Dialogu pa konsensus sjell një ''demarkacion'' të dytë

Aktuale July 23, 2018 - 08:00
Mësoni më shumë detaje

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pritet që së shpejti të takohet sërish me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq në kuadër të fazës finale të dialogut. Por, mosarritja e konsensusit të brendshëm për këtë fazë vlerësohet se mund t’ia sjellë Kosovës një skenar të ngjashëm me atë të bllokadës rreth Demarkacionit me Malin e Zi, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse takimi i tretë në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë - Serbi pritet të mbahet në fillim të muajit shtator partitë politike në Kosovë ende nuk kanë arritur një konsensus mbi këtë proces.

Mosarritja e një ujdie në këtë drejtim, para marrëveshjes finale Kosovë - Serbi, mund t’ia rikthejë Kosovës skenarin e Demarkacionit. Kështu vlerësojnë monitoruesit e procesit të dialogut, të cilët thonë se për ta ratifikuar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve, respektivisht 80 sosh, shkruan më tutje "Zëri".

LEXO EDHE: Dilemat e Gjermanisë për heqjen e vizave për Kosovën

Në anën tjetër, Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi ia kishte humbur Kosovës rreth tre vjet derisa ishte miratuar në Kuvend, pasi që subjektet politike atëkohë nuk gjenin dakordim mbi këtë marrëveshje.

Për të mos u përsëritur ky skenar, sipas përfaqësuesve të pozitës, arritja e një konsensusi të gjerë është më se i domosdoshëm.

Porse, partitë opozitare po vazhdojnë ta kundërshtojnë fazën finale të dialogut në mënyrën si ka nisur, fazë kjo e cila po drejtohet nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Sipas përfaqësuesve të opozitës, Thaçi nuk ka legjitimitet ta udhëheqë këtë proces e rrjedhimisht, siç janë shprehur ata, asnjë marrëveshje e arritur nga kreu i shtetit nuk është e vlefshme.

Haxholli: Dallimet mes partive të mëdha, nuk pritet konsensus për dialogun

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) në kuadër të “projektit për dialog”, ka vlerësuar se arritja e një konsensusi mes partive politike nuk është i mundur që të ndodhë para takimit të tretë të fazës finale.

“Nuk pres që do të arrihet konsensus i gjerë mes partive politike as deri në takimin e radhës në Bruksel, pasi që dallimet mes partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë janë të mëdha si për rezultatet e deritanishme të dialogut, ashtu edhe për qasjen e Kosovës ndaj dialogut edhe në fazën e re”, ka deklaruar ajo.

Në mungesë të një marrëveshjeje të gjerë në mes të subjekteve politike rreth dialogut, sipas Haxhollit, ka gjasa të përsëritet edhe një tjetër “demarkacion” në skenën politike në Kosovë.

“Në mungesë të konsensusit ka shumë gjasa të përsëritet skenari i Demarkacionit, pasi që partitë në pushtet nuk i kanë numrat e nevojshëm për ta ratifikuar marrëveshjen potenciale në fund të kësaj faze. Fokusi i liderëve politikë që po e përbëjnë ekipin e unitetit do të jetë që t’i kenë votat e komuniteteve dhe nga partitë opozitare”, ka shtuar ajo.

Kadriaj: Partitë të mos e shohin interesin partiak, por atë nacional

E pikërisht për të mos u rikthyer skenari i Demarkacionit, sipas deputetes së AAK-së Time Kadriaj, duhet të arrihet një dakordim i plotë në mes subjekteve para marrëveshjes finale Kosovë - Serbi.

“Për këtë edhe po kërkohet konsensusi, sepse secila marrëveshje duhet të vijë dhe të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Partitë opozitare nuk i kam dëgjuar që janë kundër dialogut dhe ndoshta në ditët në vazhdim do të ndërrojnë qëndrim dhe do t’i bashkohen delegacionit. Është me rëndësi që delegacioni të jetë gjithëpërfshirës”, ka pohuar deputetja e AAK-së.

