Kolegji ISPE reagon ndaj Agjencisë së Akreditimit dhe Ministrisë së Arsimit

Aktuale July 26, 2018 - 17:26
Ja arsyeja

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) pas mbledhjes së mbajtur ka publikuar të enjten njoftimin në ueb – faqen e AKA-së, sipas të cilës Kolegjit ISPE i revokohet akreditimi në të gjitha programet e studimit Bachelor (BA) dhe Master (MA) duke përjashtuar vetëm programin Studime të Sigurisë Bachelor (BA).

Kolegji ISPE përmes këtij reagimi publik denoncon edhe njëherë veprimet e paligjshme të kryera nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, njëkohësisht i bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të gjithë mekanizmave të tjerë institucionalë, duke përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe Avokatin e Popullit si dhe të gjithë faktorin evropian dhe ndërkombëtar të pranishëm në Kosovë që të përdorin të gjitha mjetet dhe mundësitë e tyre juridike në mënyrë që të ndërpritet persekutimi i vazhdueshëm që po i bëhet këtij institucioni, stafit akademik, studentëve dhe prindërve të studentëve.

Opinioni i gjerë publik në Kosovë dhe të gjithë mekanizmat e lartpërmendur duhet të jetë të informuar për faktet si në vijim:

1. Në vetë tabelën e publikuar nga vetë AKA-ja, të enjten me datë 26.7.2018 është e qartë se Kolegji ISPE i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara nga vetë AKA-ja për staf të rregullt akademik për secilin program të studimit, ndërsa për çudinë e të gjithëve me vendimin e sotëm Kolegjit ISPE i hiqet akreditimi nga programet e akredituara dhe ri-akredituara tashmë nga katër (4) përkatësisht pesë (5) herë me radhë si rezultat i vlerësimit nga ana e ekspertëve të jashtëm ndërkombëtarë;
2. Heqja e akreditimit, bëhet në kundërshtim të plotë me aktet ligjore në fuqi të cilat e rregullojnë këtë çështje, ku është shumë e qartë se Udhëzimi Administrativ Nr. 09/2017, Neni 21 parasheh se heqja/revokimi i akreditimit mund të ndodhë vetëm pas kryerjes së raportit të monitorimit të vlerësuesve të jashtëm ndërkombëtar, i cili në këtë rast duhet të konstatojë se gjendja faktike në institucion është dëmtuar sa i përket sigurimit të cilësisë. Sqarojmë opinionin e gjerë publik se asnjë inspektim dhe monitorim nuk është kryer në Kolegjin ISPE në mënyrë që të vihet deri tek ky vendim;
3. Departamentit Ligjor i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovë në shkresën Ligjore me Nr. 2/2-3600, të datës 01.11.2017, konstaton se suspendimi i programeve të Kolegjit ISPE është bërë në kundërshtim të plotë me aktet ligjore në fuqi që e rregullojnë këtë fushë dhe në këtë mënyrë AKA-ja e ka shpërfillur plotësisht këtë dokument duke mos e marrë aspak në konsideratë dhe duke vazhduar me praktikat e nxjerrjes së vendimeve të pabazuara në ligj;
4. Ministri i Arsimit, Z. Shyqiri Bytyqi, e ka shkarkuar nga detyra U.D-në e Drejtorit të AKA-së vetëm pak minuta para fillimit të mbledhjes së Agjencisë së Akreditimit, dhe rrjedhimisht Bordi i Agjencisë ka marrë vendime pa ekzistencën e Drejtorit të AKA-së si personi kompetent ligjërisht për përgatitjen e mbledhjeve të Bordit të AKA-së, ku dihet që ndër të tjera Drejtori i AKA-së është edhe anëtar ex officio e Bordit të Agjencisë së Akreditimit;
5. Ministri i Arsimit, Z. Shyqiri Bytyqi ka toleruar funksionimin e AKA-së pa ekzistencën e Komisionit të Ankesave në këtë institucion, në kundërshtim të hapur me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative (Ligji Nr. 05/L-031), respektivisht Nenet 125-135. Duke ua mohuar Institucioneve të Arsimit të Lartë, në këtë rast edhe Kolegjit ISPE, të drejtat Kushtetuese për të shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat dhe interesat e tij në mënyrën e përcaktuar me ligj (Neni 32 i Kushtetutës së Kosovës).
6. Veprimet e Ministrit të Arsimit dhe vendimi i sotëm i AKA-së për heqjen e akreditimit për programet e studimit të Kolegjit ISPE, pa asnjë bazë ligjore, është në kundërshtim të hapur edhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, respektivisht me Protokollin 1, Neni 2 (E Drejta për Arsim) i cili parasheh se “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për arsimim”.
7. Ministri i Arsimit z. Bytyqi ka bërë shkelje flagrante të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës dhe Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik duke mos ndërmarrë asnjë veprim ndaj disa anëtarëve të Bordit të Agjencisë të cilët kanë bërë hapur marketing në TV në favor të institucioneve të caktuara të arsimit të lartë privat dhe vazhdojnë të jenë pjesë aktive e institucioneve të caktuara.
8. Edhe pas Kërkesës së ish-ushtrueses së Detyrës së AKA-së drejtuar Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës ku ceket qartë se për shkak të dyshimeve të bazuara për parregullsi në vendimet e marra nga AKA, kërkon zyrtarisht kryerjen e një auditimi të përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës në AKA, Ministri i Arsimit, dështon të reagojë dhe si kundërpërgjigje shkarkon U.D e Detyrës nga detyra.

