Abdixhiku: Thaçi e ka vënë në pazar territorin

Aktuale August 03, 2018 - 18:30
Lexoni më shumë detaje

Pas konferencave për media të njëpasnjëshme të Presidentit, Hashim Thaçi në të cilat po diskuton për fazën përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi, ka reaguar deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai konsideron se Thaçi nuk përfaqëson pikëpamjet politike të Kosovës dhe qëndrimet e tij i quan aventura të rrezikshme.

Abdixhiku thotë se Thaçi e ka vënë në pazar territorin e Kosovës dhe se veprimet e tij përbëjnë shkelje kushtetuese për çka do të mbahet përgjegjës.

Statusi i plotë i Abdixhikut:

Një President që haptas vë në tezga pazaresh territorin e vet; që konteston sovranitetin e njohur nga shumica e shteteve sot; që zhvlerëson kaq lehtë opinionin e GJND-së – nuk përfaqëson interesat e as pikëpamjet politike të Kosovës shtet të pavarur e sovran.

Qëndrimet e Hashim Thaçit janë aventura të rrezikshme politike që godasin drejtëpërdrejtë themelet e Republikës sonë.

Veprimet e tij naive përbëjnë shkelje të rëndë kushtetuese, për çka i njëjti do të mbahet përgjegjës.

Ndërkombëtarët dhe secili tjetër me interes, ta kuptojnë se rrethanat politike në Kosovë kanë ndryshuar.

Në vitin 2018 përfaqësimi parlamentar e refuzon këtë individ. I njëjti është veçse figurë ceremoniale që mund të shpërndajë dekorata; kaq.

Ai nuk ka mbështetje minimale parlamentare pas.