Daçiq flet për takimin me Këshilltarin e Trump, të cilit i shpalosi planin për ndarjen e Kosovës

Aktuale July 27, 2018 - 10:03
Detajet

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq gjatë takimit që e pati dje me këshilltarin e Presidentit të SHBA’së, Donald Trump, ka thënë se John Bolton është shprehur se SHBA’ja është e gatshme të dëgjojë propozime të reja për çështjen e Kosovës.

Daçiq thotë se këshilltari i Donald Trump i ka thënë atij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të dëgjojnë “argumentet e Serbisë” për Kosovën, siç thotë Daçiq, përcjell Express.

LEXO EDHE: Deda: Sot në Shtëpinë e Bardhë Ivica Daçiq flet për kufirin në Ibër

Daçiq beson se ndryshimi i madh që erdhi në administratën amerikane, vije deri te kjo deklaratë e këshilltarit të Trump.

“Deri dy vjet më parë, kur flisja me dikë, thonin se kjo është çështje e zgjidhur, por tani ata thonë se duhet të ketë një kompromis”, tha Daçiq në një intervistë për Zërin e Amerikës.

"Siç tha Bolton, ai vetë e përdori këtë term, se politika e jashtme amerikane në periudhën e mëparshme, domethënë para Trumpit, ishte drejtuar nga disa autopilota”, u shpreh Daçiq t’i ketë thënë Bolton.

“Për herë të parë, këtu i citoj fjalët, ata janë të gatshëm të dëgjojnë zgjidhje krijuese për problemet e mundshme, duke përfshirë Kosovën. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për ne, dhe është shumë e rëndësishme të ketë konsensus në Washington”, tha Daçiq.