Shkelje në konkursin për drejtorë të klinikave të QKUK-së

Aktuale July 30, 2018 - 08:11
Lexoni më shumë detaje

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka shkelur kriteret që ajo vetë i ka vendosur në konkursin për drejtorë të klinikave, të hapur në muajin maj të këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në konkursin e hapur nga QKUK-ja shkruan se kriter për pranim në këtë pozitë është që kandidati të ketë thirrje akademike ose shkencore të lëmit të caktuar, megjithatë, pavarësisht kësaj në testin me shkrim dhe në intervistë janë thirrur edhe ata kandidatë që nuk kanë tituj akademikë, e disa prej tyre edhe janë zgjedhur drejtorë të klinikave pavarësisht faktit që për ato pozita ka pasur edhe kandidatë me thirrje shkencore.

Në Klinikën Gjinekologjike-Obstetrike në testin me shkrim për drejtor kishte dalë i pari gjinekologu Jakup Ismajli, pas tij Fehmi Ahmeti dhe e treta kandidatja Myrvete Paçarada, e cila njëkohësisht është edhe profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë.

LEXO EDHE: Raportet skandaloze të zëvendësministrave

Ish-drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike-Obstetrike, Myrvete Paçarada, ka konsideruar se i është shkelur e drejta e saj. Ajo ka thënë se sipas ligjit janë shkelur procedurat, andaj edhe ka bërë një ankesë me shkrim, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas saj, është shkelur Statuti i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) duke ftuar në intervistë me shkrim persona që nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

Ankesa ka pasur edhe në Klinikën e Endokrinologjisë në QKUK. Konkursi për drejtor të kësaj klinike ishte pezulluar përkohësisht pasi njëra nga kandidatet është ankuar.

Drejtoresha aktuale, Drita Mekuli, është vlerësuar me plot 89 pikë në testim, kandidatja e cila njëherësh mban edhe titull akademik, Venera Berisha-Muharremi me 77, ndërsa  Merita Emini-Sadiku me 68 pikë.

Burime të gazetës “Zëri” në kushte anonimiteti kanë treguar se drejtoresha aktuale e kësaj klinike nuk ka titull akademik, derisa kundërkandidatja e saj e cila po ashtu ka kaluar testin Venera Berisha-Muharremi është edhe profesoreshë.

Sipas këtij burimi, ndonëse ligji thotë se profesorët kanë përparësi, Mekuli ka pasur më shumë pikë në test se kandidatja Muharremi.

“Në ligj është një klauzolë, e cila thotë se përparësi kanë ata që janë profesorë. Drita Mekuli nuk është profesoreshë, por kur thotë përparësi kanë profesorët d.m.th. kur kemi të gjitha pikët e njëjta, atëherë të qenit profesor do të jetë përparësi në pikë. Nuk është kushti i vetëm. As drejtori i SHSKUK-së nuk është profesor. Ajo nuk të jep automatikisht përparësi, por po të jenë pikët e njëjta të jep përparësi”, kanë thënë për gazetën.

Në anën tjetër ankesat nuk kanë munguar as në zgjedhjen e drejtorit të Klinikës së Gastroenterologjisë. Drejtor i kësaj klinike është zgjedhur Zaim Gashi pasi në test kishte marrë 77 pikë.

Mirëpo kandidati tjetër për këtë pozitë Skender Telaku, i cili në test me shkrim kishte marrë 54 pikë, ka dorëzuar ankesë në Komisionin e Ankesave, ku ka shkruar se dyshohet që testi është përshtatur për kandidatët e favorizuar nga drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu.

Për më shumë dyshohet se parregullsi ka pasur edhe në spitalet e përgjithshme. “Zëri” ka mësuar se në Spitalin e Mitrovicës Mimoza Zeqiri, gruaja e këshilltarit të Kadri Veselit, Lulëzim Zeqirit, ishte vlerësuar me pikët maksimale për të qenë në krye të këtij spitali.

Ndërsa zyrtarë për informim në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së kanë thënë për gazetën se është anuluar konkursi në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës dhe atë të Vushtrrisë.

SHSKUK: Ka pasur kandidatë pa tituj, kemi pasur ankesa në disa klinika

Zyrtarë për informim në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë thënë për “Zërin” se disa nga kandidatët për pozitën e drejtorit të klinikës nuk kanë qenë me titull të profesorit ose me thirrje tjetër.

