MMPH tregon se kush ka qenë shkaktar i ngordhjes së peshqve në lumin Mirusha

Aktuale July 26, 2018 - 16:16
Detajet

Ditëve të fundit është raportuar për raste të ngordhjes së peshqve në lumin Mirusha, më saktësisht në lokacionin nga Banja e Malishevës në drejtim të këtij qyteti. Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, sipas analizave të ujit del se uji nuk ka qenë shkaku i ngordhjes së tyre, raporton “zëri.info”.

“Në lidhje me rastin e ngordhjes së peshqve në rrjedhën e lumit Mirusha, në lokacionin nga Banja e Malishevës në drejtim të qytetit të Malishevës,  ju informojmë që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pas  pranimit të mostrave të ujit nga vendi i ngjarjes nga inspektorati i komunës së Malishevës, ka bërë  analizat në laborator për të verifikuar nëse cilësia e ujit ka ndikuar në ngordhjen e peshqve.  Sipas raportit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës brenda MMPH-së, del se uji nuk ka qenë faktor për ngordhjen e peshqve në Lumin Mirusha në Malishevë”, thuhet në komunikatën lëshuar nga MMPH.

Sipas tyre në terren kanë dal edhe inspektorë për të parë nëse ka ndonjë kompani që operon në atë pjesë por edhe për ndonjë dëshmitarë të mundshëm.

LEXO EDHE: Ministria po heton shkaqet e ngordhjes së peshqve në Mirushë

“Përveç analizave të institutit, ekipi i inspektorëve të MMPH-së, sot ka qenë në terren së bashku me drejtorin dhe inspektorët komunal, ku në lumin Mirusha-Malishevë, gjatë inspektimit nuk kanë hasur në ndonjë biznes që operon apo ndonjë dëshmitar lidhur me aksidentin mjedisor në lumin Mirusha”, thuhet tutje.

Zyrtarë nga kjo ministri kanë konfirmuar se me kërkesë të MMPH-së, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të bëj analizat për ta konstatuar shkaktarin e ngordhjes së peshqve.

“Për të verifikuar edhe me tej shkaqet e ngordhjes së peshqve, pas kërkesës së MMPH-së, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të bëjë analizat për të konstatuar shkaktarin e ngordhjes së peshqve. MMPH do t’iu mbajë të informuar në lidhje më këtë rast, dhe njëkohësisht inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë me organet përgjegjëse për të çdo informacion në lidhje me shkaqet që mund të kenë shkaktuar  këtë fenomen”, përfundon komunikata. /ZËRI