Aktuale

Thaçi, i ''vetëm'' edhe në takimin e tretë

Thaçi, i ''vetëm'' edhe në takimin e tretë
26 korrik 2018 • 08 : 02 Foto: Laura Hasani

Lexoni më shumë detaje

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të shkojë pa përkrahjen e opozitës në takimin e radhës (të tretin) të fazës finale të dialogut me Serbinë, pasi opozita e vendit vazhdon të mos e pranojë në asnjë mënyrë atë si kryenegociator. Ky takim pritet të zhvillohet në fillim të muajit shtator në Bruksel, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në fillim të shtatorit të këtij viti është paraparë të mbahet takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo edhe në këtë takim presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të shkojë pa përkrahjen e opozitës, pasi këta vazhdojnë ta kundërshtojnë fuqishëm atë si kryenegociator.

LEXO EDHE: Nga dialogu teknik tek opsioni i ndarjes

Por pavarësisht kësaj presidenti Thaçi ka vazhduar thirrjet për konsensus në vend për dialogun, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër njohësit e procesit të dialogut e shohin si të pamundur arritjen e një konsensusi deri në takimin e radhës.

Ata thonë se mospajtimet mes pushtetit dhe të opozitës së vendit janë të mëdha, madje Kuvendi i Kosovës po luan një rol shumë të dobët karshi kësaj faze të dialogut.

Thaçi fton partitë dhe Kuvendin të marrin rolin e tyre në dialog

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se Kuvendi, Presidenca, Qeveria e të gjitha institucionet do ta bëjnë rrugëtimin e përbashkët për t’i përshpejtuar angazhimet që Kosova të jetë pjesë e të gjitha institucioneve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe përmbylljen e dialogut me Serbinë.

“Edhe sot kërkoj nga partitë parlamentare, nga Kuvendi që t’i marrin përgjegjësitë e veta. Më vjen keq që partitë janë duke u vonuar, pasi koha po ecën. Roli përfundimtar pas arritjes së secilës marrëveshje i takon Kuvendit. Secili duhet ta luajë rolin e vet”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, i pyetur rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë, respektivisht mundësisë së këmbimit të veriut me Luginën e Preshevës, Thaçi duke mos saktësuar ka thënë se do të respektohet mendimi i shqiptarëve të Luginës.

“Për një ide të tillë ka kohë që po flasin njerëz të Akademisë, të shoqërisë civile, të politikës. Unë i dëgjoj me vëmendje deklarimet e secilit lider politik. Do ta shikoj me vëmendje, e kuptoj shqetësimin e secilit lider për shqiptarët e Preshevës, të Medvegjës dhe të Bujanocit. Natyrisht rrëfimet e tyre janë prekëse, rrëqethëse. E drejta për të ardhmen e tyre u takon atyre dhe opinioni i tyre është i respektuar”, ka thënë kreu i shtetit.

Osmani: Konsensusi për dialogun është i pamundur me Thaçin kryenegociator

Në anën tjetër deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë që presidenti Thaçi në mënyrë të njëanshme ka marrë përsipër udhëheqjen e procesit, mirëpo ai në Bruksel mund të flasë në emrin e tij personal e jo në emër të Kosovës, meqë i mungon mandatimi nga Kuvendi.

 Ajo më tutje ka thënë që Thaçi po mundohet ta rihapë statusin e Kosovës duke shkelur kështu vullnetin e popullit.

“Procesi i dialogut ka nisur mbrapsht dhe tashmë është tërësisht jolegjitim. Presidenti Thaçi në mënyrë të njëanshme ka marrë përsipër udhëheqjen e procesit, mirëpo ai në Bruksel mund të flasë në emrin e tij personal e jo në emër të Kosovës, meqë i mungon mandatimi nga Kuvendi. LDK-ja tashmë e ka bërë të qartë që nuk përkrah Thaçin si kryenegociator dhe deklaratat e tij se nuk pranon as vija të kuqe e as parime udhëzuese gjatë negociatave janë tepër të rrezikshme”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, konsensusi për çështjen e dialogut është i pamundur me një figurë si Thaçi në krye të dialogut.

“Natyrisht që për këtë proces kaq jetik duhet konsensus, por konsensusi është i pamundur të ndërtohet rreth figurës më jokonsensuale dhe më përçarëse që ka Kosova. Duhet të gjenden alternativa të tjera që i bëjnë partitë bashkë rreth këtij procesi me qëllim që shtetësia e Kosovës dhe karakteri i shtetit, i paraparë me Kushtetutë të mbrohen, duke punuar njëkohësisht për konsolidim ndërkombëtar të kësaj shtetësie”, ka thënë ajo.

Vetëvendosja: Çështja e territorit të Kosovës, vijë e kuqe me Serbinë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci ka thënë për “Zërin” që çështja e shkëmbimit të territoreve me Serbinë duhet të jetë vijë e kuqe e Kosovës.

Ajo ka ripërsëritur që partia e saj nuk e përkrah Thaçin si kryenegociator dhe si e tillë nuk do t’i përgjigjet thirrjeve të presidentit për konsensus.

“Vetëvendosja konsideron që është shumë e rëndësishme që para se të vazhdohen bisedimet me Serbinë të bëhet një vlerësim i gjithë këtyre viteve të dialogut deri më tani. Duhet të ketë një vlerësim të të gjitha marrëveshjeve paraprake, që të shihen sa janë zbatuar ato në të gjitha sferat dhe janë disa çështje që gjithsesi se duhet të adresohen e që kanë të bëjnë me sovranitetin, me integritetin e vendit, siç është çështja për të pagjeturit”, ka thënë ajo.


Sipas saj, konsensusi për këtë çështje do të duhej të arrihej para se Thaçi të vetëshpallet kryenegociator.

“Po ashtu duhet të vendosen vijat e kuqe për çështjet që janë të panegociuara, siç është çështja e territorit dhe respektimi i plotë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pa u caktuar paraprakisht këta hapa, pa u përcaktuar një platformë nuk mund të vazhdohet tutje. Kompromisi duhet të arrihet që nga fillimi dhe jo pasi Thaçi të vetëshpallet për udhëheqjen e këtyre bisedimeve”, ka thënë Nagacvi.

Në anën tjetër Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, ndonëse e sheh të pamundur arritjen e një konsensusi mes partive të pozitës dhe të opozitës së vendit, konsideron që Kuvendi po luan një rol shumë të dobët karshi dialogut me Serbinë.

“Arsyet për këtë janë dallimet konceptuale rreth dialogut, por edhe kalkulimet politike të partive të cilat lidhen me atë se si do të duken pastaj ato para elektoratit në zgjedhjet e ardhshme, nëse i bashkohen në procesin e dialogut partive në pushtet. Prandaj nuk pres që do të ketë pajtueshmëri të partive në pushtet dhe në opozitë gjatë procesit të dialogut”, ka thënë Haxholli për “Zërin”.
 

© zëri.info