mungon kuorumi, i cili nuk arriti të plotësohej.

“Gjykatës aktualisht i mungon kuromi i nevojshëm për të shqyrtuar në seancë dhe për të marrë vendim për çdo ndryshim eventual që ndërlidhet me shtesat në paga të gjyqtarëve  të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Dula.

Ndryshe gjyqtarët në fjalë ishte paraparë të zgjidheshin në muajin maj.