Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri zgjerohet edhe për 400 metra katrorë hapësirë

Aktuale July 29, 2018 - 14:16
Detajet

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, ka siguruar qytetarët e Vushtrrisë se Spitali i Vushtrrisë “Sheikh Zayed” së shpejti do ta ketë edhe Repartin e Urologjisë. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe “Gjysmëhëna e kuqe” kanë investuar 7 milionë euro në vitin 2016 në infrastrukturën shëndetësore të Spitalitshkruan gazeta "Zëri". 

Spitali i Vushtrrisë “Sheikh Zayed” është zgjeruar edhe përreth 400 metra katrorë hapësirë, me 5 dhoma shtesë për pacientë, 15 shtretër, recepcioni, hapësira e nevojshme për mjekë dhe infermierë. Në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, thuhet se sipërfaqja e ndërtuar ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për Repartin e Kirurgjisë, në të cilin ka munguar hapësirë e nevojshme për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Gjithashtu janë krijuar mundësitë edhe për një repart tjetër, i cili mungon, më konkretisht pritet shpejt të funksionalizohet edhe Reparti i Urologjisë. Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka siguruar qytetarët e Vushtrrisë, se së shpejti do të kenë edhe Repartin e Urologjisë, i cili është nevojë e kamotshme për qytetarët e kësaj komune, të cilët shërbimet urologjike detyrohen t’i kërkojnë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, në Klinikën e Urologjisë në QKUK, e madje edhe në Spitalin Rajonal të Pejës.

“Qytetarët e Vushtrrisë tani nuk do të kenë më nevojë që për disa shërbime të shkojnë nëpër qytetet e tjera. 68 mijë banorët e Vushtrrisë, deri më sot është dashur që të udhëtojnë për në Prishtinë apo spitalet tjera për shërbimet urologjike. Shpejt, ata nuk do të kenë nevojë ta bëjnë më këtë. Sot përuruam investimin e ri në Spitalin e Përgjithshëm të këtij qyteti, me 5 dhoma shtesë, 15 shtretër më shumë, recepsion të ri, në një sipërfaqe prej 400 metra katrorë, me ndihmën e ‘Gjysmëhënës së Kuqe’. Qytetarët Vushtrrias do të kenë shërbime cilësore shëndetësore dhe kështu do të jetë edhe në qendrat tjera spitalore të Republikës së Kosovës. Ne jemi të përkushtuar që pacientëve t’u ofrojmë trajtim adekuat shëndetësor”, ka thënë ministri Ismaili. Ai ka shtuar se investimet e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk do të ndalen për Vushtrrinë dhe qytetet tjera në Kosovë për të bërë spitalet edhe më moderne dhe të qasshme për pacientët.

Ndryshe, ky investim në Spitalin “Sheikh Zayed” është i pari pas një investimi prej 7 milionë euro, të cilin Emiratet e Bashkuara Arabe dhe “Gjysmëhëna e Kuqe” e kishin bërë në vitin 2016. Me investimin prej 7 milionë euro, ishte bërë një hap shumë i rëndësishëm në përgatitjen gjithëpërfshirëse të infrastrukturës shëndetësore, për të mundësuar reforma të rëndësishme dhe të suksesshme për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në Spitalin e Vushtrrisë.  Spitali “Sheikh Zayed” me 6 repartet e tij dhe me pajisje moderne ishte pa dyshim pikë referuese për mbi 400 mijë banorë të Vushtrrisë dhe rrethinës.

Spitali i Vushtrrisë, i cili kishte marrë emrin e sheikut Zayed Bin Sultan Al Nahyan, i cili është përuruar me 17 janar 2003, ka ardhur si rezultat i miqësisë në mes të Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. 

Shërbimet shëndetësore në Spitalin e Vushtrrisë “Sheikh Zayed”, pos qytetarëve të Vushtrrisë i marrin edhe ata të Mitrovicës dhe të Skenderajt, por ka pacientë edhe nga pjesë të tjera të vendit.  Sipas udhëheqësve të Spitalit dhe zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri, ka nevojë edhe për një numër të specialistëve, sidomos mjekë të emergjencës, urologë, otorinolaringologë, ortopedë. /ZERI