Presidenti Thaçi mbron idenë e shkëmbimit të territoreve

Aktuale August 04, 2018 - 14:10
Ja cilat shtete merr shembull presidenti Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaëi, vazhdon të këmbëngulë që Kosova dhe Serbia duhet të korigjojnë kufirin ndërmjet tyre dhe kjo ëështje sipas presidentit do të ketë mbështetjen ndërkombëtare, nëse përfshihet në marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi.

Në një konferëncë të radhës për medie Presidenti Thaëi, tha se "është mundësia historike që Kosova dhe Serbia ta korrigjojnë në mënyrë paqësore kufirin" dhe përmendi këtu që në territorin e Kosovës të përfshihen komunat jugore të Serbisë, Presheva, Bujanovci e Medvegja. Por, tha se "në Kosovë nuk do të ketë ndarje dhe Kosova nuk ka territor për t'i dhënë Serbisë".

"Institucionet tona nuk guxojnë t'i mbyllin sytë dhe ta injorojnë një mundësi të tillë historike dhe të papërsëritshme. Duhet të bashkohemi dhe t'i themi po kësaj kërkese krejt racionale, të drejtë dhe historike, e cila ka mundësi të realizohet krejtësisht në mënyrë paqësore", tha Presidenti Thaçi, duke marrë shembull korrigjimin e vijës kufitare ndërmjet Holandës dhe Belgjikës dhe për këtë arsye thotë ai, nëse kufiri i Kosovës korigjohet nuk është rast precedent. Anë e kënd botës, kemi me dhjetëra raste të korrigjimit të kufirit në mënyrë paqësore. Një shembull i tillë shumë relevant i korrigjimit të kufirit ndodhi vetëm dy vite më parë ndërmjet Holandës dhe Belgjikës. Këto dy shtete arritën ta korrigjojnë kufirin e tyre në mënyrë paqësore pa pasur nevojë të shkrepin qoftë edhe një plumb të vetëm. Në rastin e Kosovës do të kihet parasysh karakteri i shoqërive multietnike. Për më tepër, është vlerë dhe parim fondamental i BE-së. Kosova dhe Serbia duan të bëhen anëtarë të BE-së. Prandaj, në çdo opsion në rast se do të kemi marrëveshje përfundimtare, ne do të sigurohemi që kjo vlerë të ruhet dhe afirmohet", tha Presidenti Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës fton të gjitha institucionet dhe partitë politike të përfshihen në këtë proces, ndërsa, paralajmëroi se në fund të procesit, përmes referendumit, qytetarët mund të vendosin për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Por, nga ana tjetër janë partitë politike opozitare, të cilat në mënyrë kategorike po e kundërshtojnë idenë e Thaçit për shkëmbim teritori apo korgjim të tij.

Është shefi i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili thotë se nuk është momenti për shkëmbim teritoresh dhe sipas tij: "deklaratat e Presidentit janë lojë e tij politike".

"Unë mendoj që nuk është koha për ide të tilla, Kosova është shpallur shtet i pavarur në vitin 2008 në tërësinë territoriale që e ka gëzuar në vitin 1989 dhe pastaj ajo deklaratë e pavarësisë është shpallur në Parlamentin e Kosovës dhe ka marrë, nëse mund të themi, bekimin e drejtësisë ndërkombëtare përmes opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kanë qenë breza të tërë të shqiptarëve në Kosovë që kanë luftuar, derdhur gjak, djersë dhe mund për këtë projekt që e kemi tash edhe ta kenë të qartë të gjithë se projekti i Kosovës së pavarur edhe ky është kompromis për realizimin e interesave të çështjeve kombëtare", citojnë mediet lokale shefin e deputetëve të LDK-së.

Janë edhe deputetë të tjerë që zëshëm e kundërshtojnë Presidentin Thaçi, për idetë e tij.

Deputeti Ilir Deda, nga partia opozitare "Alternativa", i drejtoi një letër të hapur presidentit duke i tërhequr vërejtjen atij, se "politikat për ndryshim të kufijve mund të çojnë në tragjedi njerëzore".

"Ju bëj thirrje publike që pa ekuivokë të tërhiqeni nga aventura të tilla politike dhe të jepni dorëheqje. Dorëheqja e juaj do ta shpëtonte Kosovën nga shkatërrimi, dhe juve do t'ju mundësonte që të jetoni në Kosovë si një ish-udhëheqës dhe qytetar që i ka pranuar gabimet e veta, dhe është penduar për ato", shkroi në letrën e tij, Ilir Deda.

Por, nga ana e tij, deklarimet e presidentit Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj i cilëson vetëm si një "kundërpërgjigje ndaj Serbisë".

"Retorika për kufijtë ose për territoret që ndodh në Kosovë, mendoj se është kundërreagim i një retorike që vjen nga Beogradi, gjoja për të drejtat e Serbisë në Kosovë, më konkretisht për veriun, pra kjo është thjeshtë një kundër reagim. Kjo retorikë nuk e ka qëllimin te prishja e rendit dhe të ligjit dhe të sigurisë në Kosovë, dhe duhet të ndihen të sigurt të gjithë në Kosovë për shkak të kësaj retorike, as serbët e Kosovës, as komunitetet e tjera, por as shqiptarët, nuk duhet të ndihen të rrezikuar. Është retorikë politike, publike, kundër-retorikë e një retorike që vjen", thotë kryeministri Ramush Haradinaj.

Por, analistët politik e cilësojnë mjaft të "çuditshme" dhe të dyshimtë hapjen e debatit në këtë fazë për shkëmbim territori. Blerim Burjani, analist i tha DW-së, se "ky debat është mjaft i rrezikshëm për rajonin, duke pasur parasysh që Ballkani ka plot telashe historike dhe etnike.

"Thaçi është figura më enigmatike dhe më problematike politike dhe më jo transparente në shtetin e Kosovës, për këtë arsye ka shumë zhurmë në Kosovë rreth angazhimit të tij të mëtejshëm në temën e dialogut. Thaçi sillet si të ishte pronar i Kosovës, njejtë sillet edhe Vuçiq në Serbi dhe këta dy njerëz janë kreatorë të këtij debati dhe debateve të tjera siç është korrigjimi i kufijve ndërmjet dy vendeve. Unë mendoj se i vemti kufi është ai vitit 1974 mes Serbisë dhe Kosovës, tjetër nuk duhet diskutuar fare, sepse rrezikojnë integritetin rajonal e shteteror, pra korrigjim s'mund të ketë, është ide e rrezikshme", thotë Blerim Burjani.

Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011.

Janë arritur një sërë marrëveshjesh, por, tash nga Bashkimi Evropian po kërkohet një marrëveshje përfundimtare që do të përmirësonte marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.

Në takimin e fundit që dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq zhvilluan bisedime në Bruksel, megjithëse u shprehën për takim të vështirë, ata u pajtuan që "të intensifikojnë punët në javët në vazhdim", në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. /DW/