Frika e fundjavës

Aktuale August 04, 2018 - 07:50
Lexoni më shumë detaje

Sot do të duhej që ekipi menaxhues ta dorëzojë draftstatutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa ka paralajmërime për shpalljen e autonomisë për pjesën veriore të dielën, në rast se vonohet përgatitja e këtij draftstatuti. Të gjitha këto kanë ngritur frikë në Kosovë, por edhe te Bashkimi Evropian dhe te Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tensione të mundshme gjatë kësaj fundjave. BE-ja dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje për përmbajtje nga të dyja palët, kurse në Kosovë mekanizmat e sigurisë janë përgatitur për reagim në rast nevoje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Paralajmërimet për shpallje të autonomisë së veriut nga serbët të dielen vetëm një ditë pas përfundimit të afatit të Bashkimit Evropian për përgatitjen e draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kanë ngritur frikën për tensione të mundshme gjatë kësaj fundjave. Kjo ka bërë që kryeministri Ramush Haradinaj të premtën të mbledhë Këshillin e Sigurisë së Kosovës për të diskutuar rreth situatës së sigurisë në vend. Ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për përmbajtje nga të dyja palët. Sipas tyre, tensionet mund të dëmtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve, prandaj kanë kërkuar "fleksibilitet" nga të dyja anët. Institucionet e Kosovës kanë thënë se nuk do të ketë autonomi për pjesën veriore, ndërsa njohësit e çështjeve politike, si dhe analistët politikë thonë se mekanizmat e sigurisë duhet të jenë të gatshëm për reagim në rast nevoje. Ata thonë se shpallja e autonomisë nuk do të kishte efekte juridike.  

SHBA: Kosova dhe Serbia duhet të jenë fleksibile

Shtetet e Bashkuara thonë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët dhe të jetë në duart e tyre. Në një deklaratë për radion “Evropa e Lirë”, Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se "SHBA-ja është e gatshme t'i dëgjojë dhe t'i ndihmojë palët në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për qëndrueshmërinë rajonale. Normalizimi po ashtu do t'u hapte rrugë të qartë të dyja vendeve drejt anëtarësimit eventual në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Tani është koha që palët të jenë kreative dhe fleksibile", thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

BE-ja kërkon nga Kosova dhe nga Serbia të mos krijojnë tensione

Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme ka kërkuar nga Prishtina dhe nga Beogradi që të mos ketë tensione në Kosovë, të cilat mund t’i dëmtojnë përpjekjet e përbashkëta për arritje të një marrëveshjeje përfundimtare në mes të të dyja vendeve. “Në kohën kur të dyja palët janë plotësisht të angazhuara së bashku me përfaqësuesen e lartë të BE-së në përcaktimin e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e plotë, BE-ja pret ashtu siç janë dakorduar të dy presidentët gjatë takimit të fundit në nivel të lartë të dialogut më 18 korrik në Bruksel, të mos ketë tensione në terren të cilat do ta rrezikojnë objektivin e përbashkët te normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në një komunikatë për shtyp nga zyra e përfaqësues së lartë të BE-së Federica Mogherini.

Sipas tyre, kjo është e lidhur me dorëzimin e draftit të parë të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që pritet të jetë gati sot. “Ne e kuptojmë se puna për draftin është duke vazhduar. Në të njëjtën kohë BE-ja vazhdon të punojë me të dyja palët për të siguruar implementim e kësaj marrëveshjeje dhe të të gjitha marrëveshjeve tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet tutje në komunikatë.

Maja Kocijançiq, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, ka thënë për gazetën “Zëri” se Marrëveshja e vitit 2013-2015 është baza të cilën e ka për punë ekipi menaxhues. Sipas saj, të dyja palët janë pajtuar në të gjitha kushtet dhe afatet e caktuara, duke përfshirë edhe draftin për Asociacionin.

Sipas saj, ekipi menaxhues ka informuar BE-në për zhvillimin e punës së tyre dhe kjo do të diskutohet ose do të merret parasysh ne takimin e lartë të radhës në Bruksel.

