Amerika s’deklarohet për opsionin e ndarjes

Aktuale July 27, 2018 - 07:49
Lexo më shumë për lajme nga vendi, rajoni dhe bota...

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë nuk kanë dashur ta komentojnë opsionin e ndarjes së Kosovës ose të shkëmbimit të territorit me Serbinë. Ndërsa në Ambasadën Gjermane janë shprehur kundër ndarjes me arsyetimin se një gjë e tillë krijon potencial për efekt destabilizues në rajon dhe më gjerë, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Pavarësisht se ditëve të fundit ka pasur deklarime të shumta rreth opsionit të ndarjes së Kosovës ose të shkëmbimit të territoreve me Serbinë në kuadër të fazës finale të dialogut, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka vendosur të mos deklarohet rreth këtij opsioni. Të pyetur nga gazeta “Zëri” nëse SHBA-ja mbështet opsionin e ndarjes, duke mos saktësuar, zyrtarët e Ambasadës në fjalë kanë ripërsëritur deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ditë më parë tha se Kosova duhet të gjejë se cilat janë qëllimet e saj dhe të përpiqet të arrijë një konsensus rreth tyre.

Pavarësisht kësaj, Ambasada e Gjermanisë ka ripërsëritur qëndrimin e saj për “Zërin”, duke lënë të nënkuptohet se qëndron kundër ndarjes së Kosovës.

Në anën tjetër presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pohuar se çështja e Luginës së Preshevës mund të bëhet temë e diskutimeve në Bruksel. Një gjë të tillë e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës, të cilët kanë vlerësuar se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet t’i bashkohen Republikës së Kosovës. Ndërkaq përfaqësuesit e opozitës në vend kanë thënë se në asnjë formë nuk duhet të cenohet integriteti territorial i Kosovës.

LEXO EDHE: Bërnabiq: Është më mirë që të mirëkuptohemi me SHBA-në për disa çështje të hapura

Gjermania, kundër ndarjes së Kosovës

Të pyetur nga “Zëri” nëse SHBA-ja e mbështet opsionin e ndarjes ose një marrëveshje të mundshme mes të dyja shteteve, e cila do të mundë të arrihej me ndarje ose me shkëmbim territoresh, nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, duke mos folur rreth kësaj, kanë ripërsëritur qëndrimin e ambasadorit dhënë ditë më parë, 

“Javën e kaluar edhe në intervistën e tij televizive, edhe në ‘Twitter’ ambasadori Delawie tha qartë se ‘Kosova duhet të gjejë se cilat janë qëllimet e saj, duhet të përpiqet që të arrijë një lloj konsensusi rreth atyre qëllimeve dhe këto janë gjërat në të cilat jam i përqendruar tash për tash’”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës dhënë “Zërit”.

Ndërkaq, nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i kanë thënë gazetës se Gjermania qëndron prapa deklarimeve të bëra javë më parë. “Sikurse ministri i Shtetit Michael Roth, gjithashtu edhe ambasadori Christian Heldt në intervista të ndryshme për mediet kosovare kanë paraqitur mendimin e tyre rreth çështjes së dialogut të normalizimit. Pra, qëndrimi i qeverisë Gjermane duhet të jetë i qartë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane për “Zërin”.

Ndërkohë ditë më parë në një intervistë për “Zërin” ambasadori gjerman pati deklaruar se qëndron kundër opsionit të ndarjes së Kosovës. “Gjermania nuk beson që ndryshimet e kufijve do të çonin në një zgjidhje të qëndrueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës. Përkundrazi, ato do të krijonin potencial për efekte destabilizuese në rajon dhe përtej tij. Për këtë arsye ne jemi kategorikisht kundër”, qe shprehur Heldt për “Zërin”.

Thaçi: Lugina mund të bëhet pjesë e bisedimeve në Bruksel

Mirëpo presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme ka thënë se në bisedimet e Brukselit mund të diskutohet edhe mbi çështjen e Luginës së Preshevës.

