Pacolli: Kryeministrja e Serbisë e kërconi Sulejman Uglaninin

Aktuale July 21, 2018 - 22:24
Lexo detajet

Zëvendës kryeministri i Kosovës dhe ministri Jashtëm, Behgjet Pacolli për mes një letre e ka falënderuar kryetarin e Këshilli Kombëtar Boshnjak, Sulejman Uglanin, për ftesën që ia ka bërë për ta vizituar Novi Pazarin dhe Peshterin, duke i shprehur po ashtu keqardhje për kërcënimin që ia ka bërë Uglaninit kryeministrja e Serbisë përmes një shkrese zyrtare.

LEXO EDHE: Ugljanin: Regjimi nacionalist serbomadh pengoi vizitën e Pacollit në Novi Pazar

“Fatkeqësisht, në momentin e fundit, vetëm 4 orë para nisjes sime për Novi Pazar mora refuzimin e Qeverisë së Republikës së Serbisë për të kaluar kufirin. Kjo është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen mes qeverive tona të nënshkruar 4 vite më parë në Bruksel, për çka ne veç kemi bërë një notë proteste zyrtare”, ka shkruar Pacolli.

Letra e Pacollit:

I nderuar kryetar Dr.Uglanin

I dashur Sulejman,

Të falënderoj vëllazërisht për ftesën vëllazërore që më bëtë për të vizituar Novi Pazarin dhe Peshterin dhe për të marrë pjesë në Tribunën me titull: Procesi i vendosjes së  bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal në Ballkan së bashku me shkëlqësinë tuaj dhe profesorin e nderuar,  Prof.Dr. Nexhmedin Spahiu.  Kishte me qenë një privilegj i madh për mua.

Fatkeqësisht, në momentin e fundit, vetëm 4 orë para nisjes sime për Novi Pazar mora refuzimin e Qeverisë së Republikës së Serbisë për të kaluar kufirin. Kjo është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen mes qeverive tona të nënshkruar 4 vite më parë në Bruksel, për çka ne veç kemi bërë një notë proteste zyrtare.

Më lejo  të lutem të shprehë keqardhjen dhe protestën time për lajmin që mora se për shkak të ftesës që  më keni bërë,  Kryeministrja e Republikës së Serbisë u paska kërcënuar përmes një shkrese zyrtare,  e ndodhur në vizitë në SHBA, vend ky që i pari e ka njohur Republikën e Kosovës si dhe më shumë se gjysma e kombeve të botës.

Pavarësisht nga refuzimi që më është bërë mua, dhe kërcënimi që i është bërë shkëlqesisë suaj, unë ju siguroj se përpjekjet e mia nuk do të ndalen për një Ballkan dhe një Evropë ku nuk do të ketë ndalesa në kufi dhe  ku komunitetet nuk do të privohen nga të drejtat elementare për të komunikuar me personalitete dhe dëgjuar të vërtetat e anës tjetër.