Shëndetësia, e politizuar

Aktuale August 01, 2018 - 08:07
Lexo detajet

Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të jetë i ndikuar politikisht e në këtë kapje të shëndetësisë është e përfshirë edhe Partia Demokratike e Kosovës, si dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Kështu ka rezultuar hulumtimi i bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), si dhe “Transparency International” me titull “Kapja e shtetit në Kosovë, tregtimi i shëndetit publik për përfitime private”.

Në raportin e publikuar shkruan se në pozita të larta në sektorin e shëndetësisë janë vënë të afërm të kryeministrit Ramush Haradinaj, si dhe persona që kanë lidhje me Partinë Demokratike të Kosovës. Sipas raportit, ish-drejtori i Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Curr Gjocaj, ka pasur lidhje me PDK-në ndërsa një afërm i kryeministrit Ramush Haradinaj është caktuar në një pozitë kyçe për menaxhimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, e ky person sipas raportimeve është i papërvojë. Për më shumë, në hulumtim thuhet se nga 114 shërbyes civilë që punojnë në ministritë e Qeverisë, numri më i madh i tyre është i punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Përveç ndikimeve politike ka pasur edhe punë të cilat janë bërë për interesat private të disa personave e një nga to është edhe referimi i pacientëve për në klinikat private.

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, në prezantimin e raportit “Kapja e shtetit në Kosovë” ka thënë se edhe kompanitë e ndryshme ndikojnë në politikat e shtetit për të përfituar privatisht.

Ndërsa Mona Niemeyer, nga “Transparency International”, ka deklaruar se përmes kapjes së shtetit dhe nivelit të lartë të korrupsionit vendimet e institucioneve nuk janë në interes të publikut. Sipas saj, Strategjia e Re e Zgjerimit të BE-së ka sqaruar se anëtarësimi i Kosovës në BE do të jetë i mundur vetëm nëse mbizotëron zbatimi i ligjit.

Ish-ministri i Shëndetësisë: Ka pasur politizim në zgjedhjen e drejtorëve të spitaleve

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë për “Zërin” se gjatë mandatit të tij ka pasur politizime në këtë sektor. “Nëse themi se nuk ka sferë që nuk është e politizuar, nuk kemi thënë asgjë të re për realitetin kosovar. Ka periudha  ku ndikimi i politikës ishte më pak i shprehur sikurse ka parti politike që janë më tolerante ndaj individëve që nuk i kanë përkrahës. Kjo është periudha e qeverisë ‘Mustafa’ dhe e LDK-së si parti. Tek e fundit anëtarësia na zë për të madhe se pse ne nuk jemi si të tjerët”, ka thënë ai.

Rahmani ka deklaruar se ndikime politike ka pasur edhe këtë vit në përzgjedhjen e drejtorëve të klinikave dhe të spitaleve. “Nuk mund të themi se kemi qenë krejtësisht pa presion të caktuar, por ia kemi dalë me sukses të menaxhojmë situata ku kemi përkrahur ekspertët në marrjen e përgjegjësive. Fatkeqësisht ajo periudhë përfundoi dhe tash politizimi po vërehet në vrazhdësinë e vet. Shembull kemi ndryshimet në prokurim, në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe sidomos në emërimin e drejtorëve në spitalet e përgjithshme dhe në klinikat brenda SHSKUK-së”, ka thënë ai.

Baftiu: Që nga paslufta shëndetësia është e politizuar

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu, ka thënë për “Zërin” se sistemi i shëndetësisë në Kosovë që nga paslufta e deri më tani ka qenë i ndikuar politikisht. “Sistemi i shëndetësisë dhe të gjitha sistemet qysh prej pasluftës janë ndikuar prej politikës. Në vazhdimësi udhëheqësit, drejtorët, shefat e reparteve janë përzgjedhur prej politikës, prej subjektit i cili ka qenë i atij mandati të Qeverisë, po vazhdon kjo politikë e njëjtë sa i përket përzgjedhjes së menaxhmenteve qoftë edhe të spitaleve dhe të reparteve”, ka thënë ajo. Sipas saj, ndikimet politike e kanë dëmtuar sistemin shëndetësor. “E kanë dëmtuar shëndetësinë në vazhdimësi. Sikur të përzgjidheshin personat që e meritojnë qoftë në menaxhim, qoftë në të gjithë sektorët atëherë nuk do të ishim këtu ku sot është shëndetësia dhe kjo e dëmton sistemin shëndetësor, duke filluar nga shtëpitë e shëndetit publik e deri te Shërbimi Klinik Universitar”, ka theksuar ajo. Baftiu ka konsideruar se edhe buxheti për shëndetësi që është ndarë vit pas viti ka qenë i vogël, duhet që të bëhet një menaxhim i tij. “Buxheti nuk është i mjaftueshëm sepse jemi vendi i vetëm në rajon që ndajmë për kokë banori më së paku për shëndetësi. Këtë vit në buxhetin që është paraparë ka një rritje diku 200 milionë euro dhe ka përmirësim sa i përket rritjes së buxhetit, mirëpo nuk po shihet kjo në praktikë sepse ende po mungojnë barnat, materiali shpenzues, do të thotë se kjo ka të bëjë edhe me menaxhimin”, ka thënë ajo.

Ndërsa anëtarja e Komisionit për Shëndetësi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se po e mbajnë Ministrinë e Shëndetësisë në presion për parregullsitë që ata po i hasin. “Krejt ajo çfarë kemi kundërshtuar që pas luftës është ajo që shëndetësia nuk është në nivelin e duhur, nuk ka shërbime dytësore dhe qytetarët po ballafaqohen me mungesa të barnave dhe të shërbimeve shëndetësore gjë që ishte dashur t’i sigurojë Ministria e Shëndetësisë.  Ne po e mbajmë në presion ministrin, qoftë për listën esenciale të barnave, qoftë për shërbime dhe për parregullsitë që ne po i hasim”, ka thënë ajo për gazetën./ZËRI