'Thaçi e Vuçiqi nuk mund të merren vesh për ridefinim të kufijve'

Aktuale July 31, 2018 - 11:50
Lexo detajet

Njohësi i çështjeve politike, Agron Halitaj, ka konsideruar se pala kosovare asnjëherë nuk e ka tematizuar problemin e shqiptarëve në Luginë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme që kanë ardhur nga Kosova Lindore, që edhe ata të bëheshin pjesëmarrës në bisedimet e Vjenës e të Brukselit, shkruan "zëri.info".

“Thaçi tash mund ta hedhë në tavolinë çështjen e Luginës më tepër për çështje strategjike, për  të treguar se nuk e ka të lehtë të bëjë ndonjë marrëveshje të dëmshme për Kosovën, se sa që vërtet është i interesuar ta zgjidhë problemin e Luginës”, ka deklaruar ai për "Zerin".

Sipas tij, çështja e Luginës së Preshevës është injoruar në të gjitha proceset e bisedimeve për dhe rreth Kosovës.

“Pala kosovare asnjëherë nuk e ka tematizuar problemin e shqiptarëve në Luginë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme që kanë ardhur nga Kosova Lindore, që edhe përfaqësuesit e komunave të banuara me shqiptarë në Serbi, të bëheshin akterë në bisedimet e Vjenës, e më pas edhe në këto të Brukselit. Kërkesa e tyre nuk është se ka ndryshuar tash kur rolin prijës në bisedime me Serbinë e ka marrë Hashim Thaçi, por ajo është përsëritur në mënyrë të parreshtur ndër vite, që Luginës së Preshevës të mos i jepet asgjë më shumë se ajo që ajo u është dhënë apo që do t’u jepet serbëve në veri të Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, opsioni i ndarjes apo edhe i shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë sipas tij, i tejkalon vullnetet e palëve dialoguese në Bruksel. 

“Thaçi e Vuçiqi nuk mund të merren vesh për ridefinim të kufijve, pasi për këtë çështje ende ekziston ‘vija e kuqe’ e vënë nga Grupi i Kontaktit. Ndryshimi i kufijve në cilëndo hapësirë të ish- Jugosllavisë shkakton efektin domino në rajon, pasojat e të cilit janë vështirë të parashikueshme. Derisa çështja e ndarjes apo e shkëmbimit të territoreve nuk hapet nga shtetet që e kanë sponsoruar pavarësinë e Kosovës, nuk ka rrezik se mund të ndodhë diçka e tillë”, ka theksuar ai.

E gjithë zhurma rreth këtyre dy opsioneve siç Halitaj është shprehur, bëhet për ta bërë më lehtë të pranueshme një lloj autonomie serbe brenda shtetit të Kosovës, si zgjidhje kompromisi mes palëve./Zeri