Mosha mesatare e të martuarve ishte 30 vjeç

Aktuale July 27, 2018 - 15:21
Detajet

Mosha mesatare e të martuarve në vitin 2017 është rritur krahasuar me vitet e kaluara. Agjencia e Statistikave thotë se gjatë vitit 2017 janë kurorëzuar 17 mijë e 112 qifte-bashkëshortore. Mosha mesatare e të martuarve ishte 30 vjeç.

“Prej tyre, mosha mesatare e djemve ishte 32 vjeç, ndërsa mosha mesatare e vajzave ishte 28 vjeç”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.

Përkundër moshës së lartë të martesës, prapë përqindja me e madhe e vajzave të martuara ishte në mes të moshës 20-24 vjeç.

“Kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë vajzat e moshës 20-24 vjeçare me 5,500 ose 32.1%, ndërsa te djemtë dominon mosha 25-29 vjeçare me 5,278, ose 30.8%,” bënë të ditur komunikata.

Pjesa dërmuese apo mbi 93 për qind e të martuarve janë me përkatësi etnike shqiptare ndërsa pjesa tjetër nga minoritete tjera.

Sipas komunave, Prizreni zë vendin e parë në Kosovë me 1,594 kurorëzime, ose 8.6%; Prishtina me 1,420, ose 7.6%; Ferizaj me 1,047, ose 5.6% etj.

Të rinjtë me shkollë të mesme më së shumti u martuan në 2017-ën

“Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie është 10,946, ose 64.0%; dhe numri i meshkujve është 12,312, ose 71.9%”, thotë komunikata.