Kërkojmë nga:

Kryeministri i Republikës së Kosovës Z. Ramush Haradinaj që të ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj Ministrit të Arsimit. Z. Sh. Bytyqi dhe që njëherë e përgjithmonë të ndalen këto praktika arbitrare në dëm të institucioneve të arsimit të lartë, studentëve dhe prindërve të tyre, përderisa i favorizon hapur disa institucione tjera të arsimit të lartë;
Kuvendi i Kosovës, të thërret një interpelancë parlamentare Ministri i Arsimit për veprimet dhe mosveprimet e tij në raport me AKA-në;

III.    Kërkojmë nga Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Znj. Apostolova që të ndërmarrë menjëherë veprimet për inicimin e fillimit të auditimit (të kërkojë zyrtarisht nga Gjykata e Auditorëve të BE-së) për mënyrën sesi fondet e BE-së janë shpenzuar në sektorin e arsimit në Kosovë ( Znj. Apostolova ditë më parë deklaroi se fondet e shpenzuara nga ana e BE-së në Kosovë në sektorin e arsimit kapin shifrën e 34 milionë Eurove). Po ashtu kërkojmë nga Znj. Apostolova që të kërkojë zyrtarisht nga Agjencia Evropiane (OLAF) e specializuar për hetimin e krimeve të kryera kundër financave buxhetore dhe korrupsionit të fillojë hetimet për sa iu përket shpenzimeve të këtyre fondeve në Kosovë në sektorin e arsimit.

Kërkojmë nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës, që të tërheqë menjëherë këtë vendim arbitrar dhe të paligjshëm dhe në këtë mënyrë të ndërpresë shkaktimin e pasojave tanimë thuajse të paevitueshme ndaj Kolegjit ISPE. Gjithashtu, Kolegji ISPE i bën me dije Agjencisë së Akreditimit se do të përdorë të gjitha mjetet juridike për ta vendosur përpara përgjegjësisë individuale secilin zyrtar të AKA-së i cili me veprimet apo mosveprimet e tij ka qenë pjesë e këtyre veprimeve arbitrare dhe të paligjshme.

Kolegji ISPE dëshiron të sigurojë të gjithë studentët e tij dhe prindërit e studentëve se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për të garantuar mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe njëkohësisht do t’i mbajë të informuar për çdo veprim të mëtutjeshëm duke përfshirë edhe reagimin përmes protestave deri në realizimin e të drejtave tona ligjore.