"Çështja e kufijve është mbyllur me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës"

Aktuale July 21, 2018 - 21:15
Lexo detajet

Në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë mund të hapet edhe tema e shkëmbimit të territoreve në mes dy vendeve. Ndonëse jozyrtarisht si zgjidhje përmendet që Serbia ta marrë veriun e Kosovës, ndërsa kjo e fundit Luginën e Preshevës, shkruan "Zëri". 

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për "Zërin" se çështja e kufijve në Ballkan duhet të konsiderohet çështje e mbyllur me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj, çfarëdo ndryshimi i kufijve ekzistues përbën rrezik, pasi mund të krijojë efekt domino e që prek të gjithë rajonin dhe si pasojë edhe vetë stabilitetin dhe paqen e rajonit.

“Kosova ka përmbyllur çështjen e kufijve të saj me shpalljen e Pavarësisë në 2008-n. Kosova ka bërë kompromise të rënda me pakon e Ahtisaarit, duke i ofruar komunitetit serb të drejta të zgjeruara. Vetë Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja nuk duhet ta pranojnë diskutimin e skenarëve, të cilat mund të cenojnë funksionimin unitar të shtetit të Kosovës, karakterin multietnik të Kosovës, integritetin e saj territorial dhe sovranitetin e saj të brendshëm dhe ndërkombëtar”, ka thënë ajo./Zëri