Nga dialogu teknik tek opsioni i ndarjes

Aktuale July 26, 2018 - 07:48
Mësoni më shumë detaje

Kosova dhe Serbia në vitin 2011 kishin nisur dialogun teknik me të vazhduar me atë politik, ndërsa pas shtatë vjet bisedimesh në fazën finale po flitet për ndarjen e Kosovës ose për shkëmbimin e territoreve. Presidentët, Hashim Thaçi i Kosovës dhe Aleksandër Vuçiq i Serbisë, po paralajmërojnë se epilogu i dialogut do të jetë i vështirë dhe i dhimbshëm për të dyja palët, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse më 2011-n Kosova dhe Serbia kishin nisur bisedimet në kuadër të nivelit teknik, vetëm pas një viti (2012) krahas dialogut teknik pati filluar edhe ai politik mes të dyja shteteve.

Ndërkohë, tek pas gjashtë vjetësh (2018) të dyja palët startuan edhe me fazën finale të këtij procesi.

Tash kur edhe ka nisur kjo fazë po flitet edhe për shkëmbim të territoreve me Serbinë ose për ndarje të Kosovës, shkruan më tutje "Zëri".

Përgjatë shtatë vjetëve dialog Kosova dhe Serbia kanë arritur 33 marrëveshje gjithsej, por një pjesë e madhe e tyre nuk ka gjetur fare zbatim.

Marrëveshja e cila hasi në kundërshtimin e vazhdueshëm të opozitës u bë ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që buronte nga Marrëveshja e vitit 2013 dhe nga ajo e vitit 2015.

Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se kjo marrëveshje ishte antikushtetuese, tashmë po paralajmërohet një Asociacion në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, rrjedhimisht në kundërshtim me Kushtetutën.

Pos kësaj në kuadër të etapës përmbyllëse të negociatave po paralajmërohet edhe opsioni i shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Ndërkohë, tashmë të dy udhëheqësit e fazës finale, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, kanë deklaruar se epilogu i dialogut do të jetë i vështirë dhe i dhimbshëm për të dyja palët.      

“Protagonistët” e negociatave Kosovë - Serbi

Takimin e parë në kuadër të dialogut teknik Kosova dhe Serbia e mbajtën më 10 mars të vitit 2010. Kosovën në këtë takim e përfaqësoi Edita Tahiri, zëvendëskryeministre dhe njëherësh ministre për Dialogun me Serbinë atë kohë, ndërsa delegacioni serb drejtohej nga Borko Stefanoviq.

Ndërkaq më 2012-n Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, në të cilën autorizoi Qeverinë si përgjegjëse për ta drejtuar procesin e dialogut në nivelin politik.

Si rrjedhojë, më 19 tetor Hashim Thaçi, ish-kryeministër, zhvilloi takimin e parë në kuadër të këtij niveli bashkë me homologun e tij serb Ivica Daçiq.

Dialogu, i cili ndërmjetësohej nga BE-ja, në vitin 2013 rezultoi me Marrëveshjen e Brukselit ose Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet me Serbinë vazhduan nën drejtimin e ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili në vitin 2015 nisi të takohej me ish-kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq.

Pas kësaj takimet në Bruksel rinisën sërish në vitin 2017 (3 korrik), kur të dy presidentët aktualë të të dyja vendeve, Hashim Thaçi (Kosovë) dhe Aleksandër Vuçiq (Serbi), u takuan për t’u dakordauar që të hynin në fazën përmbyllëse të dialogut.

Pavarësisht që Thaçi edhe aktualisht është duke e drejtuar nivelin politik, Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti emëroi Avni Arifin si shef të negociatave me Serbinë, në kuadër të nivelit teknik.

Ndërkohë faza finale e dialogut nisi zyrtarisht më 24 qershor të këtij viti. Takimet në kuadër të kësaj etape po zhvillohen ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Tahiri: Vija e kuqe për Kosovën, mosdiskutimi për sovranitetin e saj

Teksa ka folur rreth dialogut ish-kryenegociatorja e bisedimeve Kosovë – Serbi, Edita Tahiri, ka thënë për “Zërin” se vija e kuqe për Kosovën (që të mos diskutohej me Serbinë për sovranitetin e Kosovës) kishte ekzistuar prejse kishte filluar procesi i negociatave.

