Vjosa Osmani tregon se kur pritet të hiqen vizat për Kosovën

Aktuale July 24, 2018 - 10:37
Detajet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani gjatë një interviste dhënë për gazetën “Zëri”, ka thënë se nuk dihet data e saktë se kur do të liberalizohen vizat nga Bashkimi Evropian por sipas saj ajo çfarë dihet është se Parlamenti Evropian procedurat e tyre do ti kryejnë në muajin shtator, raporton “Zëri.info”.

Sipas saj është Këshilli Evropian ai i cili do të vendosë për datën se kur do të hyj në fuqi vendimi për heqjen e vizave për Kosovën.

LEXO EDHE: Osmani: Thaçi po tenton ta rihapë statusin e Kosovës

Zëri: Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. A prisni që Kosova këtë vit ta fitojë liberalizimin? Cilat janë pengesat?

Osmani: Është vështirë të thuhet data e saktë dhe tanimë e vetmja gjë që dihet është që procedurat brenda Parlamentit Evropian do të kryhen diku rreth shtatorit. Pastaj ta shohim nëse Këshilli, ku përfaqësohen ministrat e Brendshëm të cilët vendosin për viza, do të vendosë përfundimisht në dhjetor. Ky vendim i Këshillit po ashtu përcakton edhe datën se kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave. Pra me skenarin më të mirë mund të kemi një vendim në dhjetor të këtij viti, mirëpo mundësitë që të vonohet edhe më tej ekzistojnë, sidomos meqë akoma nuk dihet saktësisht sa nga shtetet që votojnë do ta përkrahin këtë vendim për Kosovën. Përgjatë muajve në vijim institucionet e Kosovës do të duhej të ndërmarrin veprime të qarta sa i përket luftimit të krimit dhe të korrupsionit në mënyrë që shtetet anëtare në fund të jenë të bindura para se të votojnë. /ZËRI