Spitalet s’kanë material shpenzues

Aktuale July 30, 2018 - 08:24
Lexoni më shumë detaje

Në Spitalin e Prizrenit në muajin qershor furnizimi me material shpenzues ka qenë 18,73%, ndërsa as spitalet tjera të përgjithshme nuk kanë pasur furnizim me material shpenzues më shumë se 30%. Sipas të dhënave që kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu ka bërë publike në njërën nga seancat e Kuvendit të mbajtura në këtë muaj, furnizimi me material shpenzues nëpër spitale këtë vit ka qenë shumë i ulët, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur t’u sigurojë institucioneve shëndetësore publike as produktet medicinale më të lira, çmimi i të cilave fillon nga 10 centë.

Edhe pse me çmim shumë të lirë, spitalet në Kosovë nuk janë të furnizuara mjaftueshëm me material shpenzues.

Vetëm në Spitalin e Prizrenit në muajin qershor furnizimi me material shpenzues ka qenë 18,73%, ndërsa as spitalet tjera të përgjithshme nuk kanë pasur furnizim me material shpenzues më shumë se 30%.

LEXI EDHE: Shkelje në konkursin për drejtorë të klinikave të QKUK-së

Sipas të dhënave që kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu, ka bërë publike në njërën nga seancat e Kuvendit të mbajtura në këtë muaj, furnizimi me material shpenzues në spitale këtë vit ka qenë shumë i ulët, shkruan më tutje "Zëri".

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka qenë e furnizuar me 41% material shpenzues, Spitali i Prizrenit me 18% material shpenzues, Spitali i Gjakovës me 26%, Spitali i Gjilanit me 24%, Spitali i Ferizajit me 27% . Këto mungesa të barnave mund të arsyetohen vetëm me dështim të MSH-së që të menaxhojë furnizimin me barna”, ka thënë Baftiu.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se gjatë muajit qershor kanë pasur mungesa të materialit shpenzues, andaj edhe u ka ardhur një furnizim emergjent.

“Një ditë kemi pasur mungesë të shiringave. Muajin e fundit, në dhjetëditëshin e fundit kemi pasur pak mungesë në gjithë Kosovën me material për dializë, por ka ardhur një furnizim emergjent për dy javë ose një muaj dhe pritet që të vijë furnizimi i rregullt”, ka thënë ai.

Edhe mjekët nga Spitali i Prizrenit, i Gjilanit dhe i Mitrovicës kanë treguar më herët për gazetën se ndonëse furnizimi me material shpenzues është përmirësuar, ai nuk i përmbush kërkesat e të gjithë pacientëve dhe se furnizimi me barna është më i madh sesa ai me material shpenzues.

Zyrtarë për informim në Spitalin e Pejës kanë thënë se në disa raste me mjete vetanake i kanë siguruar produktet nga lista esenciale.

“Situata lidhur me furnizimet me barna tashmë është e mirënjohur nga të gjithë në Kosovë. Kohëve të fundit furnizimet kanë filluar të jenë më të rregullta dhe ka përmirësime në disa lloje të barnave. Spitali i Përgjithshëm në Pejë edhe në raste kur nuk ka furnizim të rregullt nga mjetet vetanake bën blerje emergjente të barnave nga lista esenciale në mënyrë që pacientët të marrin trajtimet e duhura”, kanë thënë ata gazetën.

Rrahmani: Edhe pse me më shumë buxhet për shëndetësi, ka shumë mungesa

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në një prononcim për gazetën ka thënë se edhe pse janë ndarë 10 milionë euro më shumë për Ministrinë e Shëndetësisë prapë ka mungesa të shumë produkteve medicinale.

“Gjejeni vetëm një periudhë pas pavarësisë kur ka pasur barna më shumë sesa në mandatin tim, vetëm një rast kur citostatikë ka pasur më shumë ose kur janë blerë nga pacientët citostatikët e shtrenjtë, p.sh. Herceptina. Sot, edhe me afër 10 milionë euro më shumë buxhet, as gjysma e barnave që ne i kemi pasur nuk gjenden në institucionet shëndetësore”, ka thënë ai.

Deputetët kërkojnë rritje të furnizimit me produkte medicinale

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, njëherësh deputete nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu, ka thënë se furnizimi me material shpenzues nuk ka qenë i mirë. Sipas saj, në spitale nuk ka pasur furnizim më shumë se 50%.

“Ka iniciativa që janë bërë. Nuk mund ta mohojmë që është përfunduar shërbimi 24 orë i Kardiologjisë, i Onkologjisë, mirëpo ata qytetarë që nuk kanë punë në këto reparte, kur ata shkojnë të marrin një iniksion nuk ka ndoshta as alkool. Këto gjëra janë ende evidente. Sipas ministrit, diku deri nga shtatori kjo çështje do të rregullohet. Furnizimi me barna nga lista esenciale dhe me material shpenzues nuk është i mirë. Deri në muajin e kaluar ka qenë diku 50% furnizimi”, ka thënë ajo.

Ndërsa anëtarja e këtij Komisioni nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka theksuar se pret që këtë vit furnizimi me produkte medicionale të përmirësohet.

“Qysh është deklaruar ministri, janë më të furnizuar në këtë periudhë kohore. Nuk është se ka kërkesa më të mëdha, por normalisht problemi i shëndetësisë nuk është i sotëm, ky problem ka gjeneruar prej periudhës së pasluftës dhe po vazhdon ende dhe besoj që prej vitit në vit furnizimi do të jetë më i mirë. Njëkohësisht kemi kërkuar që barnat të cilat kanë një kosto të lartë të ketë furnizim sepse është e pamundur që pacientët vetë t’i sigurojnë sepse ka një kosto të lartë buxhetore dhe për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike pacientët nuk mund t’i sigurojnë ato”, ka thënë ajo.