Thirrje antishqiptare në manifestimin e organizuar nga Ivanovi

Aktuale August 02, 2018 - 17:11
Lexoni më shumë detaje

Me thirrjet antishqiptare “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, një pjesë e të pranishëmve e përcollën ceremoninë e vendosjes së luleve në "Meçkin Kamen" në Krushevë, me rastin e festimit të kryengritjes së Ilindenit (të vitit 1903), dhe kjo ndodhi para syve të presidentit maqedonas, Gjorge Ivanov.

Televizioni Alsat-M njoftoi se e ka kontaktuar presidencën, e cila ishte organizatore e manifestimit, por nga ky institucion nuk e panë të udhës as edhe të distancohen nga thirrjet raciste antishqiptare, ndërsa sipas Kushtetutës presidenti duhet të jetë figurë unifikuese në shtet, ndërsa thirrjet u bënë në festën e Ilindenit.

Qeveria e Maqedonisë, ndërkaq, i dënoi thirrjet e manifestuara raciste në ditën e shënimit të 2 gushtit.

"Qeveria e Republikës së Maqedonisë i dënon thirrjet për urrejtje dhe dhunë, që janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe u bën thirrje institucioneve kompetente t’i hetojnë këto dukuri dhe të marrin masa adekuate. Ilindeni është ditë për bashkim dhe jo ndarje", thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Nga ana tjetër, atmosferë krejtësisht e ndryshme mbretëronte në manifestimin në Pelincë, ku gjtihasthu u kremtua festa e 2 Gushtit, apo, siç njihet, e dy Ilindenëve - njërit të vitit 1903, kur u bë kryengritja kundër pushtuesit turk, dhe tjetra e vitit 1943, kur u vendos krijimi i "Republikës  Popullore Socialiste të Maqedonisë", në kuadër të Jugosllavisë së atëhershme.

Në kremtmin e konferencës së përvjetorit të Këshillit Antifashist të Wlirimit Kombëtar të Maqedonisë (KAÇKM, apo ASNOM), në Pelincë, pos këngëve dhe valleve maqedonase, në këtë organizim të Qeverisë, u shfaqën edhe valle shqipe dhe ato të bashkësive të tjera etnike në vend.

Presidenti Ivanov në festën e Ilindenit u paraqit para qytetarëve me një fjalim të ashpër kundër pushtetit.

Ai ashpër kundërshtoi Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, e cila, sipas Ivanovit, e ridefinon shtetin dhe e nënshtron atë ndaj Greqisë si dhe e fshin identitetin dhe historinë maqedonase.

"Të nderuar bashkëqytetarë, treguesi më i madh për vlerat e një populli është konsensusi rreth asaj që nuk është në shitje. Emrin e kemi të madh. Do të duan të na marrin, parashikoi Bllazhe Koneski. A me Marrëveshjen e dëmshme greke, ne vetë vullnetarisht do ta japim emrin?! Çështja e emrit dhe identitetit është më e vjetër se secila Kushtetutë, se secila Qeveri, se secili President. Madje është më e vjetër se shteti. Asnjë individ, nga asnjë gjeneratë nuk ka të drejtë të bëjë tregti me këtë emër dhe me këtë identitet", deklaroi Ivanovi.

Edhe përskaj faktit se NATO-ja ka garantuar anëtarësimin e vendit sapo ta finalizojë Marrëveshjen me Greqinë, Ivanov theksoi disa herë se marrëveshja nuk garanton me automatizëm integrim të vendit në NATO dhe BE.

“Çfarë na duhet prosperiteti, pa identitet?!” me këtë pyetje retorike Ivanov iu drejtua edhe ndërkombëtarëve, të cilët sipas tij, duan ta bindin popullin të vetë-shuhet.

Me këtë marrëveshje fshihet identiteti maqedonas. Shumë herë u munduan të na imponojnë identitet të huaj, por nuk patën sukses, sepse ekzistenca jonë nuk varet nga to, por nga vetë ne. Prandaj tani na bindin vetë të shuhemi vetë. Prandaj tani duan ta bindin popullin maqedonas të bëjë vetëvrasje historike dhe juridike -tha Gjorge Ivanov, President.

Maqedonia feston Ditën e Republikës 2 gushtin dhe dy Ilindenët - 115 vjetorin e fillimit të Kryengritjes së Ilindenit dhe 74 vjetorin e KAÇKM-së.