“Dialogu i Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë është një dialog i cili është ndërtuar mbi vijat e kuqe që shteti i Kosovës i ka pasur që nga viti 2011, kur ka filluar ky dialog dhe vija e kuqe kryesore ka qenë se në këtë dialog nuk bisedohet për statusin, nuk bisedohet për sovranitetin dhe për integritetin territorial të Kosovës dhe kjo vijë e kuqe ka vazhduar dhe duhet të vazhdojë edhe në fazën finale të dialogut”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Duke komentuar deklaratat për shkëmbim të territoreve me Serbinë ose për ndarje të Kosovës, Tahiri ka vlerësuar se askush nuk mund të flasë për gjëra që e cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi e ka konfirmuar se pavarësia e Kosovës është në pajtim me të Drejtën Ndërkombëtare. Prandaj, mendoj se askush në Kosovë në asnjë rrethanë nuk mund të dalë jashtë Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të flasë për gjëra që cenojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës”, ka shtuar ajo.

Idetë e tilla sipas saj janë tejet të dëmshme dhe i shkojnë në favor vetëm shtetit të Serbisë.

“Serbia gjithmonë ka ëndërruar veriun e Kosovës, për shkak se është i pasur me miniera dhe me ujë. Kjo ka qenë arsyeja pse Kosova ka qenë 100 vjet e okupuar nga Serbia”, ka theksuar ajo. Tahiri tutje ka konsideruar se pa u arritur një dakordim i gjerë mes partive faza finale e dialogut nuk do të duhej të vazhdonte fare.

Vllasi: Ideja për shkëmbim territoresh, pallavër e Serbisë

Ndërkaq njohësi i rrethanave politike në Kosovë, Azem Vllasi, ka vlerësuar se idetë për  shkëmbimin e territoreve janë vetëm dokrra të Serbisë e jo më shumë.

Sipas tij, dialogu me Serbinë mund të përfundojë vetëm me njohje reciproke “Ideja për këmbim territoresh është pallavër e palës serbe dhe nga ana jonë nuk duhet as të diskutohet kjo ide”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Vllasit, janë disa vija të kuqe për të cilat Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të diskutojë me Serbinë.

“‘Vijat e kuqe’ janë temat për të cilat fare nuk duhet të bisedohet me Serbinë e ato janë: statusi i Kosovës si shtet i pavarur e sovran, kufijtë dhe territori që Kosova ka, struktura e brendshme kushtetuese e Kosovës si shtet unitar, resurset e brendshme strategjike (‘Trepça’, Ujmani, Brezovica) që ishin resurse të Kosovës edhe në kohën e autonomisë kushtetuese të vitit 1974”, ka nënvizuar ai.

Selimi: Ndarja mund të vijë si opsion, gjithçka pritet nga Thaçi dhe nga Vuçiqi

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për “Zërin” se dialogu kishte nisur si teknik, porse ka kaluar në dialog politik.

Bisedimet mes dy vendeve sipas tij kishin nisur pikërisht me kërkesën e Serbisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas Selimit, nuk janë të befasishme as rezultatet e këtyre bisedimeve e as marrëveshjet. Duke folur për fundin e këtij procesi, Selimi ka vlerësuar se mund të pritet gjithçka kur në tavolinë është vënë sovraniteti i Kosovës.

“Normalisht se gjithçka pritet përderisa ne kemi vënë në tavolinën e diskutimit me Serbinë pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Në momentin kur ne kemi vënë sovranitetin tonë në tavolinë është e kuptueshme që Serbia do të përfitojë”, është shprehur ai.

Madje sipas Selimit, edhe ndarja mund të vijë si opsion, ndonëse një gjë e tillë është e papranueshme.

“Ndarja e Kosovës mund të vijë si opsion sepse gjithçka pritet nga Thaçi e nga Vuçiqi”, ka thënë deputeti i LVV-së.  

Cakolli: Opsioni i ndarjes, i rrezikshëm

Në anën tjetër Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) në kuadër të “Projektit për dialogun”, ka thënë se qysh prejse kishte nisur dialogu ishte parë që ai nuk ishte teknik.

KDI-ja, siç ka thënë Cakolli, vlerëson se ka pasur mungesë të konsiderueshme të transparencës në këtë proces.

Sipas tij, ndër marrëveshjet më diskutabile dhe më të kundërshtuara që janë nënshkruar në Bruksel mbetet ajo e Asociacionit, ndërsa opsioni për ndarjen e Kosovës është tejet i rrezikshëm dhe i papranueshëm.

“Opsionet e tjera siç është përmendur shkëmbimi i territoreve ose ndarja e Kosovës vlerësoj se janë të rrezikshme, të cilat pala kosovare do të duhej t’i refuzonte, duke qenë se hapja e dialogut dhe e negociatave për integritetin territorial të Kosovës do të ishte një akt i paprecedent në këtë rajon të Ballkanit, pasi Kosova në Kushtetutën e saj është një shtet unitar i pandashëm”, ka potencuar ai.