Hoxhaj: Nëse s’ka vija të kuqe me Serbinë, s’do të ketë as me Shqipërinë

Aktuale July 24, 2018 - 12:37
Detajet

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë sot në inaugurimin e pikës kufitare me Shqipërinë, në Morinë, së bashku me homologen e tij nga Shqipëria Senida Mesi, si dhe dy shefat e misioneve të Bashkimit Evropian ne Shqipëri dhe Kosovës, raporton “Zeri.info”.

Në fjalimin e tij me rastin e hapjes së kësaj pike, Hoxhaj tha se nëse në këtë fazë të fundit të dialogut me Serbinë, e cila duhet t’i shërbejë stabilitetit dhe sigurisë në rajon, dikush në Beograd dhe Bruksel mendon se sa i takon normalizimit në raport me Serbinë nuk duhet të ketë vija të kuqe, atëherë, nëse këto vija të kuqe nuk vlejnë në raport me fqinjin tone verior, nuk duhet të vlejnë as në raport me Shqipërinë.

“Kur sot, pas 12 vitesh, jemi në fazën e fundit të dialogut me Serbinë dhe ende kemi cështje të hapura me fqinjin tonë verior, duam që ky dialog, sa t’i shërbejë normalizimit të plotë në mes të të dy shteteve përmes njohjes së ndërsjellët dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB, po aq edhe një pajtimi Kosovë-Serbi pas një konflikti të thellë më shumë se një shekullor. Por, nëse në këtë fazë të fundit, e cila duhet t’i shërbejë stabilitetit dhe sigurisë në rajon, dikush në Beograd dhe Bruksel mendon se sa i takon normalizimit në raport me Serbinë nuk duhet të ketë vija të kuqe, atëherë, nëse këto vija të kuqe nuk vlejnë në raport me fqinjin tonëverior, nuk duhet të vlejnë as në raport me Shqipërinë”, deklaroi Hoxhaj.

LEXO EDHE: Thaçi: Asociacioni, sipas Kushtetutës së Kosovës

Ai tha se cdo ndryshim i karakterit të brendshëm të Kosovës në parime territorial mund të prodhojë gravitet të ri të jashtëm rajonal, raporton tutje “Zeri.info”.

“Kosova e pavarur është gurthemeli i fundit i paqës mes popujve në Ballkan, por edhe gurthemeli më i rëndësishëm për t’i ruajtur balancat etnik dhe nacional në hartën e Ballkanit. Sikurse Kosova shumë-etnike është projekt shtetëror jo vetëm për ta jetësuar vullnetin politik të shumicës, por për t’i ruajtur edhe balancat e brendshme mes grupeve etnike në Kosovë. Cdo ndryshim i karakterit të brendshëm të Kosovës në parime territoriale, mund të prodhojë, si pasojë, një gravitet të ri të jashtëm rajonal”, vazhdoi më tej Hoxhaj.

Hoxhaj ka përmendur 24 korrikun e vitit 2006 kur ndodhi takimi i Vjenës i njohur si “takimi i elefantëve” e nga i cili takim sipas tij rrodhi më pas dialogu me Serbinë.

“Më 24 korrik të vitit 2006, gjatë negociatave në Vjenë, ka ndodhur takimi më i madh në mes të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisaari, si i ngarkuar i posacëm i OKB-së për ta adresuar cështjen e statusit final. Para 12 vitesh, ka pasur disa parime, disa parametra dhe disa vija të kuqe se si kemi arritë deri tek pavarësia. Por, po ashtu ka pasur, në këto 20-30 vitet e fundit të shpërbërjes Jugosllave dhe krijimit të shteteve të reja, nga Sllovenia, Kroacia, Bosnia, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Kosova, të cilat e kanë formësuar shtetbërjen në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor”, tha ai, raporton “Zeri.info”

LEXO EDHE: A do të ketë shkëmbim të territoreve me Serbinë, flet presidenti Thaçi

Ky është fjalimi i plotë i tij:

Hapja e pikës së përbashkët kufitare dhe doganore në Morinë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është ndër ngjarjet më të rëndësishme, meqë kjo është pika kufitare më e ngarkuar në kuptimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes vendeve tona, por edhe në Ballkan. Vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë në Kosovë 24 mijë njerëz që mund të jenë edhe bashkatdhetarë tanë në perëndim por edhe qytetarë të Shqipërisë, si dhe 11 mijë turistë nga Kosova kanë kaluar në drejtim të Shqipërisë që në total mbledh rreth 35 mijë njerëz qarkullim brenda 24 orësh.