“Ne e dimë që puna për këtë plotësim është në vazhdim e sipër, ndërkohë BE-ja vazhdimisht është duke punuar me të dyja palët për arritjen e kësaj marrëveshjeje pa rrezikuar dialogun mes palëve. Në këtë kohë të dyja palët janë plotësisht të angazhuara me përfaqësuesin e lartë të BE-së për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve. BE-ja pret që ashtu siç kanë rënë dakord të dy presidentët e vendit gjatë takimit të fundit, i mbajtur në Bruksel më 18 korrik, se nuk do të ketë tensione mes palëve që mund të jetë indikator për ta rrezikuar objektivin e përbashkët, që si qëllim është normalizimi i raporteve në mes të dyja shteteve”, ka thënë ajo.

Thaçi: Nuk do të ketë autonomi të veriut, por korrigjim të kufijve

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në konferencën për medie të mbajtur gjatë ditës së

Djeshme, ka thënë që shpallja e autonomisë së veriut nuk do të ndodhë dhe se e gjitha kjo është vetëm një provokim.

“Të punojmë të gjithë, të mos ballafaqohemi me situatë të panevojshme, provokimet në veri ndodhin me aprovime të Beogradit, nuk do të lejojmë cenimin e territorit të Kosovës. Institucionet e Kosovës do ta ruajnë Kushtetutë dhe ligjin, nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as autonomi, as shkëmbim. Unë do të punoj në korrigjimin e kufijve”, ka thënë Thaçi.

Mirëpo sipas tij, do të bëhet e pamundura që Presheva t'i bashkohet Kosovës dhe demarkimi me Serbinë duhet të ndodhë. “Kosova duhet të jetë e gatshme për demarkimin me Serbinë, pra do të jetë 400 km për korrigjim në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pres mbështetje edhe nga NATO-ja në këtë drejtim, duhet të jemi të qartë për kërkesën e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për bashkim. Është një mundësi e papërsëritshme, duhet t'i themi ‘Po’ kësaj kërkese racionale. Do të bëj përpjekje deri në fund që vullneti i tyre të realizohet”, ka potencuar ai.

Haradinaj: Do të përgjigjemi nëse shkelet ligji

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas takimit urgjent me Këshillin e Sigurisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme ka thënë që situata në Kosovë është e qetë, por nëse tentohet që të shpallet autonomia e veriut do të reagojnë organet e vendit.

“Nëse dikush del nga ligjet e Kosovës dhe nga marrëveshja, ligji do të veprojë, nuk ka dilema, do të marrë përgjigjen e vet. Sa i përket veriut, ne çdoherë kemi mirëpritur ardhjen e çdo qytetari të botës te ne dhe po pritet mirë në çdo pjesë të Kosovës, e kushdo që hyn në territorin e Kosovës me qëllim të prishjes së rendit dhe të ligjit do të marrë përgjigje nga ligji ynë. Jemi në gjendje gatishmërie nëse ka prishje të rendit dhe të ligjit”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk do të lejohet marrja e veprimeve të njëanshme as me draftstatutin që sot

pritet t’i dorëzohet Bashkimit Evropian. “Nesër grupi punues mund ta dorëzojë raportin për draftstatutin e Asociacionit. Ne nuk kemi dalë nga obligimet tona të marra në Bruksel, sepse ne kur e marrim raportin duhet të sigurohemi që është në përputhje me ligjet tona. Askush nuk e ka të drejtën të ndërmarrë veprime të njëanshme”, ka theksuar Haradinaj.

