Ja kur pritet të paraqiten viktimat e para të Gjykatës Speciale

Aktuale July 30, 2018 - 16:29
Lexo detajet

Viktima të të gjitha llojeve të krimeve që do të trajtohen nga Gjykata Speciale, siç i referohen në Kosovë Dhomave të Specializuara, janë lajmëruar në Hagë.

Secili ka një histori lufte për të rrëfyer para drejtësisë.

Disa prej tyre tashmë kanë vënë kontakt me shefen e zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave Silke Studzinsky, e cila rrëfen ekskluzivisht për Gazetën inFokus, punën e saj që do të ketë me ata të cilët kanë pësuar nga krimet e mundshme në Kosovë.

Ajo është në pritje të publikimit të aktakuzave të para për të ditur saktësisht akuzat dhe vendet e krimit.

“Pastaj, njerëzit që kanë pësuar dëm si rezultat i një prej krimeve në aktakuzë mund të aplikojnë për t’u bërë viktimë pjesëmarrëse”, tregon Studzinsky për inFokus, e cila vazhdimisht i inkurajon të dëmtuarit që të mos kenë frikë të flasin.

Sipas saj viktimat mund të aplikojnë menjëherë pas publikimit të aktakuzave, që do të thotë se ata mund të kontribuojnë në një rast tashmë të përgatitur nga prokuroria.

Por, çfarë do të ndodhë me viktimat e tjera që nuk do të kenë mundësi të dëshmojnë nëse nuk do të ketë aktakuzë për “agresorët” e tyre?

Në këtë intervistë, Studzinsky tregon në detaje arsyet përse një pjesë e vuajtjeve të qytetarëve gjatë luftës në Kosovë nuk do të mund të gjykohet.

“Kuadri ligjor i dhomave të specializuara të miratuara nga Kuvendi i Kosovës nuk parasheh një rol për viktimat gjatë hetimeve. Viktimat mbështeten në përzgjedhjen e krimeve dhe të dyshuarve të lidhur, të identifikuar nga Prokurori i Specializuar”, tregon ajo për të rrëfyer në hollësi punën që do të ketë deri në përfundim të mandatit të Gjykatës Speciale.

inFokus – Cili është roli i Zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave?

Silke Studzinsky- Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave (ZPP) është pjesë e zyrës Administrative, që është organi përgjegjës për administratën dhe shërbime të tjera në Dhomat e Specializuara.

Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave administron sistemin e Pjesëmarrjes së Viktimave, listën e avokatëve të viktimave dhe sistemin e pagesës për përfaqësimin ligjor të viktimave.

Përveç kësaj, zyra ime mund të ofrojë ndihmë për viktimat në lidhje me procedurat penale.

inFokus – Si do ti arrini viktimat e krimeve që mund të kenë ndodhur 20 vjet më parë?

Silke Studzinsky- Deri më tani nuk e di kush janë viktimat. Vetëm kur një padi bëhet publike do ti dimë akuzat dhe vendet e krimit. Pastaj, njerëzit që kanë pësuar dëm si rezultat i një prej krimeve në aktakuzë mund të aplikojnë për t’u bërë viktimë pjesëmarrëse.

Për momentin, unë u drejtohem komuniteteve të ndryshme dhe i informoj ata për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe sistemin e pjesëmarrjes së viktimave.

inFokus –  A besoni se të gjitha viktimat do të jenë në gjendje t’ju kontaktojnë me anë të postës elektronike ose postës direkte? Si do t’i bëni të aplikojnë për statusin e viktimës?

Silke Studzinsky- Viktimat e mundshme të krimeve mbi të cilat kanë juridiksion Dhomat e Specializuara mund të jetojnë në Kosovë apo gjetkë. Unë vazhdoj t’i drejtohem viktimave të mundshme dhe përfaqësuesve të këtyre komuniteteve. Sapo aktakuza të bëhet publike, personat do të jenë në gjendje të aplikojnë përmes një formulari aplikimi. Mesazhi do të shpërndahet jo vetëm në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara, por edhe përmes mediave të tjera. Përveç kësaj, po punojmë në ndërtimin e një rrjeti me OJQ-ve që lidhen me komunitete të ndryshme në Kosovë.

Shpresoj që të gjithë ata që janë viktima të krimeve që do të akuzohen do të jenë të informuar mjaftueshëm në mënyrë që ata të mund të shfrytëzojnë forma të ndryshme për të marrë aplikacionet në zyrën time në Hagë.

inFokus – A mund të jenë viktimat edhe dëshmitarë në të njëjtën kohë?

