Serbia do të bëjë hetime për ndikimin e bombardimeve të NATO-s në shëndetin publik

Aktuale July 30, 2018 - 15:17
Lexo detajet

NATO-ja i nisi sulmet ajrore në Serbi më 24 mars 1999, pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi Presidenti jugosllav i asaj kohe, Sllobodan Millosheviç, nuk pranoi të nënshkruante një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës së forcave të tij me shqiptarët e Kosovës, që kërkonin pavarësinë

Në Serbi, një komision parlamentar do të nisë hetimin për efektet e dyshuara që mund të ketë pasur në shëndetin publik përdorimi i municioneve me uranium të varfëruar në bombardimet që NATO kreu në vitin 1999, gjatë konfliktit të Kosovës.

Kryetari i komisionit parlamentar serb, Darko Laketiç, i ka thënë gazetës së përditshme “Politika” se hetimi i ndikimit të dyshuar në shëndetin publik të bombardimeve të NATO-s do të fillojë në qytetin jugor të Vranjës, raporton “BalkanInsight”.

“Nëse uraniumi nuk është i dëmshëm, pse shpenzohen kaq shumë para për të ruajtur atë, pse nuk hidhet në mjedis siç është?”, pyet Laketiç në mënyrë retorike.
I pyetur nëse pjesë e komisionit do të jenë ekspertë që nuk pajtohen me dyshimin se uraniumi i varfëruar shkaktoi dëme në Serbi, Laketiç u përgjigj se dëmi i tij është “përtej dyshimit”.

LEXO EDHE: Senati Amerikan miraton marrëveshjen për ekstradim mes Kosovës dhe SHBA-së

Raporti i parë paraprak i komisionit pritet deri në fund të vitit 2020.
Mediat serbe fajësojnë gjerësisht bombardimet e NATO-s për rritjen e numrit të pacientëve me tumor kohët e fundit, duke injoruar kështu faktin se uraniumi i varfëruar është përdorur pothuajse ekskluzivisht në Kosovë.

Ekspertët kanë kundërshtuar pretendimet se uraniumi i varfëruar i ka dëmtuar serbët dhe mohojnë se ka një epidemi të kancerit në Serbi.

“Çdo vit ne përdorim plehra fosfate me më shumë uranium se sa ai që u hodh në 1999-n”, thotë epidemiologu Zoran Radovanoviç në një debat të transmetuar nga televizioni serb RTS, në maj.

Komisioni serb, i krijuar në maj, u modelua pas një hetimi parlamentar italian që përcaktoi se uraniumi i varfëruar u bë shkak për shfaqjen e kancerit te disa ushtarë italianë që kanë shërbyer në misione jashtë vendit.

Por mjeku, i cili u citua në raportin e komisionit parlamentar italian, tha më vonë se ai keqkuptuar dhe mohoi pretendimet se ekziston një lidhje midis kancerit dhe uraniumit të varfëruar.

NATO-ja i nisi sulmet ajrore në Serbi më 24 mars 1999, pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi Presidenti jugosllav i asaj kohe, Sllobodan Millosheviç, nuk pranoi të nënshkruante një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës së forcave të tij me shqiptarët e Kosovës, që kërkonin pavarësinë.

Human Rights Watch vlerëson se deri në dorëzimin e Millosheviçit 78 ditë pas nisjes së sulmeve, numri i të vdekurve arriti në 500.