Vuçiq lut serbët e Kosovës për gjakftohtësi

Mediet serbe kanë raportuar se sot presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ai përmes një letre të hapur, drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës, ka kërkuar nga ata që ta ruajnë gjakftohtësinë pasi 4 gushti është edhe data kur skadon afati për draftstatutin e Asociacionit. “Një ditë para skadimit të afatit të fundit për obligimet e Prishtinës për themelimin e AKS-së dhe në ditën e 1930-s prej kur Prishtina ka marrë këtë obligim, të gjitha, të gjitha paralajmërimet dhe dyshimet që unë kam shprehur gjatë gjithë kohës janë duke u konfirmuar. Prishtina as kësaj radhe nuk do ta lëvizë gishtin për ta formuar AKS-në. Të dashur serbë, ju lutem mos bëni ndonjë gjë në këtë drejtim, diçka që dikush në mesin e shqiptarëve ose e pjesës së bashkësisë ndërkombëtare do të përdorë si justifikim për të ndërmarrë ndonjë veprim kundër jush”, thuhet në letrën e Vuçiqit.

Tutje Vuçiq ka thënë thënë se ruajtja e paqes në Kosovë është detyrë parësore e “NATO-s prej së cilës pret dhe kërkon që ta bëjë një gjë të tillë "Ruajtja e paqes në krahinën tonë jugore është gjithashtu detyra parësore e misionit të KFOR-it dhe e NATO-s, nga të cilët unë veçanërisht pres dhe kërkoj që paqja të mbrohet duke parandaluar çdo përpjekje të mundshme, qoftë me ndonjë pretekst, ta marrin nga ju hidrocentralin Gazivoda ose ndonjë objekt tjetër kyç të infrastrukturës, nga të cilët varet  ekzistenca juaj”, thuhet tutje në këtë letër.

Driton Selmanaj: Kësaj iniciative duhet t’i përgjigjemi në mënyrë shtetërore

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për gazetën “Zëri” ka thënë që përgjegjëse për këtë situatë është Qeveria e Kosovës dhe ajo duhet të ndërmarrë veprime.

“Për këtë çështje duhet të përgjigjet Qeveria e Kosovës sepse ajo ka themeluar grupin për draftstatutin e Asociacionit dhe çdo tendencë tjetër bie në kundërshtim me qasjen dhe me punën që e bëjnë institucionet e Kosovës, prandaj kur dikush ndërmerr veprime që janë në kundërshtim me agjendën tonë shtetërore, atëherë shteti i Kosovës do t'i japë përgjigje të merituar”, ka thënë Selmanaj.

Tutje sipas Selmanajt, nëse veriu shpall autonominë kjo do ta tensiononte situatën dhe do të humbte kuptimin e dialogut. "E pamë Listën Serbe në vizitë te kryeministri, e pamë që edhe personi i cili ka vepra penale, nënkryetari i kësaj partie Radojçiq, duke biseduar me kryeministrin. Qeveria duhet të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur çdo iniciative të tillë të cilat dalin përtej agjendës shtetërore, ata kanë komunikim me Qeverinë. Uroj që diçka e tillë të mos ndodhë sepse nëse ndodh do të tensionohet situata në veri e do të bllokohet procesi i bisedimeve dhe procesi i dialogut e humb kuptimin për një fazë të pacaktuar", ka theksuar ai.

KDI: Autonomia e veriut nuk duhet lejuar të ndodhë

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), për “Zërin” ka thënë që deklaratat për shkëmbim të territoreve u kanë prirë kërcënimeve për shpalljen e autonomisë së Kosovës. “Asociacioni dhe shpallja e autonomisë së veriut nuk duhet të jenë të drejtuara bashkërisht sepse autonomia e veriut ose ndarja e Kosovës nuk është dashur të jetë opsion i çfarëdolloj marrëveshjeje, megjithatë po duket që kemi ardhur në një situatë të tillë që komuniteti serb është kërcënuar në njëfarë mënyre me shpalljen e autonomisë nëse nuk bëhet Asociacioni. Tani apetitet për punët e Asociacionit janë rritur edhe më tepër kur në lojë kanë hyrë edhe këto diskurset për këmbim të territoreve, këtu përfshihet edhe kërkesa për autonomi të veriut”, ka thënë Murati.