“Kandidatët të cilët janë ftuar për testimin me shkrim së pari dhe pastaj për intervistën me gojë nuk janë të gjithë me titullin profesor ose me thirrje tjetër. Shkollimi i kërkuar është me tituj akademikë, por nuk është e kufizuar sepse në konkurs mund të konkurrojnë edhe kandidatët të cilët janë specialist të lëmenjve të caktuar me përvojë pune mbi 5-vjeçare. Po ashtu  duke u bazuar në Ligjin e Punës dhe në Udhëzimin Administrativ 07/2017 konkurset janë publike”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, ka pasur ankesa nga kandidatët në disa klinika.

“Deri më tani kemi pasur ankesa në Klinikën e Endokrinologjisë, por është zgjedhur drejtori i Klinikës, po ashtu në Kirurgji Vaskulare, por pas afatit të ankesave është lidhur kontrata e drejtorit të ri. Në Klinikën e Psikiatrisë, në Klinikën e Gastroenterologjisë dhe në Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri, të cilat janë në procedura të shqyrtimit nga Komisioni i Ankesave dhe nga palët e pakënaqura, mund t’i drejtohen edhe Inspektoratit të Punës për ankesa të mëtutjeshme”, kanë theksuar ata, duke shtuar se nuk ka pasur ankesa tjera, procesi ka shkuar relativisht mirë dhe janë zgjedhur drejtorët në Klinikën e Pulmologjisë, Kirurgjisë Plastike, ORL-së, Kirurgji Maksilofaciale dhe në disa klinika tjera.

Ndërsa sa i përket ankesës së bërë në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, ata kanë thënë se kandidatët janë ftuar në intervistë dhe ende nuk janë publikuar rezultatet.

“Zgjedhja e drejtorit të Klinikës është në procedurë, testin me shkrim e kanë kaluar  gjithsej 4 kandidatë të cilët  janë ftuar në intervistën me gojë nga Klinika e Gjinekologjisë e Obstetrikës dhe ende nuk janë publikuar rezultatet nga ana e Komisionit.  Procesi është në vazhdim dhe pas mbylljes së procesit  kandidatët e pakënaqur mund të parashtrojnë ankesa në Komisionin e Ankesave në QKUK”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, kushtet që duhet t’i plotësojnë kandidatët përveç shkollimit në lëmenjtë e caktuar janë: të këtë përvojë pune 5 vjet ose më shumë në klinikën ose në lëmin për të cilën konkurron, njohjen e mirë të sistemit shëndetësor, shkathtësi në arritjen e objektivave strategjike, njohuri të legjislacionit në përgjithësi e sidomos në shëndetësi, njohuri në fushën e menaxhmentit shëndetësor dhe të financave publike, etj, etj.

Veseli: Ne po punojmë në bazë të Ligjit të Punës e jo të Shëndetësisë

Drejtori aktual i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, ka thënë për gazetën se edhe pse është Ligji për Shëndetësi ata punojnë me Ligjin e Punës. Sipas tij, me këtë ligj përparësi ka specialisti i zgjedhur.

“Janë dy ligje, Ligji për Shëndetësi dhe Ligji i Punës. Ne punojmë me Ligjin e Punës. Ligji i Punës e definon shumë qartë se për të qenë brenda orarit të punës, për të qenë udhëheqës duhet të punosh tetë orë. Profesorët i kanë pasur kontratat parësore dhe dytësore, të parën e kanë me arsimin dhe të dytën me shëndetësinë. Në rastin konkret është shumë e theksuar, edhe nëse kishte qenë profesori, vjen gjithmonë i lëmit përkatës, specialisti i zgjedhur”, ka thënë ai.

Sipas tij, ai ka plotësuar të gjitha kriteret për të qenë drejtor i klinikës.

“Tek unë nuk ka pasur asnjë ankesë, kolegët më kanë përkrahur. Procedurat kanë qenë në rregull, nuk kam pasur asnjë kundërkandidat. Unë i kam plotësuar të gjitha kërkesat, pasi edhe kam qenë prej pozicioneve më të larta menaxheriale, pastaj kam pasur përvojë pune menaxheriae, jam specialist i ati lëmi dhe të gjitha procedurat i kam respektuar. Është e natyrshme se nëse nuk i kisha plotësuar nuk më kishin thirrur”, ka theksuar ai.