"Në negociatat e Thaçit me Serbinë çdo gjë është e mundur"

Aktuale July 21, 2018 - 21:29
Lexo detajet

Në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë mund të hapet edhe tema e shkëmbimit të territoreve në mes dy vendeve. Ndonëse jozyrtarisht si zgjidhje përmendet që Serbia ta marrë veriun e Kosovës, ndërsa kjo e fundit Luginën e Preshevës.

Partitë opozitare janë shprehur kundër një marrëveshjeje të tillë, mirëpo as ata nuk e përjashtojnë mundësinë që në marrëveshjen finale të ketë edhe shkëmbim territoresh.

Ndërkaq Rexhep Selimi, nga partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje, kur është pyetur në lidhje me mundësinë e marrëveshjes së shkëmbimit të territoreve me Serbinë tha se pikërisht për këtë arsye LVV-ja çdoherë ka qenë kundër negocimit me Serbinë, duke aluduar se çdo marrëveshje që bëhet është në dëm të Kosovës kur dialogohet me Serbinë.

“Për këtë arsye ne në vazhdimësi kemi qenë kundër negociatave, sepse në negociata mund të ndodhë gjithçka, prandaj ne kemi qenë kundër këtyre negociatave me Serbinë, e kur them që mund të ndodhë gjithçka nënkuptoj që gjithçka e keqe për Kosovën”, ka thënë ai për "Zërin" .

Më tutje, Selimi tha se presidenti Thaçi që nga fillimi i negociatave me Serbinë e ka diskutuar shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës.  

“Thaçi në vazhdimësi e ka diskutuar pavarësinë dhe shtetin e Kosovës me Serbinë, pra e ka bërë shtetësinë e Kosovës të diskutueshme me Serbinë”, tha Selimi. /Zëri