Tutje Murati kërkon nga institucionet që të jenë sa më vigjilente në këtë situatë për të mos lejuar që diçka e tillë të ndodhë. “Konsideroj se institucionet e vendit duhet të jenë sa më shumë vigjilente dhe duhet t’i marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të mos lejohet të ndodhë një gjë e tillë. Deklaratat e fundit të presidentit Thaçi për demarkimin me Serbinë e kanë nxitur edhe më tepër, sepse sipas të gjitha gjasave pas takimit të fundit me presidentin e Serbisë, ku vetëm se u deklarua se ka qenë një takim shumë i vështirë dhe me gjasë janë diskutuar edhe këto ide”, ka thënë Murati.

 

Demhasaj: Serbët po kërkojnë asociacion me kompetenca ekzekutive

 

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, për gazetën “Zëri” ka deklaruar se zgjedhja e datës së  4 gushtit për të shpallur autonominë e veriut ka lidhje me skadimin e afatit për dorëzimin e draftstatutit për Asociacionin e Komunave Serbe.

“Mund të ketë lidhje pasi kalon afati për t’u nënshkruar drafti i parë i statutit të Asociacionit dhe mund të ketë lidhje direkte me atë që këta me siguri kanë marrë vesh se çfarë përmban ai draft dhe me siguri nuk janë të kënaqur me atë se çfarë përmban ai draft, se çfarë është bërë nga ana e Qeverisë sonë dhe si kundërreagim mund ta shpallin autonominë e territorit të veriut, pikërisht sepse janë të pakënaqur me draftin fillestar”, ka thënë ai.

Sipas tij, një kërcënim i tillë është presion për qeverinë “Haradinaj” që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive. “Ky veprim nuk mund të prodhojë pasoja sepse është i njëanshëm. Kjo mund të jetë si një lloj presioni që i bëhet Qeverisë që në dialog të ketë Asociacioni më shumë kompetenca. Derisa nuk bëhet kjo pjesë e dialogut në mes të dyja vendeve nuk mund të prodhojë pasoja, por në rast se kjo bëhet pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, atëherë ne obligohemi ta zbatojmë atë marrëveshje dhe ajo mund të prodhojë pasoja juridike edhe për qytetarët që mund të jenë edhe në pjesën e veriut”, ka potencuar Demhasaj.

Qehaja: KFOR-i është përgjegjës për integritetin territorial

 

Eksperti i çështjeve të sigurisë Ramadan Qehaja ka thënë se masat e marra nga institucionet janë plotësisht të arsyeshme sepse ka mundësi që serbët ta shpallin autonominë. “Në veri të Kosovës serbët janë të gatshëm për të shpallur një lloj autonomie atje, edhe pse kjo autonomi nuk ka ndonjë efekt juridik sepse Kushtetuta jonë nuk e lejon një gjë të tillë, por duke e ditur taktikën e veprimit të tyre ata kanë menduar që ta bëjnë një shkëputje dhe kur kjo të ndodhë atëherë ajo duhet të përkrahet me forca dhe me mjete të dhunës sepse vetëm Serbia zyrtare mund t'i përdorë, sepse ky paralajmërim është i sigurt”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Mirëpo sipas tij, përgjegjës për integritetin e Kosovës është KFOR-i dhe ata nuk do të lejojnë cenim të integritetit. “Nuk është e çuditshme që kjo mund të ndodhë duke i marrë parasysh veprimet e Serbisë qe 19 vjet, prandaj masat e Qeverisë dhe të Presidencës për rritjen e gatishmërisë vepruese të sigurisë janë me vend. Ne si shtet nuk do të rrimë duarkryq edhe pse duhet theksuar se për mbrojtjen e integritetit territorial është përgjegjës NATO-ja, përkatësisht KFOR-i dhe ata besoj që kanë ndërmarrë masa në këtë drejtim, kanë bërë disa dislokime të forcave dhe të mjeteve dhe nuk do të lejojnë që diçka të ndodhë”, ka përfunduar Qehaja

Image