''170-180 pronarë në Karaçevë ankohen për pronat e tyre''

Aktuale July 30, 2018 - 10:28
Mësojeni se kush thotë kështu

Ditëve të fundit është riaktualizuar problemi i vijës kufitare me Serbinë në fshatin Karaçevë, megjithatë ky pritet të jetë vetëm një nga rreth 200 kontestet kufitare që do t’i ketë Kosova me fqinjin verior gjatë demarkimit të kufirit. Madje sipas deputetëve, vetëm në këtë fshat janë paraqitur rreth 170 pronarë të cilët ankohen për fatin e pronave të tyre.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, ka thënë për gazetën Zërise numri i kontesteve kufitare me Serbinë mund të jetë edhe më i madh se 200, madje ai ka thënë se të dielën ka vizituar fshatin Karaçevë ku 170 deri në 180 pronarë kanë shprehur frikën se tokat e tyre mund të mbesin andej kufirit.

“Besoj se numri i kontesteve do të jetë edhe më shumë. Sot isha në Karaçevën e Poshtme dhe kemi marrë shënimet prej Kadastrës e shënimet tjera në terren. Këtu janë rreth 170 ose 180 pronarë, të cilët e kanë paguar tatimin në Komunën e Kamenicës dhe pronat e tyre mund të mbesin nën territorin e Serbisë, që është e papranueshme. Ky proces duhet të ndiqet me vëmendje”, është shprehur Lajçi.

Ai më tej ka thënë se trendi i lëshimeve gjatë demarkimit të kufirit është negativ, duke iu referuar humbjes së territorit gjatë demarkimit me Maqedoninë dhe me Malin e Zi.

“Ky kapitull është edhe më kapital. Mund të shikohet, por trendi është mjaft negativ sa i përket politikave shtetërore, të cilat janë bërë deri më tani... Prandaj duhet të jemi të gatshëm të reagojmë me faktet dhe me të gjitha mjetet e mundshme demokratike që të mos lejohet të rrudhet territori dhe sovraniteti”, ka shtuar Lajçi.

LEXO EDHE: 200 konteste për vijën kufitare me Serbinë

Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se pushteti në Kosovë jo vetëm që nuk i ka respektuar kufijtë administrativë të ish-Jugosllavisë, por nuk po i respekton as kufijtë e Kadastrës.

“Këta jo vetëm që kanë cenuar vijat e kufijve administrativë, por kanë prekur edhe në kadastrat e që thirren se kufijtë po vendosen në bazë të kadastrave, që sigurisht se është qasje e gabuar, por edhe këto janë deformuar”, ka përfunduar Lajçi. /ZËRI/