U jemi mirënjohës policisë kufitare të SHqipërisë dhe Kosovës, si dhe doganave për punën e mirë, dhe presim nga ta që gjatë verës ta lehtësojnë në maksimuum lëvizjen e njerëzve në këtë pikë.

Sikurse jemi krenarë me faktin që Doganat e Kosovës janë pjesë e Organizatës Botërore të Doganave, presim që Policia e Kosovës me anëtarësimin në Interpol do të bëhet pjesë e organizatës më të rëndësishme të sigurisë dhe bashkëpunimit policor.

Mbështetja e Bashkimit Evropian për ta modernizuar dhe rivitalizuar këtë pikë kufitare me kabina të reja kontrolluese, sistem elektronik, ndërtesë administrative, flet për atë që kjo për ne nuk është vec një mbështetje financiare dhe teknike, por mbi të gjitha një mbështetje e rëndësishme politike. Këtë e them sepse shtet formimi dhe shtet ndërtimi i Kosovës ka qenë produkt i dy faktorëve të rëndësishëm historik dhe politik. Së pari i vullnetit të pathyeshëm politik të Kosovës për pavarësi, dhe së dyti i mbështetjes së pakufijshme të partnerëve tanë evropianë dhe amerikanë, si dhe të Shqipërisë në jetësimin e këtij projekti politik.

Ngritja e Kosovës ka qenë në fund të fundit rezultat i ngritjes së Evropës, i fuqzimit dhe i zgjerimit të BE-së, por edhe i fuqizimit dhe zgjerimit të ndikimit amerikan në Ballkan, në Evropë dhe në botë. 

Dikush mund të mendojë, sot, se pikëpamjet e mia me këtë ngjarje të ceremonisë së rastit e tejkalojnë karakterin e ngjarjes. Por hapja e kësaj pike të përbashkët kufitare, Kosovë - Shqipëri, sot, më 24 korrik të vitit 2018, është njëlloj rikthimi në histori. Dhe nuk flas për rikthim në historinë e para 30 vitesh, në kohën e shembjes së Jugosllavisë komuniste, apo para 100 vitesh, në kohën e shembjes së Perandorisë Osmane. Por, flas për rikthim në fazën kritike të shtetbërjes së Kosovës. Më 24 korrik të vitit 2006, gjatë negociatave në Vjenë, ka ndodhur takimi më i madh në mes të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisaari, si i ngarkuar i posacëm i OKB-së për ta adresuar cështjen e statusit final. Para 12 vitesh, ka pasur disa parime, disa parametra dhe disa vija të kuqe se si kemi arritë deri tek pavarësia. Por, po ashtu ka pasur, në këto 20-30 vitet e fundit të shpërbërjes Jugosllave dhe krijimit të shteteve të reja, nga Sllovenia, Kroacia, Bosnia, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Kosova, të cilat e kanë formësuar shtetbërjen në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

Kur sot, pas 12 vitesh, jemi në fazën e fundit të dialogut me Serbinë dhe ende kemi cështje të hapura me fqinjin tonë verior, duam që ky dialog, sa t’i shërbejë normalizimit të plotë në mes të të dy shteteve përmes njohjes së ndërsjellët dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB, po aq edhe një pajtimi Kosovë-Serbi pas një konflikti të thellë më shumë se një shekullor. Por, nëse në këtë fazë të fundit, e cila duhet t’i shërbejë stabilitetit dhe sigurisë në rajon, dikush në Beograd dhe Bruksel mendon se sa i takon normalizimit në raport me Serbinë nuk duhet të ketë vija të kuqe, atëherë, nëse këto vija të kuqe nuk vlejnë në raport me fqinjin tonëverior, nuk duhet të vlejnë as në raport me Shqipërinë.

Kosova e pavarur është gurthemeli i fundit i paqës mes popujve në Ballkan, por edhe gurthemeli më i rëndësishëm për t’i ruajtur balancat etnik dhe nacional në hartën e Ballkanit. Sikurse Kosova shumë-etnike është projekt shtetëror jo vetëm për ta jetësuar vullnetin politik të shumicës, por për t’i ruajtur edhe balancat e brendshme mes grupeve etnike në Kosovë. Cdo ndryshim i karakterit të brendshëm të Kosovës në parime territorial, mund të prodhojë, si pasojë, një gravitet të ri të jashtëm rajonal. /ZERI