Përplasje në Kuvend mes pozitës dhe opozitës

Aktuale July 26, 2018 - 16:03
Ja arsyeja

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi në seancën e sotme të Kuvendit i bërë të ditur kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli që opozita është shumë e fortë, përkundër deklarimeve të këtij të fundit ditë më parë, raporton “zeri.info”.

Kurteshi kërkoi nga deputetët e opozitës që të votojnë marrëveshjet të cilat janë të rëndësishme për vendin.

“Nëse ju kujtohet para dy jave keni deklaruar se asnjëherë nuk keni pa opozitë më të dobët. Tani po e shihni forcën e opozitës. Përgjegjësinë që këto marrëveshje s’po kalojnë e bartni ju. Mandej po mundoheni që fajin të ja hidhni opozitës. Unë i bëjë apel opozitës të votojnë pavarësisht çfarë ju deklaroni. Ata duhet të kenë parasysh interesin e vendit”, tha ai.

Pas deklarimeve të Kurteshit, reagoi deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi i cili i tha se ai nuk duhet të shes moral dhe të mbaj ligjërata para deputetëve.

LEXO EDHE: Kuvendi nuk ratifikoi marrëveshjen prej së cilës Kosova fiton miliona euro

“Zotëri Kurteshi nuk ka nevojë me na moralizu dhe me na tregu se nuk je në rolin e mësuesit. Përpara ka qenë në PDK e tani qenka bërë avokat i LDK-së. Nëse doni seancë hidheni në votim, mos na mbani ligjërata. Ne i kemi qëndrimet tona ju i keni tuajat”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i PSD-së Dardan Sejdiu, tha se deputetët e opozitës po vazhdojnë të provokohen dhe po ofendohen.

“Është evidente që kryetari i seancës duhet të sigurohet që deputetët të mos futen në diskutime pa nevojë. Është e sata here që deputetët e opozitës po provokohen në mënyrë të panevojshme që po shkon edhe në ofendime. I bashkëngjitëm thirrjes së deputetit Kurteshi që në këtë mënyrë të mos punohet në seancë. Kërkojë që të jemi sa më formal dhe të orientuar në punë dhe shumë më pas rreth diskutimeve që skano asnjë peshë politike”, tha ai.

Për më shumë, deputeti nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku kërkoi nga deputetët e opozitës që të vazhdojnë bojkotimin e institucioneve. Ai kërkoi nga PSD-ja që t’i bashkohet këtij bojkoti. /ZERI