Agim Bahtiri thërret një takim për të kundërshtuar 'Ndarjen e Kosovës'

Aktuale July 21, 2018 - 15:44
Detajet

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri për ditën e hënë ka caktuar një takim, në të cilin do të bisedohet për zhvillimet e fundit politike në vend, posaçërisht tendencës për ndarjen e Kosovës, si për aktivitetet e nevojshme për të kundërshtuar ato.

Bahtiri ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve, liderët e të gjitha partive politike, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të OJQ-ve e asociacioneve të ndryshme dhe personalitetet me autoritet e ndikim, që të marrin pjesë në këtë takim.

LEXO EDHE: Sa është e gatshme Kosova ta japë veriun për Luginën e Preshevës dhe a do të jetë kjo ofertë e pranueshme për palën serbe?

Sipas njoftimit të komunës së Mitrovicës, kryetari Agim Bahtiri ka thënë se “Deklaratat e liderëve të vendit se në bisedimet me Serbinë nuk do të ketë vija të kuqe, janë paralajmërime ogurzi për të ardhmen e Kosovës, që nënkuptojnë edhe mundësinë e ndarjes së Kosovës. Meqë situata është tepër serioze, ajo kërkon mobilizimin e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit për të kundërshtuar fuqishëm tendencat e këtilla, që janë aspirata të kamotshme të Serbisë”, thotë kryetari Bahtiri.

Në këtë takim, sipas njoftimit të komunës, pritet që të flitet dhe të arrihet dakordimi për mundësinë e organizmit të një proteste gjithë popullore gjatë javës së ardhshme.

Takimi do të mbahet në ambientet e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit, duke filluar në ora 12:00.