''Për dialogun vendos BE-ja, ndarja e Kosovës është në tavolinë''

Aktuale July 30, 2018 - 11:41
Lexoni më shumë detaje

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës është duke u debatuar për dialogun me Serbinë.

Deputeti nga rradhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka ka akuzuar deputetët të cilët po dalin kundër rolit udhëheqës të presidentit Hashim Thaçi, se të njëjtit dalin kundër ardhmërisë së Kosovës, raporton lajmi.net.

“Disa thirren në histori e disa në liderë politik, po të ishte gjallë Rugova jam i sigurit që shumë deputetë nuk do të diskutonin për dialogun. Ju që po thirreni në histori e që po e shani Hashim Thaçin e që vet e keni zgjedh, sot jeni qu araz me thënë ne po e shajmë atë, ju nuk po e shani Hashim Thaçin, ju nuk po e shani presidentin, po e shani ardhmërinë e Kosovës”, deklaroi Zeka.

Sipas Zekës, përfaqësimin në dialog e vendos Brukseli zyrtar dhe Uashingtoni, dhe jo dikush tjetër.

“Dialogun e vendos Brukseli dhe Uashingtoni, ju nuk e kuptoni që nëse Serbia e çon presidentin Kosova duhet ta çoj presidentin, dhe nëse Serbia e çon kryeministrin edhe Kosova duhet ta çojë kryeministrin”, shtoi tutje Zeka.

Tutje, duke folur për mundësinë që në tavolinën e bisedimeve të hidhet edhe çështja e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve, ai tha se një gjë e tillë është e sigurtë se do të ndodhë, dhe se deklaratat e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit, nuk kanë ardhur rastësisht.

“Lind pyetja a do të jetë në tavolinë çështja e ndarjes së Kosovës, unë ju them që po, sepse ka qenë ndarja dhe është ndarja. Edhe shkëmbimi i territoreve, Lutfi Haziri nuk është budalla dhe nuk ka folur personalisht. Mos me ja pas thanë një ndërkombëtar Lutfi Hazirit këtë çështje ai nuk do të fliste për këtë punë”, ka thënë Zeka.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës, debatin për dialogun me Serbinë po e vazhdon pas ndërprerjes së seancës së të enjtes, e cila u ndërpre për shkak të vdekjes së veprimtarit, Adem Demaçi.