Raportet skandaloze të zëvendësministrave

Aktuale July 30, 2018 - 08:00
Mësoni më shumë detaje

Rreth 80 zëvendësministra kohë më parë i kanë dorëzuar kryeministrit raportet për punët që kanë kryer në 100-ditshin e parë, por këto raporte po vlerësohen skandaloze për shkak të përmbajtjes, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në vend të dokumenteve për “punë konkrete” zyra e kryeministrit është mbushur me raporte ku përfshihen: takimi i zëvendësministrave me shefat e tyre ministra, vizita në katedralen “Nënë Tereza” dhe urimi për Pashkët, vendosja e luleve te Përmendorja e Lirisë në Vlorë dhe pritja e njerëzve në zyrë për t’i pranuar urimet për pozitën e re.

Madje raportimi i tyre ka shkuar aq në detaje sa njëri nga zëvendësministrat ka raportuar se sa herë i ka dërguar e-maile ministrit dhe stafit e po ashtu edhe sa herë ka pranuar e-maile nga biznese të ndryshme.

LEXO EDHE: 200 konteste për vijën kufitare me Serbinë

Përderisa disa zëvendësministra kanë raportuar se që në javën e parë janë takuar me shefin e tyre, tre nga zëvendësministrat i janë ankuar Haradinajt se përgjatë 100 ditëve asnjëherë nuk janë takuar me shefat e tyre, shkruan më tutje "Zëri".

E raportimi i zëvendësministrave ka shkuar aq larg sa njëri prej tyre në raportin e tij ia ka shpjeguar Haradinajt detyrat dhe përgjegjësitë e tij prej zëvendësministri.

Gazeta Zëri ka provuar të marrë vlerësim nga zyra e kryeministrit Haradinaj për raportet e pranuara, por ata nuk janë përgjigjur.

Në anën tjetër opozita ka deklaruar se nuk është habitur me raportet e zëvendësministrave, pasi ata asnjëherë nuk kanë pranuar punë konkrete nga kryeministri, kurse njohësit e çështjeve politike raportet e zëvendësministrave i kanë quajtur qesharake.

Sipas tyre, kjo gjendje shfaq nevojën urgjente për Ligjin për Qeverinë, që pengon emërimin e “sharlatanëve” në postet qeveritare.

Opozita: Qeveria “Haradinaj” çdo ditë e më e paarsyeshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, duke folur për raportet e zëvendësministrave të qeverisë “Haradinaj” ka thënë se kryeministri po kërkon nga ata punë konkrete përderisa nuk u ka dhënë detyra konkrete.

“Mendoj që për të kërkuar raportime konkrete duhet të japë punë konkrete. Nuk e di cili zëvendësministër ka punë konkrete të përshkruar si detyrë pune në mënyrë që pastaj prej tyre të kërkohet edhe punë konkrete”, ka thënë ai.

Më tej ai ka thënë se me dorëzimin e këtyre raporteve Haradinaj u mundua të arsyetojë numrin e madh të zëvendësministrave, të cilët i kalojnë nevojat e Qeverisë.

“Kjo është sipas mendimit tim një përpjekje për ta arsyetuar kritikën e madhe për numrin kaq të madh të zëvendësministrave që pavarësisht se çfarë raportesh bëjnë ata, pavarësisht se çfarë pune kryejnë janë shumë më shumë sesa ka nevojë Qeveria. Një numër i madh i tyre nuk është për shkak të nevojës, por për plotësimin e nevojave politike të partive që janë në Qeveri”, ka shtuar Kurteshi.

Deputeti i LVV-së ka komentuar edhe emërimin e një zëvendësministri të ri nga ana e kryeministrit Haradinaj. Ai ka thënë se Qeveria po bëhet çdo ditë e më e paarsyeshme.

“Qeveria që ka shumë zëvendësministra të paarsyeshëm po e rrit numrin e tyre. Më këtë veprim thuhet se ‘është keq, por ne mund ta bëjmë edhe më keq’. Kjo është jashtë mendjes së shëndoshë. Shpresoj që së shpejti të përfundojë kjo qeverisje”, ka thënë Kurteshi.

Kurse deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, konsideron se qeveria “Haradinaj” ndonëse është qeveria më e madhe që kemi parë deri më tani me shumë ministra e zëvendësministra, nuk ka arritur t’ua ndryshojë për të mirë jetën e qytetarëve.

“Nuk i kam parë raportet individuale të zëvendësministrave dhe nuk mendoj se kanë ndonjë rëndësi. Ajo çka është me rëndësi është puna e Qeverisë në përgjithësi dhe çfarë ka bërë kjo Qeveri për të përmirësuar jetën e qytetarëve, a janë hapur vende të reja të punës, a janë rritur investimet publike, a po përmirësohet mirëqenia e qytetarëve e kështu me radhë. Unë nuk besoj se ndonjëri nga zëvendësministrat, të cilët janë vetëm barrë për buxhetin e Qeverisë dhe asgjë më shumë, të ketë bërë diçka për çështjet që përmenda më lart”, ka thënë ajo.

Alija: Raportet e zëvendësministrave, qesharake

Rasim Alija, nga “Demokracia për Zhvillim” (D4D), ka thënë se mënyra se si janë emëruar zëvendësministrat ka qenë indikator që janë aty vetëm për të rehatuar persona për një rrogë, duke u bërë barrë për buxhetin e shtetit.

Alija i ka quajtur qesharake raportet e zëvendësministrave. Sipas tij, këto raporte kanë shfaqur nevojën urgjente për Ligjin për Qeverinë.

“Raportet ato që kemi arritur t’i shohim janë qesharake, madje këto raporte shpërfaqin edhe nivelin qesharak të të shkruarit dhe të të raportuarit. Raportimi i zëvendësministrave jo vetëm që nuk e arsyeton punën e tyre, por e shpërfaq nevojën urgjente që të adresohet Ligji për Qeverinë, i cili do të rregullonte numrin e ministrive, të ministrave e të zëvendësministrave, duke evituar emërimin e sharlatanëve në poste qeveritare”, ka thënë Alija.

Qeveria me 100 ministra e 80 zëvendësministra realizoi 57% të planit

Lëvizja “Fol” gjatë ditës së djeshme ka publikuar të dhënat statistikore të monitorimit të zbatimit të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë së Kosovës për periudhën janar-qershor të vitit 2018.

Të gjeturat nga monitorimi i 22 institucioneve tregojnë se nga 225 aktivitete sa kanë qenë të parapara në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për periudhën janar-qershor 2018 vetëm 130 ose i shprehur në përqindje 57% është realizuar, ndërkaq 95 aktivitete ose 41% kanë mbetur të papërfunduara në afatin e përcaktuar kohor.

Ndërkaq për katër aktivitete të Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë “Fol” ka treguar se nuk ka marrë përgjigje.

“Kabineti qeveritar me mbi 100 ministra dhe zëvendës të tyre ka realizuar 57% të planit të punës në gjashtëmujorin e 2018-s”, thuhet në raportin e lëvizjes “Fol”.

Sipas tyre, ministritë të cilat i kanë realizuar të gjitha aktivitetet e parapara në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë janë: Ministria e Financave, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministria për Kthim e Komunitete, ndërkaq ministritë të cilat nuk kanë realizuar asnjë aktivitet janë: Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Punëve të Jashtme.