Kryeziu: Të lobohet në kryeqendrat evropiane

Aktuale July 23, 2018 - 16:44
Detajet

Qeveria e Gjermanisë ende nuk i ka përfunduar diskutimet rreth liberalizimit të vizave për Kosovën. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” Ambasada Gjermane në Prishtinë. Deputetët dhe njohësit e integrimeve thonë se tani pas dhënies së rekomandimit për heqjen e vizave nga Komisioni Evropian Kosova duhet të lobojë te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për ta siguruar mbështetjen e tyre për heqjen e regjimit të vizave, shkruan “Zëri.info”.

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, për gazetën “Zëri”, ka thënë se ka mungesë të entuziazmit brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me vendet e treta.

“Mjedisi politik në kuadër të vendeve anëtare në vitin 2018 nuk është mjedis politik i vitit 2012, kur është lansua procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën. Viteve të fundit vendet anëtare janë ballafaquar me presion të fuqishëm publik për çështjet siç janë migrimi, azilkërkuesit, terrorizmi etj. Po ashtu ka pasur ide për suspendim të regjimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, që tashmë kanë fituar liberalizim të vizave”, ka deklaruar Kryeziu. 

Prandaj, sipas tij, Kosova ballafaqohet me një mjedis negativ publik.

“Prandaj duhet nënvizuar që Kosova fatkeqësisht ballafaqohet me një mjedis negativ publik dhe politik për liberalizimin e vizave. Vendet anëtare të rëndësishme, siç janë Franca, Suedia e Holanda, kanë shfaqur rezerva të mëdha për heqjen e regjimit të vizave me Kosovën”, është shprehur Kryeziu.

LEXO EDHE: Dilemat e Gjermanisë për heqjen e vizave për Kosovën

Ai ka thënë se në këtë kontekst është shumë e rëndësishme që sukseset që ka arritur Kosova, sado të kufizuara, t’u komunikohen qartë vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së.

Kryeziu po ashtu ka thënë se është me rëndësi që institucionet përgjegjëse

të ndërmarrin hapa për ta sensibilizuar opinionin për të drejtat dhe obligimet në kuadër të heqjes së regjimit të vizave, shkruan tutje “Zëri.info”.

“Konsideroj që duhet të lobohet te kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së dhe t’u  komunikohet në mënyrë të qartë dhe të matshme progresi i arritur në Kosovë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Në veçanti vendeve anëtare duhet komunikuar masat që Kosova ka marrë në fushën e azilkërkuesve, të migrimit dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë temat e interesit vital për vendet anëtare”, ka përfunduar Kryeziu. /ZËRI