Kjo ishte gjendja e sigurisë sot në veri të Mitrovicës

Aktuale August 05, 2018 - 19:22
Lexoni më shumë detaje

Megjithë paralajmërimet se në veri të vendit gjatë ditës së sotme mund të kishte tensionim të situatës së sigurisë, atje dita ka kaluar normalisht si herave të tjera.

Se tensionet mund të rriten, ditë më parë e paralajmëroi edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai tha se është është në dijeni se kanë hyrë disa njerëz në veri nga Republika Serbe e Bosnjës të cilët kanë për qëllim të shpallin autonominë.

Mirëpo, përveq disa paralajmërimeve, dita e sotme në Mitrovicë ka kaluar pa incidente apo diçka për tu veçuar.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë për lajmi.net se situata aktuale e sigurisë në Mitrovicë është më stabile se asnjëherë.

Ai po ashtu ka thënë se megjithë paralajmërimet që kanë ardhur se atje mund të ketë tension, akterët e sigurisë janë në gatishmëri të plotë për të intervenuar.

“Me përgjegjësi të plotë ju them se situata në Mitrovicë është shumë stabile dhe asnjëherë nuk ka qenë më stabile se këto ditë, edhe pse dihen paralajmërimet e dikujt kanë qenë ndryshe, por të gjithë janë marrur dhe kam pasë kontakte direkt me kryetarin e shtetit, KFOR-in, dhe të gjithë akterët e sigurisë”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri po ashtu nënvizoi se ai së bashku me akterët e tjerë, kanë shprehur gatishmërinë që cili do që shkel mbi ligjet e Kosovës, siç thotë ai do të marrë ndëshkimin e merituar.

“Ky vendim është në fuqi dhe do të jetë në fuqi deri sa të dalim prej kësaj situate në të cilën dikush mendon se është më i fuqishëm se shteti, ju them me përgjegjësi të plotë se kam kontakte me të gjithë sektorët, dhe të gjithë më raportojnë se gjendja është e qetë, do të jetë e qetë dhe ska asnjë ndikim që mund ta ndryshojë këtë, kështu që unë një gjë të tillë e vlerësoj si shumë të dobishme për republikën e Kosovës”, ka përfunduar Bahtiri.

Kujtojmë po ashtu se gjatë ditës së sotme ka pasur raportime se Njësitë Elitare të Policisë së Kosovës janë dërguar në veri të vendit për shkak të gjendjes së sigurisë.

Mirëpo një gjë e tillë është demantuar për lajmi.net nga zëvëndësministri i MPB-së, Abduselami Shkodra, i cili ka thënë se kjo nuk qëndron dhe se situata në veri është shumë stabile.

Nga Policia e Kosovës po ashtu është thënë se lëvizjet në atë pjesë janë normale dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Kujtojmë se lidhur me këtë çështje, Kosova dhe Serbia kanë mbajtur mbledhje të Këshilleve  të Sigurisë.