Dilemat e Gjermanisë për heqjen e vizave për Kosovën

Aktuale July 23, 2018 - 07:48
Lexoni më shumë detaje

Qeveria e Gjermanisë ende nuk i ka përfunduar diskutimet rreth liberalizimit të vizave për Kosovën. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” Ambasada Gjermane në Prishtinë. Deputetët dhe njohësit e integrimeve thonë se tani pas dhënies së rekomandimit për heqjen e vizave nga Komisioni Evropian Kosova duhet të lobojë te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për ta siguruar mbështetjen e tyre për heqjen e regjimit të vizave

Qeveria e Gjermanisë gjithmonë e ka bërë të qartë se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi që vendi ynë t’i ketë plotësuar kushtet.

Megjithatë, mbështetja e shtetit gjerman ende nuk është sigurt e as tani pas dhënies së rekomandimit për heqjen e vizave për Kosovën nga Komisioni Evropian.

Këtë e ka konfirmuar Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë në një përgjigje për gazetën Zëri.

“Qeveria gjermane mirëpret faktin që Komisioni Evropian ka dhënë një mendim lidhur me përmbushjen e kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave për Kosovën. Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria gjermane ende nuk i ka përfunduar diskutimet rreth kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ambasade.

Megjithatë, më tutje në përgjigjen përZërin thuhet se Gjermania e ka bërë të qartë se e mbështet liberalizimin pasi të plotësohen kushtet.

“Qeveria gjermane gjithmonë e ka bërë të qartë se liberalizimi i vizave për Kosovën ndodh pasi të plotësohen të gjitha kushtet, ashtu siç ka ndodhur edhe në rastin e vendeve të tjera”, përfundon përgjigja e Ambasadës së Gjermanisë.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe njohës të integrimeve thonë se Kosova tani duhet ta intensifikojë lobimin te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në mënyrë që ta sigurojnë mbështetjen e tyre, pasi në muajt në vijim Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave do të vendosin rreth heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.

Osmani: Ende nuk dihet se cilat shtete na përkrahin

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, ka thënë për “Zërin” se është e vështirë të flitet për data se kur mund të merret vendimi për heqjen e vizave.

“Është vështirë të thuhet data e saktë dhe tanimë e vetmja gjë që dihet është që procedurat brenda Parlamentit Evropian do të kryhen diku rreth shtatorit. Pastaj ta shohim nëse Këshilli, ku përfaqësohen ministrat e brendshëm të cilët vendosin për viza, do të vendosë përfundimisht në dhjetor. Ky vendim i Këshillit po ashtu përcakton edhe datën se kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave”, ka deklaruar Osmani.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës më tej ka thënë se me skenarin më të mirë vendimi mund të merret në dhjetor, mirëpo sipas saj ky vendim mund të shtyhet edhe më shumë, pasi ende nuk dihet se sa shtete anëtare të Bashkimit Evropian do ta mbështesin heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.

“Pra, me skenarin më të mirë mund të kemi një vendim në dhjetor të këtij viti, mirëpo mundësitë që të vonohet edhe më tej ekzistojnë, sidomos meqë akoma nuk dihet saktësisht sa nga shtetet që votojnë do të përkrahin këtë vendim për Kosovën. Përgjatë muajve në vijim institucionet e Kosovës do të duhet të ndërmarrin veprime të qarta sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit, në mënyrë që shtetet anëtare në fund të jenë të bindura para se të votojnë”, ka shtuar Osmani.

Edhe nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë se lobimi në këtë kohë është shumë i nevojshëm.

“Është e qartë se lobimi është shumë i nevojshëm me theks të veçantë te disa vende, kur dihet se vendimi përfundimtar merret nga ministrat e punëve të brendshme në kuadër të Këshillit të Ministrave”, ka deklaruar ajo.

Deputetja e Vetëvendosjes më tej ka thënë se lobimi më i mirë është të shkohet me dëshmitë e përmbushjes së kritereve.

“Lobimi më i mirë është të shkohet me dëshmi të qarta se janë pambushur kriteret. Megjithatë, nuk duhet të bëhet as lobimi fare, kemi parë nga kryeparlamentari që me disa deputetë ka udhëtuar pa u ditur qartë se çfarë po kërkohet. Duhet të bëhet një lobim i koordinuar”, është shprehur Kollçaku.

Edhe drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, ka theksuar nevojën e lobimit në shtetet si Gjermania, Holanda e Danimarka.

“Disa shtete mbeten skeptike për Kosovën, prandaj nuk mund të lejojmë të ndodhin skandale në Kosovë. Duhet të lobohet ende te Holanda, te Danimarka dhe në Gjermani duhet të punohet me disa ministra”, ka vlerësuar Rashiti.

Kryeziu: Të lobohet në kryeqendrat evropiane

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, ka thënë se ka mungesë të entuziazmit brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me vendet e treta.

“Mjedisi politik në kuadër të vendeve anëtare në vitin 2018 nuk është mjedis politik i vitit 2012, kur është lansua procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën. Viteve të fundit vendet anëtare janë ballafaquar me presion të fuqishëm publik për çështjet siç janë migrimi, azilkërkuesit, terrorizmi etj. Po ashtu ka pasur ide për suspendim të regjimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, që tashmë kanë fituar liberalizim të vizave”, ka deklaruar Kryeziu.  

Prandaj, sipas tij, Kosova ballafaqohet me një mjedis negativ publik.

“Prandaj duhet nënvizuar që Kosova fatkeqësisht ballafaqohet me një mjedis negativ publik dhe politik për liberalizimin e vizave. Vendet anëtare të rëndësishme, siç janë Franca, Suedia e Holanda, kanë shfaqur rezerva të mëdha për heqjen e regjimit të vizave me Kosovën”, është shprehur Kryeziu.

Ai ka thënë se në këtë kontekst është shumë e rëndësishme që sukseset që ka arritur Kosova, sado të kufizuara, t’u komunikohen qartë vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së.

Kryeziu po ashtu ka thënë se është me rëndësi që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin hapa për ta sensibilizuar opinionin për të drejtat dhe obligimet në kuadër të heqjes së regjimit të vizave.

“Konsideroj që duhet të lobohet te kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së dhe t’u  komunikohet në mënyrë të qartë dhe të matshme progresi i arritur në Kosovë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Në veçanti vendeve anëtare duhet komunikuar masat që Kosova ka marrë në fushën e azilkërkuesve, të migrimit dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë temat e interesit vital për vendet anëtare”, ka përfunduar Kryeziu.