Silke Studzinsky- Po, kjo është e mundur. Ata mund të aplikojnë për t’u bërë viktimë pjesëmarrëse me një numër të të drejtave në procedurë. Në të njëjtën kohë, njëra nga palët mund të vendosë t’i thërrasë ata si dëshmitarë.

inFokus – Për aq sa dimë, viktimat mund të aplikojnë menjëherë pas publikimit të aktakuzave, që do të thotë se ata mund të kontribuojnë në një rast tashmë të përgatitur. Çfarë do të ndodhë me viktimat e tjera që nuk do të kenë mundësi të dëshmojnë nëse nuk do të ketë aktakuzë për “agresorët” e tyre?

Silke Studzinsky- Kuadri ligjor i dhomave të specializuara të miratuara nga Kuvendi i Kosovës nuk parasheh një rol për viktimat gjatë hetimeve. Viktimat mbështeten në përzgjedhjen e krimeve dhe të dyshuarve të lidhur, të identifikuar nga Prokurori i Specializuar.

Në lidhje me politikën dhe strategjitë e prokurorisë, do të ishte e përshtatshme të diskutohej me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Duhet të rikujtoj se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion mbi krimet e kryera ose të filluara në Kosovë gjatë periudhës përkatëse nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000 dhe që kanë të bëjnë me të ashtuquajturën Raporti i Dick Marty.

Ligji i jep Prokurorit të Specialuzuar autorizimin për të zgjedhur rastet që do t’i sjell Gjykatësit të Procedurës Paraprake.

inFokus – A është paraqitur ende ndonjë viktimë në zyrën tuaj dhe pse?

Silke Studzinsky – Viktima të të gjitha llojeve të krimeve kanë kontaktuar me mua për të marrë informacion në lidhje me sistemin e pjesëmarrjes së viktimave. Vetëm pasi të jetë konfirmuar dhe publikuar aktakuza ne do ti dimë akuzat dhe rrjedhimisht kush mund të bëhet viktimë pjesëmarrëse në procedurë.

inFokus – Shumica e njerëzve në Kosovë kanë frikë të flasin për krimet e mundshme të zyrtarëve të UÇK-së. Çfarë ju bën të besoni se viktimat nuk do të kenë frikë të flasin?

Silke Studzinsky- Është shumë e rëndësishme të kuptohet se sipas Rregullores së Punës së Dhomave të Specializuara, formularët e aplikimit do të mbahen konfidencial. Ato nuk do t’i zbulohen Mbrojtjes apo Prokurorisë. Kjo do të thotë që nëse viktimat nuk duan të zbulojnë se ata kanë aplikuar për pjesëmarrje, identitetet e tyre do të mbrohen nga zbulimi.

Në këtë rast, megjithatë, ata duhet të jenë gjithashtu të kujdesshëm dhe të mos ndajnë me këdo faktin (informacionin) se po marrin pjesë.

Natyrisht, pjesëmarrja e viktimave është vullnetare. Shpresoj shumë që më shumë viktima do të aplikojnë për pjesëmarrje sapo të kuptojnë se nuk janë vetëm dhe se janë shumë.

inFokus – Në histori, të gjithë kriminelët i njohin viktimat e tyre. A mendoni se zyrtarët e dyshuar të UÇK-së mund të arrijnë viktimat para jush dhe t’i detyrojnë ata të mos flasin?

Silke Studzinsky- Siç tregojnë rastet nga gjykatat dhe tribunalet e tjera, nuk është domosdoshmërisht rasti që autorët e veprave penale i njohin viktimat që do të marrin pjesë në procedurë. Për shkak të pozicionit dhe vendndodhjes së tyre, disa keqbërës nuk mund të dinë identitetin aktual të viktimave.

Për më tepër, mund të ndodhë që më shumë viktima “indirekte” do të aplikojnë dhe t’u jepet e drejta për pjesëmarrje – për shembull, anëtarët e familjes së atyre që kanë vuajtur  drejtpërdrejt nga krimet. Shpesh, ata nuk do të dinë se çfarë ka ndodhur, dhe në këtë rast, ata nuk do të bëhen dëshmitarë të fakteve.

Përveç kësaj, nëse viktimat ose dëshmitarët kërcënohen ose frikësohen, kjo mund të çojë në ndjekje penale për krime kundër administrimit të drejtësisë, të cilat janë krime mjaftë serioze.

inFokus – Si do ti mbroni viktimat?

Silke Studzinsky-  Procesi i aplikimit siguron disa mbrojtje sepse aplikimet nuk do të zbulohen për publikun, as për Mbrojtjen dhe Prokurorinë.

Nëse dëshmojnë si dëshmitarë, ata do të gëzojnë masa të plota mbrojtëse që Dhomat e Specializuara kanë në dispozicion, me mësimet e nxjerra nga përvojat e mëparshme.