MMPH: Mbrojta e mjedisit po bëhet prioritet nga Qeveria

Aktuale July 25, 2018 - 10:00
Lexoni më shumë detaje

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për krijimin e Task Forcës për pastrimin e mjedisit në periudhën 15 shtator- 15 dhjetor 2018, është edhe një dëshmi që për herë të parë mbrojtja e mjedisit po bëhet prioritet qeveritar në Republikën e Kosovës.

Ky vendim  është garanci e suksesit të rrugës për krijimin e një mjedisi të pastër për ne dhe brezat që vijnë.

Ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj si koordinatore e kësaj Task Force, së bashku me Kryeministrin, ministrat, shoqërinë civile, FSK-në, KFOR-in dhe të tjerët do të sigurojnë një aksion gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm për pastrimin dhe gjelbërimin e Kosovës.

Paralelisht me aksionin e pastrimit të Kosovës në nivel nacional, nga muaji shtator,  Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të filloj me zbatimin e Udhëzimit për Gjobat Mandatore, ku përmes gjobitjes së qytetarëve që hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara do të ndalim ri-krijimin e deponive ilegale të mbeturinave.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të raportojnë të gjithë ata që në një apo formë tjetër ndotin mjedisin ku jetojmë  duke vepruar kështu së bashku në ruajtjen dhe mbrojtjen mjedisit.

MMPH-ja, së fundmi në “Ditën Botërore të Mjedisit” më 5 qershor 2018 ka realizuar aksion të pastrimit në 26 komuna të Kosovës duke pastruar kështu dhjetëra deponi ilegale.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po ashtu ka mirëpritur edhe vendimin  tjetër të Qeverisë së Kosovës për miratim të Projektligjit  për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, që ka për qëllim të ofrojë një bazë për zhvillimin e masave të komunitetit për zvogëlimin e ndotjes së ajrit nga burimet e mëdha, në veçanti nga industria, amvisëria, shërbimet publike dhe private, automjetet e transportit dhe infrastruktura.

Projektligji  për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja është hartuar në harmoni me standardet evropiane, sipas teknikave të reja juridike, me një koncept fleksibil, të zbatueshëm në sistemin juridik të Republikës së Kosovës.