“Në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë - Serbi dhe në kuadër të korrigjimit të kufijve ose të demarkacionit me Serbinë do ta prezantoj edhe kërkesën e institucionalizuar tanimë të liderëve dhe të qytetarëve të Preshevës për institucionet e Kosovës. Se a do të mundë të realizohet objektiva dhe e drejta e aspiratave të qytetarëve të Luginës e them me përgjegjësi, do të jetë pothuajse e pamundur”, ka deklaruar Thaçi.

Por nëse do ta prezantojë ose jo pikërisht në tavolinë kur dy udhëheqësit e të dyja shteteve do të ulen për të diskutuar Thaçi ka thënë se do ta informojë shumë shpejt publikun. Pavarësisht kësaj, kreu i shtetit është zotuar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.

Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, Ragmi Mustafa, ka kërkuar që të jetësohet referendumi i vitit 1992, në mënyrë që Lugina t’i bashkohet Kosovës. Sipas Mustafës, duhet përfundimisht të kthehen kufijtë që ishin në të kaluarën.

“Kërkojmë përfundimisht që të jemi pjesë integrale e Republikës së Kosovës në këtë fazë të përmbylljes së dialogut. Duke qenë ne shumicë shqiptare na takon që përfundimisht të kthehen kufijtë e së kaluarës, mbi bazat që Presheva, Bujanoci, Medvegja të jenë në kuadër të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Kurti: Shkëmbimi i territoreve, një mashtrim i ri

Në anën tjetër, gjersa ka folur për çështjen e dialogut dhe për opsionin e shkëmbimit të territoreve me Serbinë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se ajo që mund të ngjajë pas disa javësh mund t’i sjellë Kosovës pasoja të pariparueshme. “Javët dhe muajt në vijim janë tejet të rëndësishëm. Ajo që mund të ndodhë në javët dhe në muajt në vijim mund të ketë pasoja për vite të tëra, për të mos thënë dekada. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, opsioni për shkëmbim territoresh është një mashtrim i ri prej udhëheqësve të Kosovës. “Arsyeja pse neve po na duket që bëhet fjalë për një mashtrim të ri vjen nga fakti se gjithçka po tregon se ideja e shkëmbimit të territoreve ose e korrigjimit të kufijve më shumë është në funksion të një lloj të krijimit të atmosferës ku një status special për veriun e Kosovës bëhet më i kollajshëm në emër të një premtimi për kompensim në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, gjë që nuk po duket askund në horizont”, ka theksuar ai.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se nisja e një dialogu të ri pa asnjë përgatitje paraprake është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme.

Sipas tij, marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet duke mos e cenuar integritetin territorial të Kosovës, duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe duke respektuar frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Qorrolli: Vijat e kuqe janë hequr përfundimisht

Në anën tjetër profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, ka konsideruar se ndarja e Kosovës tashmë nuk është tabu më. “Vijat e kuqe përfundimisht janë hequr. Liderët e Luginës sot ia kërkuan zyrtarisht presidentit të Kosovës bashkimin e tri komunave jugore të Serbisë, të banuara me shqiptarë, me Republikën e Kosovës. Liderët politikë të veriut të Kosovës dje në një takim me presidentin e Serbisë kërkuan të njëjtën gjë përafërsisht, domethënë bashkimin me Serbinë”, ka deklaruar ai.

Sipas Qorrollit, pas një autonomie që mund ta fitojnë të dyja popullsitë, pas disa vitesh mund të bëhet edhe shkëmbimi i territoreve.

“Të dyja popullsitë përkatëse mund ta fitojnë së pari autonominë e tyre lokale përmes një asociacioni, siç tani e kanë serbët kosovarë. Këtë mund ta bëjnë edhe shqiptarët e Luginës dhe deri në vitin 2022 të bëhet shkëmbimi formalo-juridik i territoreve dhe të njihen dy entitete të pastra juridike sipas së Drejtës për Vetëvendosje”, ka theksuar ai. /ZERI