Kjo pasi, sipas saj, të gjitha partitë politike e kanë për obligim të merren me temat e mëdha nacionale dhe të arrijnë dakordim rreth këtyre temave.

“Partitë politike duhet të shohin përtej aspektit politik dhe interesave të ngushta partiake, duhet të shihet interesi nacional, të bashkohen të gjithë në mënyrë që të mos ndodhin gabime”, ka theksuar ajo.

Sejdiu: Presidenti nuk guxon të dialogojë me Serbinë

Kurse deputeti i pavarur Korab Sejdiu ka thënë se nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje me Serbinë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pasi që, sipas tij, ai nuk ka legjitimitet për ta përfaqësuar Kosovën në këtë proces.

“Nuk guxon as presidenti Thaçi e askush tjetër të shkojë atje pa mandat që buron nga Kushtetuta ose drejtpërdrejt nga vota e përfaqësuesve të popullit, që është Kuvendi. Kështu që, kushdo që tenton të shkojë të dialogojë me këdo, duke përfshirë këtu Serbinë, mund të shkojë vetëm si individ, në asnjë mënyrë nuk guxon ta përfaqësojë Republikën e Kosovës pa një mandat të tillë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë teksa ka folur rreth fazës finale të dialogut, edhe nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku ka thënë se asnjë person nuk ka të drejtë të shkojë të dialogojë me Serbinë dhe të arrijë marrëveshje pa marrë aprovimin e Parlamentit të Kosovës.

“Në demokracitë parlamentare asnjë individ nuk mund të bëjë kompromise pa mbështetjen e Kuvendit. Pra, të mos mendojë asnjë zyrtar shtetëror që të shkojë në Bruksel dhe të bëjë marrëveshje që e cenojnë integritetin ose sovranitetin e vendit. Askush nuk mund të bëjë koncesione të tilla, të mos bëhen gabimet që janë bërë në të kaluarën, të cilat na kanë kushtuar”, është shprehur Kollçaku.

Deputetja e LVV-së më tej ka vlerësuar se në këtë etapë përmbyllëse të negociatave me Serbinë së pari duhet të përpilohet një platformë, ku nëpërmjet Parlamentit do të caktohej edhe kryenegociatori.

“Duhet të hartohet një platformë e përbashkët dhe pas marrjes së mandatit nga Kuvendi mund të vazhdohet me dialog. Por assesi kjo nuk mund të bëhet pa konsensus të gjerë”, ka nënvizuar ajo.

Tahiri: S’do të ketë harmonizim për dialogun

Në anën tjetër, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se presidenti i Kosovës nuk e ka mandatin nga Kuvendi për të dialoguar me Serbinë, por sipas tij Thaçi ka kompetencë kushtetuese dhe ligjore që ia përcakton përfaqësimin jashtë vendit dhe nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Gjersa ka folur rreth mundësisë së arritjes së një dakordimi të gjerë mes partive politike sa u përket bisedimeve, Tahiri ka vlerësuar se një gjë e tillë është thuajse e pamundur.

“Përpjekjet për ta krijuar një ekip të unitetit duket që s’po mund të realizohen, sepse partitë po duan ta shprehin ndikimin e tyre. Ndikimin e vet partitë më së miri e shprehin në Parlament, por Parlamenti tash nuk është i kyçur. Parlamenti e ka një rezolutë që e ka autorizuar Qeverinë para disa vjetësh, jo presidentin. Nuk besoj që do të ketë harmonizim ndërmjet partive për vetë faktin se nuk kemi dokument bazë, pra presidenti nuk e ka dërguar një dokument në Kuvend, me të cilin e kërkon mandatin”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, edhe atëherë kur vjen koha për arritjen e një marrëveshjeje, sipas Tahirit, ajo marrëveshje nuk do të mundë të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, pasi që për të ndodhur një gjë e tillë, siç ai është shprehur, nevojiten të paktën 2/3-at e votave të deputetëve (80 vota gjithsej).