Gjuriq: Serbët në Kosovë nuk do ta shpallin autonominë

Aktuale August 03, 2018 - 22:26
Zmbrapset Serbia

Askush nga serbët në Kosovë nuk do të ndërmarr asgjë që do të sillte reagim të shqiptarëve apo të një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që kundër serbëve të ndërmerr ndonjë aksion.

Këtë e ka thënë sonte i ashtuquajturi shef i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq.

Ai në ditarin e RTS-it ka thënë se qytetarët në Kosovë me lehtësim e kanë pranuar mesazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili i ka ftuar serbët që “mos të bien në provokime të shqiptarëve”.

“Askush nga serbët në Kosovë nuk do të ndërmarrë asgjë, as lidhur me Asociacioni e as diçka tjetër që do të nxiste përgjigje të shqiptarëve dhe një pjese të bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrin aksion kundër tyre”, ka thënë Gjuriq, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, në fushatën dezinformuese për Kosovën po marrin pjesë edhe disa përfaqësues minor të serbëve nga Kosova dhe këtë po e bëjnë, sipas Gjuriqit, drejtpërdrejt për llogari të Prishtinës.

“Sipas njohurive tona ata (serbët e përmendur më lartë) po punojnë edhe për shtete të huaja, flasin për skenarë të përleshjeve të paracaktuara. Këto tregime duhet t’ju krijojnë alibi shqiptarëve”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, serbët nuk kanë arsye të brengosen.

“Ata të cilët po përhapin dezinformata nuk po punojnë në interes të shtetit tonë, por në interes të Prishtinës”, ka përsëritur ai, duke aluduar në deklaratat e kryemurgut serb të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq i cili ka thënë se më 5 gusht serbët pritet të shpallin autonominë dhe më pas do të ndërhyjë Prishtina me forcat e armatosura.