7 vite ngecje në reformën zgjedhore, kërkohen ndryshime

Aktuale July 23, 2018 - 17:58
Detajet

Mos përfundimi i reformës zgjedhore tash e shtatë vite prej kur ka filluar ka shtyrë shoqërinë civile që të dalin me një deklaratë të përbashkët, ku në radhë të parë ftojnë subjektet politike dhe Kuvendin e Kosovës që ta vendosin në prioritet agjendën për reformën zgjedhore, raporton “Zëri.info”.

Tutje pjesëtarë të shoqërisë civile kanë kërkuar që ky proces të jetë transparent dhe pa interesa personal si dhe të i marrin parasysh rekomandimet e shoqërisë civile.

LEXO EDHE: KQZ-ja paguan komisionerët e zgjedhjeve

Ja deklarata e plotë e tyre:

DEKLARATË E PËRBASHKËT E SHOQËRISË CIVILE PËR ADRESIMIN E MANGËSIVE NË LEGJISLACIONIN ZGJEDHOR

Janë bërë shtatë vite prej kur ka filluar reforma zgjedhore dhe asnjëherë nuk ka përfunduar dhe nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor në këtë drejtim.

Me qëllim të ngritjes së përfaqësimit qytetarë dhe rritjes së cilësisë së të zgjedhurve, me qëllim të konstituimit dhe konsolidimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm të institucioneve, në mënyrë që të sigurohet më shumë funksionalitet i sistemit politik, transparencë dhe llogaridhënie të subjekteve politike dhe administrim më të lehtë të procesit zgjedhor, organizatat e shoqërisë civile ftojnë subjektet politike dhe Kuvendin e Kosovës që të:             

Vendosin me prioritet në agjendë çështjen e reformës zgjedhore që adreson problematikat e vërejtura në proceset e kaluara zgjedhore dhe të bazojnë punën në analiza dhe hulumtime.

Sigurojnë që legjislacioni zgjedhor është reflektim i të gjitha grupeve të interesit, duke garantuar gjithpërfshirje dhe respektim të vullnetit të të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre gjinore apo etnike.

Marrin parasysh rekomandimet nga organizatat e shoqërisë civile dhe nga misionet e vëzhgueseve të zgjedhjeve të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.

Organizatat e shoqërisë civile shprehin gatishmërinë për të kontribuar në procesin e adresimit të mangësive të legjislacionit zgjedhor me ekspertizën e tyre për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta në të ardhmen. /ZERI