Aktuale

Banorët e Karaçevës: KFOR-i ka vendosur vijë kufitare duke i lënë në Serbi pronat tona

Banorët e Karaçevës: KFOR-i ka vendosur vijë kufitare duke i lënë në Serbi pronat tona
21 korrik 2018 • 23 : 35

Lexo detajet

Banorët e fshatit Karaqevë në Komunën e Kamenicës janë ankuar lidhur me shënjimit e vijës kufitare nga ana e KFOR-it.

Përmes një shkrimi në Facebook, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi ka shprehur shqetësimin lidhur me pronat e qytetarëve.

“Sot në Karaçevë të komunës së Dardanës banorët po ankohen se KFOR-i ka vendosur arbitrarisht vijë kufitare duke i lënë në Serbi pronat e tyre. Banorët e Karaçevës protestojnë që prej vitit 1999, kur KFOR-i e vendosi atë kufi të padrejtë. Është koha që ankesat e tyre të dëgjohen seriozisht dhe të merren masa”, shkroi Kurteshi.

Ai këtë ngjarje e krahasoi me situatën në demarkacionin me Malin e Zi dhe me Mitrovicën.

“Pikërisht sot, kur u mbushën katër muaj nga demarkacioni i padrejtë me Malin e Zi, dhe kur po ndërtohet muri që po ndan Mitrovicën.Ku janë qeveritarët e Kosovës kur duhet me i mbrojt tokat tona dhe kufirin? Ia kanë rritë rrogat vetes, po merren me tendera, po lëshojnë pe në negociata me Serbinë, por kur vjen puna për ta ndihmuar popullin dhe për ta mbrojtur atdheun, qeveritarët fshihen dhe nuk guxojnë as të flasin”, shtoi ai.

Ai tha se “nëse vazhdojnë kështu, duke e falë territorin e Kosovës në Rugovë, në veri, e tash edhe në lindje, në Karaçevë, vërtet do të na detyrojnë të bashkohemi me popullin në demonstrata”.

© zëri.info