S’ka barna në spitale, pacientët i blejnë vetë

Aktuale July 26, 2018 - 08:13
Lexoni më shumë detaje

Pacientët në Kosovë po vazhdojnë t’i blejnë barnat nga lista esenciale, si dhe materialin shpenzues edhe pse vazhdimisht zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë po deklarojnë se furnizimi me barna është përmirësuar, shkruan sot Gazeta "Zëri".

M.R., nga Prishtina, ka thënë për Zërin se për operimin e bashkëshortit të saj në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ditë më parë i është dashur të blejë produkte medicinale si kapela për mjekët dhe shiringat, pasi këto nuk i janë ofruar nga stafi mjekësor.

Sipas saj, derisa disa barna që kushtojnë më shtrenjtë i kanë marrë në klinikë, produktet medicinale me çmime më të lira nuk i kanë gjetur aty.

LEXO EDHE: Thaçi, i ''vetëm'' edhe në takimin e tretë

“Para se të operohej bashkëshorti im m’i kanë shkruar disa gjëra të cilat është dashur t’i blej në barnatoret private. I kam blerë këtu afër në oborr të QKUK-së dhe nuk më kanë kushtuar shtrenjtë. Edhe më herët kur kemi pasur familjarë të tjerë të shtrirë këtu kemi blerë barna”, ka thënë ajo.

Barnatoreve private, sidomos atyre në oborrin e QKUK-së, i janë drejtuar edhe shumë pacientë të tjerë, të cilët në mënyrë anonime kanë treguar për gazetën Zëri se kjo gjendje është duke i shqetësuar ata.

Ndërsa furnizim të mjaftueshëm me barna këtë vit nuk kanë pasur as spitalet e përgjithshme.

Drejtorë të spitaleve të përgjithshme në Kosovë kanë thënë për “Zërin” se furnizimi nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e pacientëve.

Sipas tyre, në disa periudha të caktuara kohore në spitale ka pasur mungesa të shiringave e të materialit për dializë.

QKUK: Kemi rreth 70% furnizim me barna

Zyrtarë për Informim në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë thënë për “Zërin” se furnizimi me barna aktualisht është rreth 70%.

“Furnizimi me barna është rreth 70% dhe presim që ky furnizim të përmirësohet edhe më tutje meqë shumë kontrata janë lidhur dhe janë duke u lidhur nga ana e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, kanë thënë ata.

Pavarësisht deklarimeve që furnizimi me barna është rritur, gazeta “Zëri” ka mësuar se Klinika e Dermatologjisë, si dhe ajo e Ortoprotetikës shpeshherë kanë mungesa.

Derisa Klinika e Dermatologjisë ballafaqohet me mungesë të disa barnave, ajo e Ortoprotetikës më shumë se një vit ka mungesë të furnizimit me proteza për invalidët.

Ndërsa gjatë këtij viti mungesa të barnave ka pasur edhe në Klinikën e Kirurgjisë dhe të Onkologjisë, aty ku trajtohen edhe disa nga sëmundjet më të rëndësishme. Aktualisht Klinika Emergjente është më mirë e furnizuar.

Derisa spitalet ballafaqohen me mungesë të barnave dhe të materialit shpenzues qendrat e mjekësisë familjare po ballafaqohen me mungesë të insulinave.

Farmacisti në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Fatos Aliu, ka thënë më herët për gazetën “Zëri” se furnizimi me barna dhe me material shpenzues është i mirë, mirëpo ai me insulina analoge nuk i përmbush të gjitha kërkesat e pacientëve.  

“Janë afërsisht 2,000 pacientë që marrin insulinën, mirëpo asnjëherë ne nuk kemi pasur furnizim me sasinë sa në e kemi planifikuar”, pati deklaruar ai më herët.

Millaku: Pacientët po diskriminohen, nuk i kanë as barnat elementare

Drita Millaku, anëtare e Komisionit për Shëndetësi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se pacientët po diskriminohen duke mos i pasur në spitale as barnat elementare.

“Si anëtarë të Komisionit kemi ngritur këtë shqetësim çdoherë dhe ky avaz po vazhdon përsëri. Kjo situatë nuk arsyetohet asnjëherë, sepse pacientët janë më të diskriminuarit. Ata janë detyruar që përpos gjendjes së rëndë të sëmundjes, të kushteve shumë të rënda të spitaleve që gjenden të shtruar, nuk i kanë as barnat elementare. Jemi në përfundim të muajit korrik e arsyetimi nuk është më afatet kohore të buxhetit”, ka thënë ajo, duke shtuar se Qeveria nuk po merret me problemet e qytetarëve.

 Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, javën e kaluar gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi ka thënë se furnizimi me barna është stabilizuar.

Sipas tij, 65% e barnave tani janë edhe me kontrata.

“Në fund të vitit 2017, 70% e barnave kanë qenë pa kontratë. Sot kemi 65% të barnave me kontrata, 24% janë në procedurë dhe kemi tërësisht një situatë tjetër në sektorin shëndetësor. Konsideroj se sot mund të jemi të gjithë më krenarë për faktin se kemi arritur një model të ri të qeverisjes në Ministri të Shëndetësisë. Edhe kemi ndërprerë një avaz të vjetër të keqmenaxhimit, edhe kemi më shumë furnizim me barna”, ka thënë ai.

Ismaili ka deklaruar se vetëm gjatë një jave në muajin qershor janë nënshkruar rreth 50 kontrata të reja për furnizim me barna dhe aktualisht kanë hyrë në fazën e fundit të nënshkrimit të të gjitha kontratave për barna dhe për material shpenzues.